Atletiko e Madridit vazhdon të humbasë terren në garën për zonën Champions në Primera Division. Skuadra e Simeones u mund 3-0 nga Villarreal në një sfidë direkte për Europën mes dy ekipeve duke treguar dhe një herë paqëndrueshmëritë e mëdha që e kanë karakterizuar në këtë sezon. “Los Colchoneros” vuajtën sërish në mbrojtje, atë që ka qenë reparti i tyre më i fortë duke u ndëshkuar dy herë që në pjesën e parë, me “Nëndetësen e Verdhë” që diti të dalë në sipërfaqe atëherë kur ishte e nevojshme. Në “El Madrigal” vendasit zgjidhën ndeshjen në 10 minuta, me Trigueros që ishte i pari që ngriti siparin e golave në të 28-tën.
10 minuta më pas Villarreal mbylli ndeshjen me Dos Santos që u gjend në vendin e duhur për të devijuar për në rrjetë golin e 2-0. Në pjesën e dytë Atletiko u përpoq të rihapte ndeshjen, me Juan Fran apo Antoine Griezmann, por Villarreal jo vetëm që mundi të ruajë mjaft mirë rezultatin, por gjithashtu arriti të shënojë dhe golin e 3-të me Sorianon duke i bërë mbylljen më të mirë të mundshme kësaj sfide.