Stadiumi i Krujës si gërmadhë, kalojnë pesë vite nga premtimi e puna për rindërtim

Prej pesë vitesh Kastrioti ndjen mungesën e shtëpisë, pasi stadiumi i tyre kanë dalë jashtë funksionit. Fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019, kandidati që garoi i vetëm dhe fitoi zgjedhjet, Artur Bushi, urdhëroi fadromat për të prishur tapetin e stadiumit, por dhe pjesën perëndimore të tribunës me premtimin se do të rindërtohej një stadium i ri.

 

Kjo gjë ka pesë vite që mbetet në pritje, pasi jo vetëm që nuk ka rehabilitim të stadiumit, por ambienti i brendshëm është kthyer në kullotë për bagëtitë. Ndërhyrjet fillestare prishën edhe funksionalitetin e fushës. Për pasojë, ekipet e moshave në Krujë që stërviteshin aty, një pjesë u shkrinë, ndërsa ato që mbetën stërviten 10 km larg, në Fushë-Krujë. Problematikat që ka shkaktuar kjo prishje e stadiumit janë të shumta, por dëmi më i madh rëndon te ekipi i Kastriotit, që i është dashur për 5 sezone rresht të luajë sa në një stadium në tjetrin, në Kamëz, Elbasan e së fundi në Fushë-Krujë.

Kjo përkthehet në kosto shtesë për klubin, që veç të tjerëve i janë larguar dhe tifozët vendas. Ana tjetër e medaljes me ndërhyrjet që u bënë para pesë viteve kanë të bëjnë me pamjen aktuale të stadiumit dhe fushës, që duket si një ngrehinë. Vendndodhja e stadiumit është në hyrjen e qytetit. Kruja si një qytet historik vizitohet nga shumë turistë të huaj dhe vendas, kështu që ky imazh i shëmtuar i stadiumit  bie në sy për keq te turistët e shumtë që vizitojnë qytetin muze të Krujës.

Dhe ajo që i vë vulën këtij problemi është heshtja totale e Bashkisë Krujë, Klubit Kastrioti dhe FSHF-së si organi që përgjigjet për mbarëvajtjen dhe krijimin e kushteve për ecurinë e këtij sporti kaq popullor në Shqipëri. Mbetet për të parë se cila do të jetë e ardhmja e stadiumit dhe vetë skuadrës së futbollit të Kastriotit, që prej vitesh vetëm nxjerr të ardhura nga xhepi për të përmbushur procesin stërvitor, si dhe për të organizuar ndeshjet si pritës.

Arapi- Sa i përket skuadrës që mbylli sezonin e fundit, duke e siguruar mbijetesën me vështirësi, gjithçka është në fazë pushimesh. Për momentin në kampin krutanë flitet vetëm për largime. I fundit që është lakuar si largim nga krutanët është sulmuesi Zasjar Arapi, i cili me largimin e tij e thellon edhe më shumë “gropën” në fazën ofensive të Kastriotit.

Artikulli paraprakRastet e kancerit po rriten më shpejt te grupmoshat e reja. Ja çfarë zbulon studimi i ekspertëve
Artikulli tjetërÇollaku publikon foton e makinës së pëmbysur në rrugën e Arbrit: Ky aks mbetet rrezik për banorët e Dibrës