“Institucionet publike dalin në ankand”; 28 prona shtetërore do të rizhvillohen nga privatët

Nga Arbjona Çibuku 

Pasi ra në gjumë për 4 vite, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC), një shoqëri aksionere e themeluar në 2020, “fitoi” pronësinë e 28 godinave shtetërore me një sipërfaqe prej 198 mijë m2, në zonat më të lakmuara të Tiranës.

AIC ka hapur garën për projekt ide për zhvillimin e katër nga këto prona publike, përmes së cilës parashikon që godinat dhe trualli i institucioneve me rëndësi, sikurse janë Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Zyra Vendore e Arsimit parauniversitar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës të jepen për zhvillim tek privati.

Konkursi me emrin “Energjizimi i qyteteve: Zhvillimi Inovativ i Pronës Publike” parashikon “ri-zhvillim multifunksional” të katër institucioneve me sipërfaqe mbi 20 mijë m2.

Në hyrje të dokumentit Korporata e Investimeve Shqiptare, shpjegon se ka si qëllim të ridimensionojë vlerën e pronave shtetërore të fjetura pasi “pronat dhe tokat e papërdorura shtetërore që kanë mbetur të pashfrytëzuara janë një pasuri e veçantë”. Nëpërmjet kësaj nisme AIC propozon një formule “win-win” me privatët, tek të cilëve sipas VKM  nr. 328 mund t’i shesë, japë me qira apo “leasing” pronat shtetërore.

“Në këmbim të së drejtës për të zhvilluar këto prona, partneri privat do të mbulojë kostot e zhvillimit të klasterave të rinj të administratës publike për të plotësuar nevojat e institucioneve publike. AIC përfiton nga tarifat e ndërmjetësimit për identifikimin dhe konsolidimin e pronave, projekt-idetë për zhvillimin e pronave dhe krijimin e aseteve të reja për administrim. Gjithashtu fiton pozicionim strategjik në tregun e pasurive të paluajtshme”, – thotë në dokument AIC.

Parkingu i delegacioneve dhe Autoriteti i Aviacionit Civil tek “Komuna e Parisit”

Dokumenti i AIC, propozon për ndërtimet në zonën e Komunës së Parisit, një parcelë toke prej 9,400 m2 e cila më herët ka shërbyer si parkim për automjetet shtetërorë. Zona përmban blloqe apartamentesh të ndërtuara nga vitet 1950 deri sot.

Në dokument renditen nevojat e institucioneve, ku përmenden përpos sallave të takimeve, edhe restorante, kopësht për fëmijë dhe palestër.

1 Komuna e Parisit Parkingu u Delegacioneve Autoriteti I aviacionit civil
Zona për ri-zhvillim – Autoriteti i Aviacionit Civil – Komuna e Parisit

Klasteri i Administratës Publike do të akomodojë zyrat, hapësirat e punës dhe nevojat plotësuese për institucione të ndryshme dhe agjenci qeveritare nën Kryeministrinë, Ministrinë e Turizmit dhe
Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Konkretisht sipas dokumentit nevojat e administratës janë 20 salla takimesh, biblioteka por edhe një palestër prej 200m2, një restorant dhe kopësht për fëmijë.

Zyra e Arsimit Parauniversitar në Bulevardin “Zhan D’Ark”

Screenshot 2024 06 05 140958

Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, janë një tjetër pronë shtetërore që është hapur për zhvillim. Siti i propozuar ndodhet përgjatë Bulevardit, në një truall me sipërfaqe 2840 m2, ku janë planifikuar edhe ndërtime të tjera kullash.

Këto ndërtime, sipas dokmentit do të “kontribojnë në energjizim e aspekteve ekonomike, sociale dhe kulturore”.

Tenderi parashikon ndërtimin e një kullë 35-41 kate në këtë zonë.

“Institucionet që administrojnë pronën dalin në ankand”

Screenshot 2024 06 07 141429
Foto: Trualli rreth Agjencisë së Kadastrës që do jepet për rizhvillim;

Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me një sipërfaqje trualli 5,000 m² dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave prej 3,000 m2 do të jepen për zhvillimi multifunksional nën një ofertë të vetme.

Sipas dokumentit, siti i propozuar për zhvillim ndodhet përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, pjesë e Unazës së Dytë të Tiranës, duke mbuluar një sipërfaqe prej 3,000 m².

