Shqipëria do të hapë dyert vitin e ardhshëm për dy turne të rëndësishëm në rang kombëtaresh. Bëhet fjalë për eliminatoret e Europianit U-17 dhe U-19 që do të luhen të gjitha në vendin tonë. Gjatë shortit të hedhur në Zvicër, kuqezinjtë e të dyja grupmoshave kanë mësuar emrat e kundërshtarëve. 19-vjeçarët janë shortuar në Grupin 12 bashkë me Ukrainën, Malin e Zi dhe Norvegjinë. Turneu eliminator do të zhvillohet nga data 4 deri në 10 tetor të vitit të ardhshëm. Ky do të jetë turneu i parë zyrtar për trajnerin Erjon Bogdani, i cili u ul në stolin e 19-vjeçarëve vetëm pak ditë më parë.
Ndërkohë, 17-vjeçarët e Xhemal Mustedanagiç janë shortuar në Grupin 2 dhe do të presin në vendin tonë Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin në datat 19 deri në 25 tetor. Një grup mjaft i vështirë ky për skuadrën e drejtuar nga trajneri boshnjak, ku iberikët dhe kroatët vlerësohen si favoritë për t’u pozicionuar në dy vendet e para, të cilat sipas rregullores garantojnë edhe kualifikimin në “Elite Round”. Në fazën tjetër të turneut, do të kalojnë edhe 4 ekipe të vendeve të treta, bazuar në ecurinë që do të kenë në ndeshjet direkte me skuadrat kryesuese të grupeve.
Në shortin e hedhur në selinë qëndrore të UEFA-s, mes 52 nga 54 vendet anëtare ishte edhe përfaqësuesja e 17-vjeçarëve të Kosovës, e cila do të debutojë në kualifikueset e kësaj grupmoshe. E pozicionuar në vazon e katërt, me një koeficient të ulët, shorti vendosi që Kosova të luajë në Grupin 9 me kundërshtarë mjaft të vështirë, si Holanda, Uellsi dhe Hungaria. Ndeshjet kualifikuese do të luhen gjatë vjeshtës së ardhshme, duke nisur prej datës 19 nëntor 2017.