Më në fund PD me një program të djathtë. Lulzim Basha djathtaz!

Nga Reldar Dedaj

Lulzim Basha ka kapur kohën politike. Kreu demokrat është futur dalëngadalë në stinën vendimtare të jetës së tij. Ndoshta edhe si nevojë personale, por më shumë se gjithçka tjetër si detyrim moral ndaj shoqërisë, ai u dorëzoi shqiptarëve me datë 1 Qershor, për herë të parë në historinë e vendit që nga shembja e diktaturës komuniste, një program politik plotësisht të djathtë. Basha është i bindur se PD s’mund të jetë një alternativë në raste të jashtëzakonshme që pret të vijë në pushtet veçse aksidentalisht. As një parti populiste dhe sigurisht, ruajna Zot, të mendohet të jetë një forcë politike pa identitet. PD, ka menduar me gjasë ai, duhet të kompaktësohet sa më shpejt dhe për këtë biem dakord të gjithë, duke ia lënë të kaluarën historisë me vullnetin për të ndërtuar një histori për të ardhmen.

Partia Demokratike në përgjithësi dhe veçanërisht kryetari i saj, Lulzim Basha e ka kuptuar më mirë se askush tjetër nevojën për t’i dhënë shqiptarëve jo vetëm një program politik të realizueshëm dhe konkret, por shumë më tepër se kaq, një alternativë për të ardhmen, një vizion për Shqipërinë e së nesërmes. Ai është i vetëdijshëm se kushtet kanë ndryshuar, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar, shoqëria ka ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e të bërit politikë sigurisht që ka ndryshuar. Atëherë, për të mbetur një forcë alternative e ndryshimit, së pari; PD ka menduar të ndryshojë vizionin e saj për vendin. Nuk ka qenë e vështirë, sidomos tani, kur hijet e vjetra të regjimit të shkuar dhe mbetjet e tridhjetë viteve tranzicion vazhdojnë e qëndrojnë sot e kësaj dite poshtë ballkonit të ish-kryeministrit Berisha. PD dhe Lulzim Basha nëpërmjet këtij programi politik treguan se kanë frymën për të ngritur një parti të djathtë, një parti të djathtë, tek e cila të ketë vërtetësi, një parti që nuk merret me kauza rastësore, por merret me probleme që i interesojnë qytetarit. Një parti, e cila nuk mund të jetë e kryetarit, një parti më e madhe se kryetarit dhe më e madhe se vetvetja.

Ajo çfarë ra më shumë në sy se gjithçka tjetër përgjatë prezantimit të programit të Partisë Demokratike ishte hapja e saj ndaj figurave të reja dhe fjala nuk është për politikanë karriere, por për profesionistë me karrierë të spikatur në fushat e tyre përkatëse, brenda dhe jashtë vendit. Lulzim Basha e kishte kuptuar se vetëm një transformim real dhe i vërtetë i PD-së, do të tërhiqte si një forcë magnetike njerëzit më të aftë që mund të farkëtonin ndryshimin, duke punuar në emër të qytetarëve dhe jo të një grupi të vogël që mban monopolin politik, ekonomik dhe mbi gjithçka që s’e ka për asgjë për t’u bërë palë me krimin e organizuar për të qëndruar në pushtet.

Formulimi i një programi me orientim të qartë të djathtë, që i flet jo vetëm elektoratit tradicional të PD-së – të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve – por në mënyrë të veçantë edhe të rinjve, grave dhe diasporës është gur themeli për ndryshimin rrënjësor të kësaj force politike sot dhe për ndryshimin e Shqipërisë nesër.

Në programin e PD-së, familja shqiptare është qendra e gravitetit, duke filluar nga çiftet e reja tek fëmijët dhe shkollimi i tyre. Fondi për Mirëqenien e Familjes do të nisë me një politikë të re për të mbështetur rritjen dhe fuqizimin e shoqërisë tonë me subvencione të drejtpërdrejta. 2 mijë Euro për çdo bebe, 20 mijë Euro për fëmijën e tretë për çdo familje të re shqiptare. 30 mijë çifte shqiptarësh që sot e kanë të pamundur që të blejnë një banesë, do ju zerohet interesi i kredisë që do të marrin në funksion të familjes shqiptare.

