Investimi strategjik në arsim

Nga Patrik Sadikaj

Vendet më të zhvilluara në botë janë vendet që arsimin e kanë cilësuar si prioritet strategjik. ShBA, Angli, Gjermani, Francë e Itali sa për shembull, janë sot vendet ku çdo i ri do të kurorëzojë ëndrrën e studimit. Dhe normalisht janë vendet që kanë nivelin më të mirë të jetesës dhe padyshim dhe ritmin më të lartë të zhvillimit. Kjo e bën të qartë rolin e arsimit në këtë proces që daton ndër shekuj investimesh strategjike në arsim.

Në këto vende, diskutimi për investimet strategjike nuk është ai që zhvillohet në Shqipëri. Nëse në Tiranë, me ligj bëhesh investitor strategjik duke ndërtuar një resort, në SHBA e Britani, investim strategjik trajtohet universiteti, kolegji apo kampuset e ndërtuara për të kultivuar të ardhmen.

Pra, investitorët strategjikë të një vendi të zhvilluar nuk janë ata që rrisin fitimet e tyre, por janë ata që rrisin përfitimet e të ardhmes përmes arsimit.

Në Shqipëri, prej disa kohësh ka përpjekje nga disa njerëz që me vizion janë investuar në fushën e arsimit dhe falë tyre kemi sot një arsim privat si alternativë më cilësore se ai publik që më fakt vuan prej mungesës së investimeve. Ndryshe nga shkollat me 3 turne e universitetet pa cilësi, këta njerëz kanë ofruar një mundësi më të mirë për ata që duan cilësi arsimimi.

Por ka një problem!

Kostoja e arsimit privat në Shqipëri është shumë e lartë më raport me atë publik. Kjo bën që privati të jetë një opsion jo prioritar për shumicën e familjeve që kanë fëmijët për shkollim. Ata që skanë mundësi ta përballojnë, ngelen tek opsioni publik pa cilësi por i përballueshëm. Ndërsa ata që kanë mundësi, zgjedhin ShBA, Angli apo Gjermani.

Po si zgjidhet?

Duke e parë investitorin në arsim si strategjik dhe si i tillë të ndikohet nga shteti me heqje taksash e lehtësira të tjera që sot i përfiton investitori i resortit në bregdet që në fund të ditës mbush xhepat e vet.

Nëse arsimi do kishte të njëjtat privilegje, atëherë do të kishim masivitet arsimi, normalisht kosto më të përballueshme dhe cilësi arsimi që s’do të kishim nevojë ti kërkonim me kosto më të larta në vendet e BE e SHBA.

Çdo lehtësi për arsimin privat dhe konsiderimin strategjik për investimet në këtë fushë, do të ishin mundësi më shumë për fëmijët tanë që të kishin arsim cilësor, me kushte perëndimore dhe mbi të gjitha me kosto të përballueshme.

Sa më shumë të mbështeten nga shtetit investimet private në arsim, aq më shumë do të rritet si sektor potencial strategjik dhe normalisht do kishte një të ardhme më të mirë.

Për këtë duhet një nismë ligjore e cila të mbështetet sa më shumë nga faktorët politikë dhe grupet e interesit që dita kur të krenohemi me shkolla e universitete njësoj si amerikanët, të mos jetë e largët.

Artikulli paraprak“Taksa e sheshtë 9%”- Basha: Programi jonë për ekonominë është përthithur nga publiku si uji në rërën e nxehtë. Qëllimi jonë për 4 vite është…
Artikulli tjetër“Program qeverisës”, Profesor Selami Xhepa për ofertën e PD: Korrekton dështime serioze të sistemit tonë ekonomik që janë ngjizur në këto 30 vite