S’ka shpërblim për festat e fundvitit, mësuesit në protestë

Mungesa e shpërblimit të fundvitit është një ndër arsyet kryesore që do t’i mbledhë mësuesit e Tiranës, por edhe të rretheve përpara godinës së Ministrisë së Arsimit të premten, në orën 14:00.
Disa kërkesa kryesore, që ia kanë përcjellë më herët në një letër ministres Lindita Nikolla, veçanërisht në lajmërimin e tyre, Sindikata e Pavarur e Arsimit rendit një sërë kërkesash: shpërblimi i fundvitit, respektimi i normave të punës, pagesa e orëve mbi normë, qëndrueshmëria e reformave, transparenca në emërime, vendime, kurrikula e të tjera.
Me disa prej tyre, Ministria e Arsimit është njohur nëpërmjet një letre të nisur që më 22 nëntor, ku Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë konstaton se partneriteti me MAS nuk po funksionon siç është parashikuar në kontratën kolektive të punës. Nisur nga kjo, parashtrohen disa shqetësime që kërkojnë zgjidhje:
1. Formatizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Arsimit parauniversitar dhe të këshillave vendorë të arsimit parauniversitar.
2. Pagesa e transportit të mësuesve, duke e llogaritur largësinë e vendit të punës nga qendra e njësisë administrative ku banojnë.
3. Pagesa e orëve mbi normë, të provimeve të fundvitit, të maturës shtetërore e të tjera.
4. Shpërblimi prej 10 mijë lekësh për çdo mësues në fund të vitit si detyrim ligjor që rrjedh nga
Kodi i Punës, neni 114, pika 2 dhe neni 10.11 i kontratës kolektive të punës.
Protestat e vazhdueshme e madje edhe bojkoti i mësimit janë dy mjetet që sindikata ka përdorur që zëri i mësuesve të dëgjohet. Shpesh ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre në formë shkresash ministrisë apo edhe i kanë shprehur në komisione parlamentare. Të parët që u prinë protestave në rang vendi ishin mësuesit e Shkodrës, të cilët protestuan një ditë më parë përpara shkollave. Ata pretendojnë se shpërblimi i fundvitit është paracaktuar në buxhet dhe nuk është dhënë që prej më shumë se tri vitesh. Përpara pak ditësh, Ministria e Arsimit u ka nisur të gjithë mësuesve një letër për fundvitin, në të cilën i uron e i motivon ata për punën e tyre.

Artikulli paraprakPolicia në aksion për të mbushur arkën e shtetit, në 1 orë, 1500 gjoba
Artikulli tjetërVrasja në Sarandë, lirohen të shoqëruarit, autorët ende të lirë