Angela Merkel në krye të botës së lirë?

Kancelarja gjermane, Angela Merkel e di ç’do të thotë të ndihesh e nënvlerësuar. Partia e saj politike, Bashkimi Kristian Demokrat, ishte si një klub ekskluziv meshkujsh kur ajo u anëtarësua në vitet 1990 dhe shumica e rivalëve përpiqeshin ta injoronin atë, vajzën e priftit të diplomuar në kimi, edhe pse ajo arriti t’i kapërcejë të gjithë njëri pas tjetrit. Ajo çfarë e shqetëson tani, më shumë se një dekadë pas fillimit të mandatit të saj të parë, është problemi i kundërt, të qenurit e mbivlerësuar.
Për këtë i detyrohet më shumë presidentit Barack Obama. Gjatë vizitës së tij të fundit zyrtare në Europë në mes të nëntorit, një javë pas fitores së Donald Trumpit, Obama kaloi orë të tëra duke e përgatitur Merkelin për epokën e presidentit të ri. Qëllimisht apo jo, presidenti aktual edhe për një muaj, dha përshtypjen sikur po i kalonte skeptrin e tij gruas që e quajti aleaten e tij më të ngushtë, duke e lënë atë në krye të mbrojtjes së botës së lirë. Shumë komentatorë filluan t’i referoheshin Merkelit si liderja e re e botës së lirë, një titull që ajo e konsideroi publikisht “grotesk” dhe “absurd”.
Nuk bëhej fjalë për modesti. Problemet që qeveria e saj ka brenda vendit – që nga integrimi i refugjatëve te ngjitja e populizmit të djathtë – nuk i lënë shumë fuqi kancelares gjermane për të mbajtur edhe Perëndimin të bashkuar. Ruajtja e pushtetit për një mandat të katërt gjatë zgjedhjeve të ardhshme do të jetë synimi i vërtetë i Merkelit, madje disa burime brenda qeverisë së saj kanë thënë për “TIME” se, nuk kanë mjetet dhe mentalitetin e nevojshëm për të marrë në dorë drejtimin. Por pavarësisht nëse është e përgatitur apo jo, roli mund t’i kalojë përsëri Merkelit në kurriz.
Vala e revoltave popullore kundër sistemit i ka goditur njëri pas tjetrit aleatët perëndimorë. Katër prej tyre janë rrëzuar vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit: presidenti frances, François Hollande, deklaroi këtë muaj se nuk do të rikandidonte; kryeministri britanik, David Cameron tha dorëheqjen në muajin qershor pasi Britania e Madhe vendosi të dalë nga Bashkimi Europian; kryeministri italian, Matteo Renzi u zotua të bëjë të njëjtën gjë pasi referendumi refuzoi reformat e tij kushtetuese këtë muaj; dhe fitorja më e jashtëzakonshme e vitit ishte ajo e Donald Trumpit që do të zëvendësojë së shpejti administratën Obama.
Tani ka mbetur vetëm Merkel, por edhe miqtë e saj kanë dyshime të mëdha në aftësinë e saj për të drejtuar botën e lirë. “Kjo është absurde”, thotë Elmar Brok, kreu gjerman i komitetit të çështjeve të jashtme në Parlamentin Europian, i cili e ka njohur Merkelin që kur ajo ka hyrë në politikë gjatë viteve 1990. “Gjermania nuk ka masën e mjaftueshme të pushtetit për të marrë përsipër rolin e liderit”.
Nuk është as e qartë nëse Merkel është mjaftueshëm e fortë, ndoshta edhe brenda vendit të saj, për të ruajtur vlerat liberale që shumë njerëz tashmë po pretendojnë prej saj. Vendimi i saj verën e kaluar për të mirëpritur qindra mijëra refugjatë nga bota myslimane ishte një triumf i lidershipit moral kundrejt llogarive politike dhe kjo ishte arsyeja përse revista “TIME” e zgjodhi atë personi i vitit 2015.
Por akti i kurajës pati një çmim mjaft të kripur. Konservatorët brenda koalicionit të saj drejtues u revoltuan ashpër kundër politikës së refugjatëve. Shumë prej mbështetësve të saj u arratisën drejt të djathtës ekstreme Alternative für Deutschland (AfD), platforma politike e së cilës pretendon se, “Islami nuk është pjesë e Gjermanisë” dhe bën thirrje për të ndaluar minaret dhe perçet që mbajnë gratë myslimane. Gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura në muajin shtator, AfD-ja arriti ta mposhtë partinë e Merkelit në vetë distriktin e saj të lindjes në Gjermaninë Veriore.
Ky poshtërim e detyroi kancelaren të rimarrë në dorë situatën dhe të rimbledhë votat që i kishin humbur për të djathtën radikale. Gjatë fjalimit të saj më 6 dhjetor gjatë konventës kombëtare të Unionit Kristian Demokrat, partia që ajo ka drejtuar për 16 vjet, Merkel tha se grave myslimane duhet t’i ndalohet, atëherë kur është ligjërisht e mundur, që të mbulojnë plotësisht fytyrën e tyre në ambiente publike. Ishte një kthesë e jashtëzakonshme për një lidere, emri i së cilës ishte bërë sinonim i “Willkommenskultur” ose “kulturës së mirëpritjes” kundrejt refugjatëve myslimanë dhe të cilën disa azilkërkues sirianë e quanin “Nënë”.
Partia e saj vazhdon të jetë më e mbështetura në vend, me një mbështetje prej 33 për qind në sondazhet e fundit dhe 64 për qind e të anketuarve mbështesnin vendimin e Merkelit për të kandiduar për herë të katërt si kancelare. Në një tjetër sondazh të publikuar muajin e kaluar, 59 për qind e gjermanëve kanë thënë se duan që vendi i tyre të marrë një rol më aktiv në lidershipin e Europës, por aleatët e Merkelit duket se nuk janë shumë të kënaqur me idenë e zgjerimit të këtij roli edhe në vende të tjera të botës. “Ky nuk është mentaliteti jonë”, thotë Norbert Roettgen, kreu i komitetit të çështjeve të jashtme në Parlamentin gjerman. “Kjo e tejkalon traditën tonë, i tejkalon mundësitë tona”.

Artikulli paraprakRruga e Putinit për në Shtëpinë e Bardhë
Artikulli tjetërModest për Chelsin