Gazetari Rigels Seliman ngre alarmin: Shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur dhe grabitur

Kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman ka ngritur alarmin, teksa shprehet se qytetarët shqiptarë nuk janë të varfër, por të vjedhur. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, gazetari i politikës, Z.Seliman thekson se ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve dhe se siç pohon ai, po e çon në greminë ekonominë e vendit. Zoti Seliman ndër të tjera nënvizon se vetëm për shkak të keqqeverisjes, sipas tij, sot Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më të ulëta, madje edhe në rajon.

“Nëse nuk do të ishim të vjedhur e të keqqeverisur, edhe me këtë nivel të ulët zhvillimor që ka Shqipëria, mirëqenia do të duhej të ishte shumë më e lartë. Në vend të përqendrimit të investimeve vetëm tek ndërtimi, për kulla dhe pallate, duhet një politikë e përgjegjshme dhe efektive për tërheqjen e investimeve të huaja dhe vendase, që ndërtojnë sipërmarrje me peshë, fabrika dhe teknologji të reja, duke hapur vende të reja pune dhe garantuar një ekonomi të qëndrueshme. Ekonomia e kullave po kthehet në një vrasëse të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, veçanërisht në kryeqytet, ku studimet dhe monitorimet tepër serioze vërtetojnë qartë situatën katastrofike të ndotjes në Tiranë, të paktën mbi 20 herë mbi normat e lejuara, duke rritur ndjeshëm sëmundshmërinë. Ndërsa qytetet përmbyten nga kullat dhe betoni, çifteve të reja u duhen 50-70 vite kursime për të blerë një apartament në periferi. Vetëm për shkak të keqqeverisjes, sot jemi vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më të ulëta edhe në rajonin tonë. Këtë grabitje të qytetarëve e vërteton edhe krahasimi me vendet e tjera të rajonit”, shkruan gazetari Rigels Seliman.

Artikulli paraprak“Shqiptarët të neveritur nga qeveria Rama”/ Pampuri: Programi i PD-së 100% i realizueshëm
Artikulli tjetërBIRN: Policët e Rinasit krijuan skemë për kalimin e paligjshëm në BE