Ndonëse dy ditë nga vrasja e Agron Xhezairit, babai i të shumëkërkuarit nga policia Albi Xhezairi, i cili akuzohet për vrasjen e Aleksandër Bardhit, ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen. Burime zyrtare nga Policia e Ksamilit bënë të ditur se të gjithë personat e shoqëruar dje, mes të cilëve dhe familjarë të Aleksandër Bardhit, të cilët u morën në pyetje dhe janë lënë të lirë. Të njëjtat burime theksuan se nuk ka asnjë të shoqëruar aktualisht në komisariat.
Hetimet që po bëhen nga policia në lidhje me vrasjen e Agron Xhezairit, kanë dalë në përfundimin se autorët mund të jenë vrasës me pagesë. Vrasja e babait të Albi Xhezairit, i cili është i shpallur në kërkim si i dyshuar në vrasjen e Aleksandër Bardhit në Sarandë, ndodhi mbrëmjen e 2 ditëve më parë, ndërsa nuk ka asnjë person të ndalur.
Dyshohet se autorët e ngjarjes së rëndë, pas krimit janë larguar për në Greqi, për shkak edhe të afërsisë së zonës me kufirin. Nga dëshmitë e marra mësohet se kanë qenë më shumë se dy persona në këtë krim, por vetëm një person ka qëlluar ndaj Xhezairit.
Krimi i rëndë ndodhi të dielën ku 53-vjeçari Agron Xhezairi është vrarë me breshëri arme, ndërsa burime të BalkanWeb thonë se ka dyshime të forta që vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje, pasi djali i tij është personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator në fshatin Shëndëlli. “Rreth orës 17:40, është qëlluar me armë zjarri një shtetas, i cili ka gjetur vdekjen.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se në fshatin Ksamil të Sarandës, persona të pa identifikuar ende kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin A.Xh., rreth 53 vjeç, banues në Ksamil, i cili për shkak të plagëve të marra në trup ka ndërruar jetë disa minuta më vonë.
Ngjarja ka ndodhur në oborrin e banesës së këtij shtetasi, ku dyshohet se krimi është kryer me armë zjarri të llojit “Automatik”.