Nga Azgan Haklaj
80 vjetori i masakrës greke kundër popullsisë çame me dt 27 qershor 1944 ku u dëbuan e u masakruan rrugës mijëra vetë është jo vetëm një moment komemoracioni por së pari një shkas për një refleksion të thellë e serioz nga cilido shqiptar e sidomos nga politika.
Çamëria pësoi një genocid masiv, të organizuar e orkestruar nga shteti dhe kisha greke duke futur në lojë edhe banda andarte e pashpirt duke realizuar një Holokaust të dytë në zemër të kontinentit.
Historia deshmon se kjo masakër nuk ishte një rast i vetmuar por sistematik filluar që nga Konferenca e Londres e vitit 1913-të e cila padrejtësisht shkeputi nga trupi i kombit trojet etnike të Çamerisë.
Kjo fushatë kundër popullsisë çame u bë një rit i përditshëm e i përvitshëm për të kulmuar në vitet 40-të ku 5000 burra çam u burgosën u torturuan e u syrgjynosen në ishujt e Egjeut me fuqinë e ushtrisë greke dhe vendimin e Dhespotit të Janinës Spiridoni.
Masakra e 80 viteve më parë ku u masakruan mijëra vetë me dt 27 qershor 1944 është makabriteti më i tmerrshëm dhe për koinçidencë e njëjta strategji pothuajse në të njëjtën kohë ndiqej nga sllav -ortodoksia paralelisht me shqiptarët e Malit të Zi në masakrën e Bihorit e 5 janarit – 7 shkurt e vitit 1943 ku u vranë mijëra vetë dhe Kosovës ku u vranë mizorisht mijëra shqiptarë në Masakrën e Tivarit në prill të vitit 1945.
Si genocidi ashtu dhe deportimi i shqiptarëve të Çamërisë e Malit të Zi e Kosovës është me regji identike.
Ndërsa Drazha Mihajlloviçi masakronte shqiptarët e Malit të Zi, Napoleon Zerba masakronte e deportonte drejt Turqisë shqiptarët e Çamerisë, Vasa Çubriolloviçi me plan akademik materializonte torturën, vrasjen dhe deportimin e shqiptarëve të Kosovës.
Fakte, data e shifra ka plot dhe secila me rrënqethëse per fatin e shqiptarëve të Çamerisë.
Por megjithëse është fisnike dhe e ligjshme ti kujtojmë me veneracion nuk është gjithmonë rasti vetem të vajtojmë.
Është koha jonë e artë të veprojmë.
Të veprojmë me diplomaci e drejtësi, aty ku duhet e ku na shkon fjala jo vetëm individualisht por shtetërisht.
Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe duhet të ngremë me oshëtime zërin tonë për çështjen çame sikundeër edhe për abrogimin e ligjit absurd të luftës të vendosur nga Greqia që nga viti 1949-të.Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet ta kthejë në prioritet studimin dhe reagimin ndaj kësaj masakre të padegjuar në kontinent.
Politikanët e sidomos shtetarët nuk duhet të nërpërdhëmbin çështjen çame vetëm për mashtrime e miklime elektorale.
Jo!
Ajo është në themelin e dinjitetit dhe krenarisë sonë nacionale ndaj duhet të flitet e të përballemi me agresivitet diplomatik në të gjithë institucionet e gjykatat relevante ndërkombëtare.
Çamëria nuk është thjesht një kujtim i dhimbshëm i të shkuarës por një plagë që kullon akoma gjak të pafajshëm e një zemër shqiptare që rënkon dhe apelon.
Asnjëherë nuk vjen një kohë më e mirë për ne…le ta shfrytëzojmë kohën tonë për drejtësinë tonë.