Nuk kanë të sosur lajmet e këqija për Atleticon e Madridit. Pas disfatës 3-0 të pësuar në “El Madrigal” nga Villarreali, mediat spanjolle bëjnë të ditur se Jan Oblak, portieri titullar i Atleticos duhet të operohet në shpatullën e majtë dhe do të jetë i padisponueshëm për 3 deri 4 muaj. Jan Oblak do të humbasë në këtë mënyrë me siguri etapën e parë të raundit të dytë të Champions, kundër Bayer Leverkusen në 21 shkurt dhe ndeshjen e 5 ditëve më pas me Barcelonën.
Oblak u dëmtua të hënën në ndeshjen me Villarrealin. Sllovenit iu desh të linte fushën në “El Madrigal” në minutën e 38-të, pasi nuk grushtoi si duhej një krosim të Patos. Slloveni u shtri në tokë, ndërsa dukej se kishte dhimbje dhe u vendos menjëherë të zëvendësohej. Më pas u dërgua në spital ku siç bën të ditur “Cadena Ser” u konstatua se ka nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale në shpatull, ndërsa Atletico pret ekzaminime të tjera mjekësore për të përcaktuar kohën e saktë të rikuperimit. Mediat iberike japin të sigurt ndërkohë se Oblak do të humbasë minimumi 13 ndeshje në rastin më të mirë të mundshëm, nëse ia arrin të jetë gati pas 3 muajsh.