Denoncimi i anëtares të Kryesisë së PD, Marinela Ziu dhe ing. Azmer Duleviç: Ndërtimet pa kriter në Tiranë u rritën me 12,8% gjatë vitit të shkuar. Mungesa e kushteve merr jetë punëtorësh!
Drejtuesja e Departamentit Anti-Korrupsion në PD, Marinela Ziu dhe Inxhinieri, Azmer Duleviç, në një deklaratë për mediat kanë denoncuar ndërtimet pa asnjë kriter në kryeqytet dhe mungesën e kushteve për punëtorët. Ziu shprehet se Bashkia Tiranë vazhdon të firmosë kulla e komplekse shumëkatëshe në të gjithë kryeqytetin dhe se vetëm gjatë vitit të shkuar janë miratuar 1.602 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, ose 12,8% më shumë se në vitin 2022. Ajo më tej thotë se “Bashkia e kryeqytetit është lavatriçja më e madhe e pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar në ndërtim, ku sipas Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, rreth 60% e kompanive të ndërtimit nuk justifikojnë burimet financiare”.
Ndërsa inxhinieri Azmer Duleviç, ngriti shqetësimin e mungesës së sigurisë në punë dhe mungesën e plotë të kontrollit dhe inspektimit të kushteve të sigurisë në punë nga ana e shtetit. Kjo neglizhencë sipas tij, ka marrë jetë punëtorësh dhe vetëm gjatë këtij muaji, 5 persona kanë gjetur vdekjen pasi janë aksidentuar në vendin e punës.
DEKLARATA E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT ANTI-KORRUPSION, MARINELA ZIU, DHE INXHINIERIT, AZMER DULEVIÇ
Marinela Ziu – Anëtare e Kryesisë dhe Drejtuese e Departamentit Antikorrupsion në Partinë Demokratike
Bashkia Tiranë, megjithë premtimet elektorale për të ndalur lejet e ndërtimit, vazhdon të firmosë kulla e komplekse shumëkatëshe pa asnjë kriter në të gjithë kryeqytetin.
Vetëm gjatë vitit 2023, janë miratuar gjithsej 1.602 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1.420 leje ndërtimi të miratuara në vitin 2022, duke shënuar një rritje prej 12,8%.
Rritja e lejeve të ndërtimit faktohet nga rritja e arkëtimeve nga taksa e ndikimit në infrastrukturë me 28.3% në vitin 2023 krahasuar me një vit më parë, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.
Sipas INSTAT, në 2 vitet e fundit Bashkia e Tiranës ka dhënë 3.2 milionë m2 për ndërtim, që përbën 67% të totalit të lejeve të dhëna në të gjithë Shqipërinë. Për gjithë periudhën 2017-2023, janë dhënë një rekord prej 9 milionë metra katrorë sipërfaqe për ndërtim.
Vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë edhe në vitin 2024 dhe 2025, teksa Bashkia parashikon rreth 62 milionë euro të ardhura për secilin vit.
Bashkia Tiranë është lavatricja më e madhe e pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar në ndërtim, ku sipas Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar, rreth 60% e kompanive të ndërtimit nuk justifikojnë burimet financiare, ndërkohë që vetëm për periudhën 2017-2019 janë pastruar në ndërtim 1.6 miliardë euro, gati sa 1/3 e buxhetit vjetor të Shqipërisë
Së fundmi, Parlamenti si noter i interesave të oligarkëve miratoi ligjin për kalimin e pronave shtetërore privatit, në shkelje të rregullores së Kuvendit, pa asnjë analizë dhe pa konsultim publik, pa asnjë kufizim për pronat shtetërore, madje edhe ato të vendosura në pozicione strategjike dhe duke i dhënë një pushtet absolut cdo institucioni qendror dhe vendor në transferimin, shitjen në ankand, shkëmbimin dhe shëmbjen në favor të interesave të privatit. Në vijim të 14 ligjeve më porosi, Parlamenti i hapi rrugën klientelizmit dhe korrupisionit nëpërmjet ndërtimit në prona shtetërore në qëndër të Tiranës dhe gjithë rivierën shqiptare.
Partia Demokratike denoncon me forcë nivelin e lartë të korrupsionit me ndërtimet ku sipas të gjitha raporteve rezulton se pastrohen paratë e pista të përfituara nga aktiviteti kriminal brenda dhe jashtë vendit.
SPAK, të cili Partia Demokratike e mbështet pa asnjë rezervë duhet të hetojë në mënyrë të plotë këtë skemë pastrimi të parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar nëpërmjet ndërtimeve të firmosura pa asnjë kriter nga bashkia e Tiranës.
Deklarata e Ing. Azmer Duleviç
Mungesa e sigurisë në punë dhe munesa e plotë e kontrollit dhe inspektimit të kushteve të sigurisë në punë nga ana e shtetit, ka marrë sërish jetë punëtori në Tiranë.
Vetëm gjatë këtij muaji, 5 persona kanë gjetur vdekjen pasi janë aksidentuar në vendin e punës.
Sipas të dhënave, sektori i ndërtimit është shumë problematik ku nuk zbatohen rregullat e sigurisë në punë dhe institucionet janë inekzistente.
Tirana si vendi me më shimë aktivitet ndërtimi ka numrin më të lartë të punëtorëve të aksidentuar.
80 për qind e këtyre rasteve lidhen me mungesën e kushteve të sigurisë së shëndetit në vendin e punës ku sektori i ndërtimit është më problematiku, si pasojë e mungesës së skelave, pajisjeve mbrojtëse kolektive dhe individuale.
Sipas një raporti të vitit 2023 të Inspektoratit të Punës, 168 punëtorë kanë pësuar aksident në vendin e punës nga të cilët 30 kanë humbur jetën. Ndërsa gjatë vitit 2023 ISHPSHSH ka regjistruar gjithsej 218 raste për aksidente në punë. Inspektoriati i punës ka dështuar në rolin e tij dhe shërben vetëm si degë e Partisë Socialiste me 99 inspektor në të gjithë vendin!
Partia Demokratike është e vendosur që do të denoncoj çdo rast abuzimi ku rrezikohet jeta e qytetarëve tanë dhe do të ketë një program të qartë elektoral si ta vitalizojë këtë sektor.