Vjen rasti i parë në histori i një penalltie të akorduar në bazë të movioles. Në gjysmëfinalen e Botërorit për klube që po zhvillohet në Japoni mes Atletico Nacional dhe Kashima Antlers u verifikua dhe episodi i parë i këtij lloji, në minutën e 32 të pjesës së parë pas kontaktit mes Nishi dhe Berrio. Arbitri Kassai fillimisht nuk akordoi asgjë, por kur loja ishte ndalur, u afrua në anë të fushës pranë atij që quhet video asistant referece, apo shqip, arbitri ndihmës me imazhet dhe dekretoi penalltinë, të cilën 24-vjeçari Shoma Doi e shndërroi në gol. Megjithatë edhe pse rasti është i destinuar të hyjë në histori, nuk mungojnë polemikat, pasi edhe moviola nuk mundi të evitojë një gabim në gjykim. Siç bën të ditur spanjollja “AS”, në momentin kur kryhet faulli, Nishi që rrëzohet kishte qenë në pozicion jashtë loje, kur u nis loja nga goditja standard.
Kjo rrethanë i ka shpëtuar si gjyqtarit Kasai në fushë, ashtu edhe gjyqtarit që shfrytëzon imazhet filmike. I çuditshëm është fakti se tifozët e Atletico Nacional sinjalizuan me thirrjet e tyre se, Nishi ishte jashtë loje në episodin, kur fitoi penalltinë, ndërsa diçka e tillë konfirmohet si nga imazhet televizive ashtu dhe nga fotot që bëjnë gjithçka më të qartë. Përfundimi i rastit të parë të një penalltie të dhënë nga imazhet filmike në këtë mënyrë është se as moviola nuk mund të evitojë polemikat. Në përfundim japonezët e Kashimës fituan ndeshjen 3-0, duke siguruar biletën e parë të finales së Botërorit për klube.