GJKKO-së i shtohen dy gjyqtarë, kush janë magjistratët që u shkarkuan nga KPA, por u rikthyen në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit

Dy gjyqtarët iu nënshtruan procesit të vettingut dhe u shkarkuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Por, ata ankimuan vendimin e KPA dhe u rikthyen në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelit.

Rikthimi në detyrë i gjyqtarit Bib Ndreca

Kolegji i Posaçëm i Apelimit riktheu në detyrë pak ditë më parë, më 22 maj, gjyqtarin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Bib Ndreca. Sipas KPA, vendimarrja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e Ndrecës nuk ishte i bazuar dhe duhej ndryshuar, raporton BIRN.

KPK vendosi më 18 janar 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Bib Ndreca, pasi nuk u konsideruan bindëse shpjegimet subjektit për të ardhurat e vëllait, i cili i kishte dhënë një hua për blerjen e apartamentit. Po ashtu, u konstatuan probleme në kontratën për kalimin e të drejtave për apartamentin, pasi u konstatuar se nënshkrimi i kontratës ishte bërë në mungesë të palës tjetër.

Ndreca e ankimoi në Kolegj vendimarrjen e KPK, duke pretenduar se prej akteve të administruara provohej se nënshkrimi ishte kryer para noterit nga të dy palët në të njëjtin moment.

Po ashtu, Ndreca e cilësoi të padrejtë konstatimin e KPK se kishte ndryshuar deklarime për burimin, duke argumentuar se gjatë shpjegimeve kishte sqaruar se burim përbënte dhe vlera e dividentit të shoqërisë së të vëllait. Ai nënvizoi se kiste deklaruar huanë e marrë nga vëllai, të dokumentuar me akt të kohës, si dhe se huadhënësi kishte pasur në arkën e shoqërisë së tij vlerën 5.8 milionë lekë që mbulonte huanë 5.5 milionë lekë.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Sokol Çomo deklaroi se është vlerësuar se Ndreca ka provuar bindshëm marrëdhënien e huasë në vlerën 5.5 milionë lekë me të vëllanë në momentin e krijimit të kësaj pasurise, sikurse dhe kredinë 37 mijë euro të përdorur për shlyerjen e këtij borxhi. Çomo solli në vëmendje kontratën e huasë të vitit 2012, si dhe deklaratën periodike e atë “veting”, në të cilat është pasqyruar marrdhëniea e huamarrjes nga subjekti.

Sipas KPA, nga aktet e administruara në fashikull rezulton se huadhënësi ka disponuar sasi të konsiderueshme likujditetesh si ortak i vetëm i shoqërisë së tij, si dhe se ka ndërthurur interesat financiare individuale me ato të kompanisë.

“Në funksion të verifikimit të burimit të huasë së deklaruar në deklaratën ‘veting’, trupi gjykues pati në konsideratë burimet e mundshme financiare në dispozicion të personit të lidhur, në një periudhë të afërt kohore me dhënien e huasë, përfshirë këtu tërheqjen e dividentit në vitin 2011, pagat e përfituara si dhe të ardhurat e shoqërisë, që mundësojnë huadhënien e vlerës 5.5 milionë lekë në datën 29 maj 012, edhe pa përfshirë të dhënat individuale të vëllait”, tha ndër të tjera kryesuesi Çomo.

Kolegji vlerëson se parregullsitë në dukje në evidentimin e pasqyrimit të likujditeteve dhe lëvizjes mes ortakut dhe shoqërisë i atribuohen huadhënësit.

Sipas KPA, rezulton se subjekti ka marrë gjithë hapat e nevojshëm për të përmbushur detyrimin e tij si subjekt deklarues e më pas si subjekt rivlerësimi – në kushtet kur transaksionet kanë lënë gjurmë dhe janë të dokumentuara me akte të kohës.

Për këto arsye, vlerëson se dhe nëse ka pasur mungesa evidentimi apo parregullsi të pasqyrimit të likujditeteve nga huadhënësi, ngarkimi përgjegjësisë për këto rrethana gjyqtarit Ndreca, do të ishte disporporcional dhe se shkon përtej qëllimit të ligjbërësit. KPA konkludon se huadhënësi ka pasur burime të ligjshme për shumën 5.5 milionë lekë.

Kolegji u shpreh edhe lidhur me kundërshtimin e subjektit të konstatimit të Komisionit për veprime aktive në mungesë të palës tjetër gjatë nënshkrimin të kontratës së shitblrjes së apartamentit. Sipas KPA, Komisioni nuk rezulton ta ketë shoqëruar këtë konstatim me një pasojë konkrete.

Në përfundim, Kolegji vlerësoi se vendimi i KPK për Ndrecën nuk ishte i bazuar dhe e ndryshoi, duke e rikthyer në detyrë këtë subjekt rivlerësimi.

Rikthimi në detyrë i gjyqtarit Ardit Mustafaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të mërkurën se kishte vendosur rikthimin në detyrë të gjyqtarit Ardit Mustafaj në 21 shtator 2022. Shumica në KPA arsyetoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarit ishte marrë “në vlerësim jo të saktë të faktit”, raporton BIRN.

Trupa gjyqësore e udhëhequr nga Alban Shylla, me gjyqtaren Ina Rama si relatore dhe anëtarë gjyqtarët Sokol Çomon, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj, gjeti fillimisht se Komisioni që kishte vendosur shkarkimin e Mustafajt në 5 mars 2020, kishte kryer shkelje procedurale.

Shtylla lexoi se në dosjen e paraqitur në Kolegj pas vendimit të KPK mungonin akte dhe se ajo kishte qenë e pa plotë. Kolegji në vendim të ndërmjetëm arsyetoi se për të sqaruar situatën seanca duhej të ishte publike dhe Mustafajt iu dha mundësia të dëgjohej e të jepte shpjegime.

Kolegji më pas arsyeton se qëndrimet e trupës së KPK-së së kryesuar nga Firdes Shuli me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Olsi Komici, ndaj disa pasurive të Mustafajt ishin të pasakta dhe në zbatim të gabuar të dispozitave ligjore. Sipas Kolegjit një shtëpi në Sarandë ishte cilësuar e përfunduar nga KPK, por që bazuar në prova kishte qenë karabina në momentin kur ishte shitur.

Pas rishqyrtimit shumica në KPA edhe pse gjeti disa mangësi në të ardhurat e gjyqtarit, vlerësoi se në proporcionalitetit ato nuk sillnin shkarkimin. Mustafaj ishte vlerësuar pozitivisht në kriteret e figurës dhe profesionalizmit.

Ardit Mustafaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Prej vitit 2003, ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në dhjetor 2019, Mustafaj u emërua përkohësisht gjyqtar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Artikulli paraprakPD zyrtare, e vetmja parti që artikulon ide politike me vlerë publike
Artikulli tjetërAlbin Kurti pritet në Ankara nga Erdogan, publikohen pamjet e takimit