Veliaj, 15 miliardë lekë për betonizimin e sheshit

Arkitektët italianë të ftuar nga Ahmet Zogu do e projektonin sheshin e qendrën e Tiranës në dy faza. I pari, Florestano di Fausto, kërkoi t’i jepte një harmoni shtëpive tradicionale tiranase me ndërtimet e stilit klasik, një frymë e cila sa kishte filluar të frynte në Shqipërinë e asaj kohe. Projekti i përpunuar u mbështet në planin rregullues të vitit 1926 dhe përmbledh të gjitha rrugët hyrëse në Tiranë sipas modelit të Romës dhe nga çdo pikë e tij mund të shihen kodrat e qytetit. Më tej, do të ishte arkitekti Gerardo Bozio në vitin 1939, i cili e përpunon dhe i rijep një pamje tjetër. Duke qenë një adhurues i stilit barok, forma ndryshon duke e bërë sheshin një vazhdim të shëtitores “Dëshmorët e Kombit”. Ndërtesat nuk do të ngriheshin në vijë të drejtë me xhaminë e E’them Beut, për të bërë diferencimin mes ndërtesës së re dhe të vjetër, por edhe si një ndërthurje mes kulturave romane dhe orientale të Shqipërisë së asaj kohe. Të gjitha ndërtesat, Banka e Shqipërisë, Bashkia dhe ministritë shërbenin si dekor i sheshit, i cili konsiderohej si “koka” e shëtitores perandorake. Pra, ishte një koncept kulturor i harmonizuar me historinë, kulturën dhe fene të ndërthurura mjeshtërisht nga arkitektët italianë…

Projekti i ndryshuar

Kjo hyrje shërben për të kuptuar se sa histori ka ai shesh, që sot është shndërruar në një gërmadhë nga ish-“shitësi i vogël i fiqve” sot kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në fakt, shkatërrimi i sheshit filloi që nga dy idhujt e tij, ish-diktatori Enver Hoxha dhe Edi Rama, sot kryeministër asokohe kryetar i Bashkisë. I pari, e bënte për qëllime ideologjike pasi kërkonte t’i jepte fytyrën e një sheshi komunist sipas shembullit të Bashkimit Sovjetik dhe i dyti për qëllime të pastra korruptive. Me ardhjen e Erion Veliajt mori jetë dhe projekti i Edi Ramës, për ta shkatërruar këtë shesh dhe pse jo për të fituar disa miliona më shumë. Për shembull, sipas Open Data Albania, Bashkia ka hapur tenderin për fazën e dytë të punimeve të rikualifikimit të sheshit, me vlerë rreth 10 miliardë lekë apo 8 milionë dollarë. Kjo pason dhe 6 miliardë lekë të tjera, të shpenzuara në fazën e parë të punimeve për shndërrimin e tij në pedonale… Në fakt 6 miliardë lekë ose 4.5 milionë dollarë duhej të ishte vlera e rikualifikimit të tij, por me ndërhyrjen e Edi Ramës, u bë një ndryshim projekti edhe nga ai i projektuar nga firma belge “51N4E”, e cila dhe kjo është më vetë një histori e pastër korrupsioni dhe klientelizmi. Ndryshimi i projektit u bë me qëllim që t’i hapej rrugë ndërtimit të një parkingu nëntokësor, por edhe të një qendre tregtare mu poshtë Sheshit Skënderbej. Pra, e thënë më shkoqur, qytetarët e Tiranës do të paguajnë nga taksat e tyre plot 15-16 miliardë lekë që Erion Veliaj dhe Edi Rama të kenë një biznes të tyre mu në qendër të Tiranës.

Po pse pikërisht sheshi?!

Jo më kot, Veliaj vetëm pak muaj pasi erdhi në pushtet piketoi më së pari këtë shesh! E para, ka të bëjë me korrupsionin dhe milionat e eurove që do të hidhen aty, një buxhet i pakontrolluar. E dyta, për efekt propagande! Edi Rama nuk u kënaq me shumën e rreth 6 miliardë lekëve, por i shtoi asaj apriori dhe nja 10 miliardë të tjera, duke e çuar në 16 miliardë. Natyrisht për kokën e karvanit paratë e taksapaguesve janë thjesht para çifligu. Në të njëjtën kohë Rama, duke marrë kompentencat e Veliajt prezantoi se poshtë sheshit do të ndërtohej dhe parkimi nëntokësor, por dhe një biçim qendre tregtare. Akoma dhe sot kjo shtesë punimesh, pra ndërtimi i parkimit dhe qendrës tregtare nuk kanë leje ndërtimi, një arsye që nga ana e institucioneve duhet filluar dhe një hetim i zgjeruar. Nga ana tjetër duhet sqaruar që në krye se, Sheshi Skënderbej është më i favorshmi për synimet e tij, për arsye se nuk ka probleme me shpronësimin se ato i ka përfunduar me kohë ish-Mbreti Zog, qëkur projektoi ndërtimin e tij. Kjo shpjegon dhe faktin se përse, stadiumi “Qemal Stafa” apo dhe Sheshi Skënderbej janë projektuar dhe për kulla shumëkatëshe. Para e pastër, thjesht ndërto, shit dhe fito me paratë e taksapaguesve dhe në tokë të shtetit. Kjo gjithmonë në emër të zhvillimit dhe rilindjes urbane që mund të ndodhë vetëm me kryeministra si Edi Rama dhe vegla si Erion Veliaj.

Armand MAHO

Artikulli paraprakNjë bullgare në krye të Gjykatës Speciale në Kosovë
Artikulli tjetërSkema Rama-Dako për lirimin e Lul Berishës