Vendet e rajonit të ECA ku përfshihen 12 shtete të Europës Përendimore, Ballkanit dhe Azisë Qendrore kanë ende hapësira të mëdha për të zhvilluar biznesin e shërbimeve të pagesave. Një studim i posaçëm i Bankës Botërore tregon se vendet kanë akses të ulët në këto shërbime dhe veçanërisht Shqipëria paraqitet shumë dobët.
Siç shihet nga të dhënat krahasuese, Shqipëria ka numrin më të ulët të pikave të shërbimit për pagesa ndër 12 vendet e rajonit ECA, madje me diferencë shumë të madhe. Gjithashtu vendi ynë ka numrin më të ulët të ATM-ve. Situata dramatikisht ndryshe në aksesin në pagesa lidhet me faktin se institucionet e pagesave nuk janë të pranishme në zonat rurale të vendit tonë. Madje ato janë shumë të kufizuara jashtë rajonit Tiranë–Durrës.
Ekspertët ndërkombëtarë kanë analizuar se pagesat elektronike ofrojnë potencial të madh për të integruar familjet me të ardhura të ulëta. Nga këto shërbime prodhuesit bujqësorë, shitësit dhe segmente të tjera të margjinalizuara të ekonomisë do të ulnin kostot.
Zgjerimi i shërbimeve të pagesave është gjithashtu instrumenti më efektiv për të formalizuar ekonominë. Me zgjerimin e pagesave jo cash qeveritë mund të kenë një pasqyrë më të saktë për zhvillimet në ekonominë reale dhe mund të shfrytëzojnë këtë panoramë për të mbledhur më shumë taksa.
Por, përdorimi i gjerë i pagesave elektronike kërkon përmirësime financiare, infrastrukture komunikimi, ligjore dhe rregullative.
Po bëhen përpjekje në disa vende të ECA-s për të përmirësuar ligjet dhe kuadrin rregullator. Por transformimi i infrastrukturës së pagesave mbetet një sfidë e madhe. Infrastruktura financiare në shumicën e vendeve të ECA-s është e lidhur me shërbimet tradicionale bankare.
Por ekspertët sugjerojnë se përhapja e gjerë e transaksioneve elektronike kërkon shërbime të lehta për t’u përdorur, terma dhe kushte tërheqëse dhe të përshtatshme.