NGA BESART LOGU
Ditët e fundit, kreu i Partisë Demokratike z.Lulzim Basha, ka shfaqur ambicien e tij personale por dhe sipërmarrjen e partisë që drejton, se brënda mandatit të parë qeverisës do të liberalizojë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Padiskutim që një deklaratë e tillë ngjalli reagim, diku nga mosdija e diku nga vullneti i keq për ta sfumuar një nismë sa të guximshme nga ai që e premton aq dhe të shumëpritur nga ata që ndër breza kanë jetuar me “American Dream”.
Programi për heqjen e vizave (Visa Waiver Program), i administruar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) në konsultim me Departamentin e Shtetit, lejon qytetarët e vendeve të huaja të udhëtojnë pa viza drejt Shteteve të Bashkuara për biznes ose turizëm, për afate qëndrimi deri në 90 ditë. Ky program daton që prej vitit 1986 dhe sot numërohen 41 vënde të cilat lëvizin të lirë njësoj si në zonën shengen. VWP përdor një qasje të bazuar kryesisht te siguria, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e personave të përfshirë në terrorizëm, në krime të rënda dhe aktorë të tjerë që udhëtojnë drejt SHBA për qëllime dashakeqe.
Kërkesat fillestare që duhen përmbushur për heqjen e vizave përcaktohen në seksionin 217 të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë, i ndryshuar nga Akti i Sigurisë i Partneritetit të Udhëtimit dhe Kundërterrorizmit i vitit 2007. Referuar këtyre akteve, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, mund të caktojë në VWP një vend që përmbush një sërë kërkesash të cilat lidhen me luftën kundër terrorizmit, zbatimit të ligjit, kontrollit të emigracionit, sigurisë së pasaportave dhe aftësisë në menaxhimin e kufirit. Standarte këto të cilat edhe pse arrihen fillimisht, kalojnë në proces verifikimi periodik çdo 2 vjet. Në funksion të kësaj, DHS mbledh informacion nga qeveria e vendit të VWP, misioni diplomatik i SHBA-së në atë vend, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë, Komuniteti i Inteligjencës së SHBA-së dhe burime të tjera. Shumë rishikime përfshijnë gjithashtu inspektime në terrene operative të aeroporteve, porteve, kufijve tokësorë dhe objekteve të prodhimit dhe lëshimit të pasaportave në vendet e VWP.
Sot nga ky program kanë përfituar në total 41 vende, pjesë të Bashkimit Europian dhe jo vetëm. Vende të cilat kanë ndjekur linjën e partneritetit me SHBA dhe që normalisht shtrihen në zonat e influencës së saj. Disa prej tyre janë: Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Zvicra, Belgjika, Suedia, Finlanda, Estonia, Letonia, Malta, Luksenburgu, San Marino, Andorra, Kili, Koreja e Jugut, Taivani, etj.
Sa më sipër, kuptojmë se liberalizimi i vizave me SHBA është një proces përmes të cilit shteti aplikant merr përsipër arritjen dhe mbajtjen e disa standarteve të cilat u përgjigjen kushteve për siguri në vendin pritës, pra SHBA. Shohim se liberalizimi i vizave qenka një proces real dhe jo utopik siç e vlerësuan shumë analistë në konflikt me PD, mbi të gjitha në konflikt me të tilla politikash. Nëse ekziston vullneti i qeverisë, janë standarte që arrihen brënda një mandati qeverisës. Por, në kushtet kur bashkëpunon me anëtarët e kartelit Sinaloa, liberalizimi i vizave me SHBA jo vetëm që nuk mund të realizohet por bën që të ngrihet zyra e DEA-s në Tiranë.
Për tu kthyer sërisht te ambicia e z.Basha, premtimi i liberalizimit të vizave me SHBA, flet qartë mbi dallimin esencial të alternativës që ofron PD në raport me modelin e Narkoshtetit që ofron Edi Rama. Vetë Lulzim Basha i ka dhënë provat se ka vullnet dhe është i aftë të ndjekë dhe përmbushë procese të tilla për shkak se ka qenë ministër i brëndshëm kur Parlamenti Evropian votoi “pro” për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në shtetet e Bashkimit Evropian. Kështu që, Shqipëria meriton më shumë se sa karteli i Sinaloas. Ëndrra Amerikane, ku çdo person të ketë lirinë dhe mundësinë për të pasur sukses dhe për të arritur një jetë më të mirë, bëhet e mundur vetëm përmes programit qeverisës të PD.
#shqipëriameritonmëshumë