Dopietë ari, Luiza Gega fantastike në Ballkanik! Shkëlqen edhe David Nikolli

y medalje ari dhe një argjendi, është ky bilanci i Shqipërisë në edicionin e 77-të të Kampionatit Ballkanik të atletikës, aktivitet që u mbajt më datat 25 dhe 26 maj në Izmir të Turqisë.

 

Dy titujt kampionë Ballkani mbajnë firmën e mbretëreshës së atletikës shqiptare, Luiza Gegës, e cila tregoi edhe një herë që mbetet e pakonkurrueshme në rajon. Gega e nisi më këmbë të mbarë të shtunën, teksa siguroi medaljen e saj të parë të artë, duke fituar garën e 3000 metrave me pengesa. Ajo regjistroi kohën 9:26.40, duke merituar vendin e parë, e shkëputur me rreth 20 sekonda nga ndjekësja më e afërt.

Gega, në fakt të shtunën do të provonte për një tjetër medalje ari edhe në disiplinën e 3000 metrave, por mungesa e hapësirës kohore pas garës së saj në 3000 m/p, nuk ia mundësoi pjesëmarrjen. Gjithsesi, kampionia me rekord e kampionatit Europian u rikthye fuqishëm të dielën, duke marrë medalje e ari edhe në disiplinën e 5000 metrave. Ndryshe nga gara e së shtunës, ajo e djeshmja në 5000 metra ishte shumë e fortë, e zhvilluar edhe në reshjet e shiut. Konkurrentja direkte e Gegës ishte Yasemin Can, një keniane e natyralizuar turke, kampione në fuqi e Europës në 10000 metra. Pas një gare taktike, kampionia jonë e bëri diferencën në 400 metrat e fundit, duke mbërritur e para në finish me kohën 15:38.52. Kështu Gega siguron titullin e dytë kampion në Kampionatin Ballkanik për ta ngjitur flamurin shqiptar sërish në shkallën më të lartë të podiumit në stadiumin e Izmirit. Kujtojmë që Luiza Gega është e vetmja atlete shqiptare pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të Parisit si e kualifikuar me normë.

Por përpara Olimpiadës, Gega do të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Romës në qershor, ku do të tentojë të ruajë titullin kampione e Europës në 3000 metra me pengesa. Ndërkohë, në Ballkanikun e Izmirit shkëlqeu edhe një tjetër atlet kuqezi, David Nikolli, i rikthyer në Kombëtare pas një shkëputje disavjeçare. Nikolli fitoi dje medalje argjendi në disiplinën e 3000 metrave, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë. Ai e ndali kronometrin në kohën 8:07.37, për të merituar vendin e dytë në Ballkanik. Izmir Smajlaj e mbylli konkurrimin e tij në këtë aktivitet në vendin e tetë, teksa regjistroi rezultatin 7.53 metra në garën e kërcimit për së gjati. Shqipëria përfaqësohej në Ballkanik me tetë sportistë gjithsej, por Franko Burraj, Kolindo Kiri, Elisa Myrtollari, Relaksa Dauti dhe Livia Topi nuk arritën që të linin gjurmë, duke mos mundur që të futeshin në “top-10” në garat e tyre respektive.

Artikulli paraprakRezoluta e PS/ Marinela Ziu: Nuk ka lidhje me antikorrupsiosnin! E vetmja zgjidhje kundër korrupsionit është SPAK
Artikulli tjetërSa shqiptarë jemi? Drejtoresha e INSTAT zbulon afatin se kur do të publikohen të dhënat e Censit