Dosja e SPAK, “Niku” i “Ndraghetës”, italianët dhe serbët po arkëtojnë miliardat nga krijimi i monopolit të oksigjenit

Nga Elton Qyno

Një hetim i nisur kryesisht në muajin janar 2021 nga struktura e posaçme SPAK, ka zbuluar krijimin e një biznesi monopol që arkëton miliarda lekë nga tregtia e oksigjenit mjekësor në Shqipëri.

Ky monopol thotë SPAK, është përqëndruar prej vitit 2018 në dy kompani, gjatë kohës kur ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte Ogerta Manastirliu.

Madje dhe pas ikjes së saj si ministre tregtia monopoli ka vijuar në vazhdim, duke mos pasur konkurencë mes kompanive të tjera private.

Nga hetimet paraprake rezulton se minimalisht nga viti 2018 e në vijim, të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë ose nga institucionet në varësi të kësaj ministrie si Spitalet Rajonale, për blerjen e barnit oksigjen i lëngshëm ose i gaztë, janë fituar nga Shoqëria “Messer Albagaz” dhe “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.

Tenderat publikë ose janë fituar përmes formës së Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Messer Albagaz” + “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” ose janë fituar veç e veç.

Rezulton se së bashku dy kompanitë kanë fituar 64 kontrata publike me një shumë përfitimë në lekë prej 2.202.508.957.55 lekë të reja.

Kurse e vetme kompania “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” rezulton të ketë përfituar 129 kontrata puplike me vlerë prej 2.613.944.618 lekë të reja.

Më tej një kontratë me vlerë 60 milion e 852 mijë lekë të vjetra “GTS”, e ka fituar së bashku me subjektet tregtare “Hera” dhe “Anda”.

Por dy kontrata të tjera me vlerë financiare prej 170 060 550 lekë të rejë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” ka fituar më subjektin tregtar “Dule”, të biznesmenit Gazeli Dule për blerjen e transformatorëve për Drejtorinë OSSH Tiranë.

Ndërsa sipas SPAK, emrat kryesorë që janë personat të cilët hartojnë ofertat ekonomike dhe përgatisin dokumentacionin për të marë pjesë në procedurat konkuruese të hapura nga Ministria e Shëndetësisë, janë dy punonjësit e kompanisë “GTS”, Ervin Tushe dhe Alban Zoraqi.

Sipas dosjes hetimore përqëndrimi i të gjithë tenderave të blerjeve të oksigjenit të kompresuar dhe oksigjenit të lëngshëm, është bërë në dy kompanitë me pronarë shqiptarë, italianë dhe Serbë.

Fituesja e miliardave nga tregtia e Oksigjenit mjekësor është “GTS-Gazra Teknik Shqiptar”, e cila zotërohet nga oligarku shqiptar Besnik Halili i përmendur si “Niku” në përgjimet e mafias e prokurorisë për mafian “Ndragheta” dhe dy italianët ortakë të kompanisë “SOL” Giovvani Annoni dhe Giulio Fumagalli Romario.

Ndërsa mjaft miliarda arkëtohen dhe nga kompania “Messer “Albagaz” e cila është rregjistruar në shtator 2007, ku pranar i së cilës është një shoqëri Serbe, e quajtur “Messer Tehnogaz AD” e përfaqësuar në Shqipëri nga shtetësja Biljana Juzbasa.

Ndërkohë sipas SPAK, administrator i kësaj kompanie është një shtetas Bullgar, i quajtur, Vladimir Vladimirov (Në Foto).

Pavarësisht faktit se administrator i shoqërisë Serbe “Messer “Albagaz” është Bullgari Vladimir Vladimirov, rezulton se për çdo transaksion që tejkalon shumën 10 mijë Euro kërkon miratimin e Menaxherit Teknik, që në këtë rast është Stojan Angjellari ose Shefit të Financës, Migel Zallemi.

Ndërkohë hetimi ka zbuluar se kjo shoqëri rezulton se në vitin 2010 ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e aktivitetit të shoqërisë “Sofigaz” në shumën 3 milion e 500 mijë euro.

“Sofigaz” në korrik 1996 rezulton të jetë e regjistruar me ortakë Adrian Strazimiri, Stojan Angjellari dhe Pirro Gjinari.

Po në vitin 1996, këto shtetas transferojnë 80 për qind të kuotave te shoqëria Italiane “Multigaz Est srl”.

Me ndryshimet e bëra në Qendrën Kombëtare të Biznesit në datën 10 shkurt 2011 rezulton se shoqëria “Sapio Produzione Idrogeno Ossigeno srl” rezulton se është ortak i vetëm i shoqërisë “Multigaz Est srl”.

Aktualisht mësohet se aksioner të kompanisë “Sofigaz” të jetë shoqëria Italiane “Sapio Produzione Idrogeno Ossigeno srl” në kuotën 90 për qind, dhe Ardian Strazimiri në kuotën 10 për qind.
Nga sa më sipër, thuhet në dosjen e SPAK, Stojan Angjellari, është themelues i shoqërisë “Sofigaz” dhe njëherësh Menaxher Teknik i shoqërisë Serbe “Messer Albagaz”.

Për thellimin e hetimeve në datën 20 Maj 2024, SPAK dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë kryer një kontroll në ambientet e zyrave të “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, duke sekuestruar dokumente, kompjutera dhe telefonat e 12 personave mes të cilëve biznesmenit Besnik Halili, gruas së tij Luneda Sufali, vëllait të tij Ergys Sufali dhe personave të tjerë si Aldo Muça, Gerti Idrizi, Elona Hoxhafi, Ervin Tushe, Alban Zoraqi, Ardian Strazimiri, Migel Zallëmi, Stojan Angjellari dhe Ela Strazimiri.

Artikulli paraprakPatriotizmi, streha e fundit e korrupsionit
Artikulli tjetërSa vlen jeta në Shqipëri?