Analisti Fitim Zekthi u shpreh në rubrikën “Opinion” në News24 se legjitimiteti i drejtimit të PD-së i takon grupimit të drejtuar nga Lulzim Basha.
Zekthi tha se grupimi i drejtuar nga Sali Berisha është në kundërshtim me çdo normë dhe ligj.
“Shumicat nuk janë statike. Nëse mendoni se shumica është kjo, atëherë pse duhet të bëjmë zgjedhje?
Mendoj se legjitimiteti i PD i përket Lulzim Bashës. Grupimit të Rithemelimit nuk i takon logo dhe vula e PD-së. Janë një grupim që u mblodhën në një stadium, që bënë sjellje bolshevike, që sulmuan selinë, që uzurpuan selinë e PD-së”, tha Zekthi.
Sipas tij, nëse në Shqipëri ka mbetur një fije drejtësie, atëherë vendimi i 11 qershorit duhet të jetë në favor të grupimit të Lulzim Bashës.
“Pavarësisht gjithçkaje ne duhet të presim vendimin e Gjykatës dhe unë do e respektoj atë pavarësisht se çfarë do të vendoset”, tha analisti.
Lidhur me turin e Kryeministrit Edi Rama në diasporë, Zekthi tha se kjo dëshmon krizën ku ndodhet ai.
“Rama ka dështuar në çdo aspekt, por po tregon forcën me takime të tilla, duke i organizuar në stadiume apo pallate sporti. I gjithë ky lloj çekujlibrimi e bën Kryeministrin të dalë nëpër Botë. Rama ka nisur fushatën elektorale me takime të tilla”, tha Zekthi.