Me rezolutën e Ramës sfidohet vetëm SPAK-u

Nga Agim Baçi

Edi Rama ka vendosur t’u kërkojë zyrtarëve të emëruar prej tij që të jenë më të ndershëm, të mos korruptohen më, sepse do hyjmë në BE…. Një veprim i tillë, me një rezultotë antikorrupsion që u miratua sot në Kuvend, është një tallje jo e thjeshtë. Eshtë një tallje e arrirë e Ramës. Kjo edhe për faktin se, teksa nuk ka dhënë asnjë llogari në këto 11 vite qeverisjeje për asnjë nga bashkëpunëtorët e tij të dënuar apo nën hetim, pasi ka bërë gjithçka që të pengojë komisionet hetimore, pasi ka zhvlerësuar Kuvendin të cilin e ka bojkotuar dhe injoruar, pasi ka ngritur në piedestal patronazhistët që funksionojnë si ish sigurimsat e diktaturës, Rama mendon tashmë se kjo është çështje që kalohet thjesht me një rezolutë.
Po kujt iu drejtua Rama me këtë rezolutë? Kush e ndaloi të zbatonte ligjet që vetë ka miratuar? Cili e shtyu të mbronte aferën e inceneratorëve edhe pasi ndaj saj nisi hetim? Me cilin argument e mbrojti Tahirin, Dakon, Rroshin, Ahmetajn, Beqajn e zyrtarë të tjerë edhe kur ishin nën akuzë. Cili është shfajësimi i tij për Ndokat e Rrajat, që lidhur me pushtetin e tij kanë ndërtuar një shtet paralel, duke vrarë e pushtuar ekonominë?
Për fat të keq, disa deputetë të opozitës, që votuan amnistinë penale duke përfshirë edhe lirimin e mbi 100 zyrtarë të dënuar nga SPAK, duhet të ishin sot të turpëruar, pasi vetëm për t’u njohur si palë përballë Ramës pranuan të lirohen të dënuarit për korrupsion.
…Rama e kaloi rezolutën. Mazhoranca duartrokiti. Në fakt nuk kish pse mos ta duartrokiste- fundja, me rezolutë askush nuk dënohet askund. Me rezolutë sfidohet vetëm SPAK dhe çdokush që e do ende këtë vend dhe mendon e punon për të jetuar këtu…

Artikulli paraprakRriten tatimet për pagat mesatare, ja sa shkojnë
Artikulli tjetërLufta në Lindjen e Mesme/ Rrjeti më i madh humanitar në botë bën thirrje për armëpushim: Situata në Rafah, mizore!