Marku: Rama vë në dispozicion territorin tonë për burgjet e Europës, do të rehabilitojë figurën përtej kufirit

Kryetarja e degës së Partisë Demokratike në Lezhë, Alfrida Marku, për protestën e një grupi aktivistësh në Shëngjin kundër ngritjes së kampeve për refugjatët gjatë vizitës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, thotë se vjen për shkak se që në fillim lezhianët e kanë kundërshtuar një marrëveshje të tillë.

Në një lidhje për MCN Live, Marku tha se Meloni ishte në Shqipëri për interesa të vendit të saj dhe interesa politike dhe se ajo i fitoi zgjedhjet në vendin e saj me kauzën e emigracionit.

Sipas saj, vendi ynë nuk përfiton asgjë, përkundrazi për vendin tonë rëndohet situata.

“E gjitha është përpjekje e kryeministrit të Shqipërisë për të rehabilituar figurën e tij politike. Lezha është nën qeverisjen e krimit dhe korrupsionit.

Gjithçka është përpjekje e Edi Ramës për të rehabilituar figurën e tij përtej kufirit, ndërkohë që vendin tonë ia ka dorëzuar krimit dhe korrupsionit.

Emigrantët shqiptarë janë dhe taksapaguesit më të rregullt në shtetin shqiptar dhe kudo dhe nuk është kjo mënyra e vetme për ti rikthyer mirënjohjen shtetit italian.

Kryeministri i vendit tonë po bën një përpjekje të dëshpëruar për të përmirësuar imazhin e tij politik. Banorët e Lezhës kanë qenë skeptik që në fillim për këtë marrëveshje.

Kampet që po ngrihen tek ne janë burgje. Kryeministri Rama po e vë në dispozicion territorin e Shqipërisë për burgjet e Europës.

Kryeministri vihet në dispozicion për të zgjidhur hallet e Bashkimit Europian në kurriz të Shqipërisë.

Këta emigrantë do tentojnë për të gjetur një mënyrë doemos për të dalë jashtë Shqipërisë, sepse në fund të fundit vullneti i tyre ishte të iknin në vendet europiane dhe jo të vinin në Shqipëri, duke i hapur rrugë trafikut të qenieve njerëzore.”

Artikulli paraprakA është Shqipëria një shtet mafioz?
Artikulli tjetër“Programi ekonomik i PD mbështet familjen”/ Xhepa: Taksa e sheshtë ndihmonë ekonominë