Për shtresën e mesme shqiptare, për profesionistët shqiptarë, për biznesin e vogël shqiptar dhe për sipërmarrjen e ndershme shqiptare PD nuk mund dhe nuk do të qëndrojë duarkryq. Ekonomia shqiptare meriton më shumë, sipërmarrja shqiptare meriton më shumë dhe pa asnjë hezitim PD do t’i japë taksën e sheshtë. Taksa e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhuart personale 9%, dividenti me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira, me synimin gjithmonë për t’i dhënë fund kamxhikut të arbitraritetit që është sot një nga shkaqet kryesore të mbylljes të sipërmarrjes shqiptare, të shpunësimit të shqiptarëve, të emigracionit të trurit dhe të varfërisë dhe të gjendjes së keqe ekonomike.

Në Kuvendin Programor, Basha e cilësoi përmbushjen e reformës së pronës si “ditën e parë të shqiptarëve të lirë dhe Shqipërisë europiane.”

“Marrim përsipër brenda 2 viteve të para të qeverisjes tonë, krijimin e obligacionit për pronarët me vlerën e plotë të tregut për të gjithë pronat e shpronësuara të regjimit komunist të pagueshme çdo vit në masën 1/20, të tregtueshme që nga moment i emetimit, emetimi me vlerë të plotë i obligacionit të shtetit shqiptarë për të gjithë pronarët e shpronësuar të Shqipërisë. Për të gjithë ata të shpronësuar nga regjimi komunist, për të gjithë ata që e shohin por nuk e prekin dot pronën për shkak të 7501, për të gjithë ata të cilët pronën e kanë parë të zënë e të zhvilluar gjatë procesit të ndërtimeve informale, me një të rënë ne do të marrim përsipër jo vetëm barrën financiare të konsiderueshme por dhe zgjidhjen e problemit të titujve sipas parimit kush e ka e gëzon, kujt i është zënë do të shpërblehet me vlerën e tregut me obligacionin shqiptar për pronarët. Dita kur ky akt, kur kjo reform e munguar do të përmbyllet, është dita e parë e Shqipërisë së zhvilluar, është dita e parë e shqiptarëve të lirë, është dita e parë e Shqipërisë europiane”, tha kreu i PD-së.

Në programin e Partisë Demokratike një vëmendje të veçantë ka edhe statusi i të përndjekurve politikë. Kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha tha se do të angazhohet personalisht që statusi i ish-të përndjekurve të jetë i barabartë me atë të ish-ushtarakut. Për PD-në, të përndjekurit politikë janë guri dhe emblema e qëndresës, edhe pse kjo forcë politikë, sipas tij, i ka përdorur dhe tradhtuar vazhdimisht në këto 34 vite.

Gjithashtu, Partia Demokratike garanton mbështetje e angazhim të plotë e aktiv në të gjitha nismat rajonale që synojnë integrimin euroatlantik të rajonit, si dhe mbështet totalisht e pa rezerva nisma si Procesi i Berlinit, duke dekurajuar çdo format tjetër me destinacion të paqartë dhe që rrezikon të devijojë nga parimet e integrimit në BE.

Programi i Partisë Demokratike për Shqipërinë e së nesërmes zbulon se ligjerimi i tanishëm i kastës politike 30-vjeçare është vjetëruar kaq shumë, sa duket si një zë i largët patriarkal që nuk dëgjohet dot më nga të rinjtë, është si një zë i huaj, jehonë e një bote të mplakur mendërisht, që vjen si ndëshkim dhe që i ngjason atyre zërave që dalin prej altoporlantesh të propagandës së regjimit në stacione trenash, reparte ushtarake apo konvikte./Liberale.al/

Artikulli paraprakBIRN: Policët e Rinasit krijuan skemë për kalimin e paligjshëm në BE
Artikulli tjetërQeveria jep qindra mijë metra tokë dhe godina të institucioneve shtetërore për ndërtim kullash tek privatët