Lewa tek Bayern deri më 2021

Robert Lewandowski rinovoi me Bajernin e Mynihut. Sulmuesi polak ka zgjatur dhe për dy vite të tjera kontratën e tij me bavarezët. Marrëveshja aktuale e Leëandoëskit me kampionët e Gjermanisë përfundonte në vitin 2019, ndërsa kontrata e re parashikon një zgjatje deri në vitin 2021. Rinovimi i polakut është dhe një sinjal i qartë, se ai nuk do të largohet nga “Allianz Arena” pavarësisht se vitet e fundit kërkesat për të kanë qenë të shumta. Lewandowski firmosi me Bajernin në 2014-ën dhe ka qenë sulmuesi kryesor i skuadrës që nga ajo periudhë.
28-vjeçari vjet realizoi 30 gola me bavarezët, duke qenë dhe kryegolashënues i Bundesligës, ndërsa në total në kampionat numëron 58 gola në 77 ndeshje. Falë realizimeve të tij në fundjavë Bajerni mundi 5-0 Wolfsburgun me Lewn që arriti kuotën e 11 golave në këtë kampionat. Falë këtij suksesi, Bajerni është dy fitore larg shpalljes kampion i dimrit në Bundesliga. Dy sfidat e fundit për këtë vit për bavarezët do të jenë ndaj Darmstadtit dhe ndaj Leipzig në javën e 17-të. Vetë Lewandowski u shpreh mjaft i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe faktin që do të qëndrojnë dhe për disa vite të tjera në “Allianz Arena” me besimin se do të dhurojë sërish gola të shumtë për tifozët e klubit gjerman. Pasi hodhi të zezën mbi të bardhë, sulmuesi tha: “Bayern me jep gjithçka që duhet për të realizuar ëndrrat e mia. Sfida të reja na presin! MiaSanMia”
Për rinovimin me Lewa-n foli edhe Shefi Ekzekutiv i Bayern, Rummenigge: “I lumtur që rinovuam me një sulmuesit më të mirë në botë dhe që do të jetë pjesë e skuadrës për shumë vite të tjera”.

Ironik me “Topin e Artë”
Sigurisht që Robert Lewandowski nuk priste të fitonte “Topin e Artë”, por mënyra e votimit dhe rezultatet përfundimtare i kanë bërë jo pak përshtypje bomberit polak. Nëpërmjet rrjetit social Twitter, sulmuesi i Bayernit të Mynihut ka ironizuar dhe ka shprehur zhgënjimin për mënyrën se si rrodhën gjërat. Vetëm tre vota të marra dhe vendi i 16 për numrin 9, i cili mendon se është vlerësuar pak për kontributin që ka dhënë në vitin 2016 me 26 gola të shënuar në 30 ndeshje të kampionatit, por edhe 7 në Champions League, 5 në Kupën e Gjermanisë dhe 8 me Poloninë.
Në total 46 gola dhe të arrish të bësh më mirë për një lojtar të nivelit të tij është shumë e vështirë. Fillimisht, ai ironizoi thjesht me disa ikona, ndërsa pak minuta më pas e cilësoi një kabare atë që po ndodhte. Disa prej ndjekëseve e çuan edhe më tej nivelin e ironisë, duke i kujtuar se gjatë vitit 2016 nuk arriti të shënonte 5 gola në 9 minuta siç bëri në 2015-ën, ndërsa disa të tjerë e pyetën nëse vërtet Pepe, Vidal dhe Rui Patricio grumbulluan më shumë vota se ai. Një fakt interesant është se Lewandowski u rendit edhe pas Aubameyang, të cilin e la pas në klasifikimin e golashënuesve gjatë sezonit të fundit. Në një intervistë të shkurtër, edhe agjenti i tij Maik Barthel ishte polemik, duke vënë në dyshim nëse votimi bëhej nga njerëz ekspertë apo nga patriotë francezë, pasi edhe francezët Pogba e Griezmann u renditën gjithashtu përpara polakut.

Artikulli paraprakVillarreal “fundos” Atletiko Madrid
Artikulli tjetërQetësohen te Milani, mbërrijnë 100 milionë euro të tjera nga Azia