Trualli per rizhvillim
Foto: Trualli për rizhvillim multifunksional i Agjencisë së Trajtimit të Pronave

Aktualisht, aty ka një ndërtesë institucionale, e cila sipas dokumentit do të shembet “për shkak të dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit 2019”.

Zona e përzgjedhur për rizhvillim do të shërbejë si siti për ndërtimin e një kulle multi-funksionale, referuar dokumentit. Programi Paraprak parashikon, konvikte, godinë multi-funksionale me 25-40 kate, me njollë ndërtimi 800 deri në 1200 m2 dhe me një sipërfaqe totale ndërtimi nga 30,000-40,000m2 .

“Çdo gjë në kuriz të interesit publik”

Modeli i zhvillimit të Tiranës sipas Planit Urbanistik “Tirana2030” duket se po shtrihet në nivel kombëtar, me vendime të marra tashmë nga qeveria. Urbanistja Doriana Musai shprehet se “TR2030, është instrumenti që ka hapur qytetin në një shesh ndërtimi, pa kritere mbrojtëse, konservimi, distancimi aq më pak urbanizimi”. Musai shton se duke e trajtuar qytetin vetëm si instrument ekonomik, “ka shndërruar urbs-in në një lavatriçe të madhe pastrimi paraje duke mos konsideruar aspektin njerëzor”.

Këtë lëvizje të re të qeverisë ajo e sheh të ngjashme me modelin e PPP-ve, ku përmend stadiumin apo teatrin, ku në emër të interesit publik përfitojnë privatët.

“E drejta e zhvillimit të pronës shtetërore- e cilësuar si e tillë në dokumente mund të transferohet sipas ligjit të planifikimit urban, në hapësirë, pra jo domosdoshmërish duhet ndërtuar aty ku ndodhet prona”, thotë ajo dhe shton se në vend që të ndërtohen në çdo cep të mbetur bosh, “mund të projektojmë në mënyrë të zgjuar duke grupuar këto hapësira për administratën në një njësi, apo zonë të vetme”.

Në dokument rizhvillimi i këtyre hapësirave përmes ndërtimit të kullave justifikohet me interes publik, por Musai argumenton se “nuk lexohet asnjë interes publik të përfaqësuar apo marrë parasysh nga propozimi”.

“Zyrat e administratës nuk cilësohen si interes publik. Këtu bëhet fjalë për prona shtetërore, ku shteti i jep në këmbim të zhvillimit, privatit, i cili ndërton objektin multifunksional dhe i jep disa hapësira shtetit në këmbim; pra shtetit, jo Publikut”, thotë më tej Musai.

Sa i përket Korporatës së Investimeve Shqiptare e cila u themelua në 2020 dhe për 4 vite “ishte në gjumë”, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa shprehet se “institucione të tilla zhvilluese publike nuk kanë demonstruar të jenë eficiente dhe dobishme”.

Sipas Xhepës, ajo krijon dhe implikime financiare për buxhetin pasi “sigurimi i kredive kërkon garanci sovrane”, po ashtu ai shton se “mbetet i paqartë roli institucionit në menaxhimin e aseteve të reja të krijuara”.

Konkursi i hapur nga kjo korporatë është bazuar në tre ligje, atë të Pronave të paluajtshme të shtetit (2001), të prokurimit publik (2020) dhe të korporatës së investimeve shqiptare (2019).

Një VKM e ditëve të fundit, e datës 29 Maj, ka bërë transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, të pronave shtetërore.

Dokumenti justifikon ndërhyrjen me nevojën për më shumë zyra për administratën. Musai thotë se kjo nevojë  në kohën e digjitalizimit masiv, duhet të jetë në tkurrje dhe jo në rritje.

Ajo sjell në vëmendje fushatat e qeverisë për të hequr sportelet dhe zvogëluar hapësirën fizike, për të shfrytëzuar më shumë atë digjitale.

“Transformimi i hapësirave dhe godinave  të vjetra në zona të zhvilluara në objekte referencë për qytetin dhe Rritja e vlerave imobiliare në zonat përreth janë objektiva që stimulojnë nga lart poshtë xhentrifikimin”, thotë më tej Musai.

“Institucionet publike dalin në ankand”; 28 prona shtetërore do të rizhvillohen nga privatët

Artikulli paraprakDrejt ‘’bashkimit’’ në ngjashmëri, rreth Berishës dhe politikës së tij
Artikulli tjetërShqiptarët e Francës, “lufta” për të zënë një vend në Enciklopedi