Zjarri shkrumbon Pallatin e Kulturës

Një shkëndijë elektrike dyshohet se u bë shkak për zjarrin që përfshiu në orët e para të mëngjesit të djeshëm Pallatin e Kulturës në Maliq. Flakët u shfaqën fillimisht në katin e dytë të ndërtesës, ndërsa më pas u përhapën edhe në katin e parë të saj. Konstruksionet me drurë në brendësi të ndërtesës bënë që zjarri të marrë përmasa të mëdha, duke djegur thuajse tërësisht gjithë objektet me vlerë të Muzeut Etnografik. Veshje, kostume tradicionale si dhe vegla muzikore të ruajtura për vite me radhë janë shkrumbuar.
Të vetmet që kanë mundur të shpëtohen janë instrumentat muzikore, ndërsa godina është shkrumbuar totalisht. Policia dhe zjarrfikësit po punojnë për të përcaktuar shkakun e aktivizimit të zjarrit, që konfirmohet se është aksidental, nga një shkëndijë elektrike. Pas ngjarjes ka reaguar kreu i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, i cili thotë se dëmi është kolosal dhe i ka bërë thirrje qeverisë për të ndihmuar në ringritjen e saj.
“Flakët janë konstatuar nga roja rreth orës 03:30. Zjarrfikësja ka mbërritur menjëherë, pavarësisht amortizimit të mjeteve ka bërë të pamundurën. Godina është ndërtuar prej vitit 1952 dhe është e tëra e ndërtuar me dru, çka e bën të vështirë shuarjen e flakëve. Dëmi është kolosal. Humbje morale, historike e kulturore. I bëj thirrje qeverisë për të na ndihmuar t’i kthejmë sërish Maliqit këtë godinë me të cilën identifikoheshim”, tha Topçiu.
Punonjësit e Pallatit të Kulturës u munduan të hapin me mjete rrethanore derën kryesore, ndërsa për të shuar zjarrin u dërgua fillimisht zjarrfikësja që siç duket edhe nga pamjet nuk është në gjendje të mbajë nën kontroll as tymrat që lëshon nga amortizimi. Më pas në vendngjarje u dërgua edhe një zjarrfikëse e dytë, e cila e pati të pamundur të vërë nën kontroll flakët që shkrumbuan tërësisht atë çfarë ndodhej në ndërtesë.

Artikulli paraprakSkema Rama-Dako për lirimin e Lul Berishës
Artikulli tjetërVrasja e Çollakut, Prokuroria dërgon dosjen në Gjykatë