Policia greke sekuestroi në orët e parë të mëngjesit të djeshëm 200 kg drogë në Igumenicë, e cila ishte nisur me gomone nga Shqipëria dhe vuri në pranga një shqiptar. Bëhet e ditur se 40-vjeçari shqiptar, i njohur me pseudonimin “Laço” ka rënë në pranga në Igumenicë, ndërsa është sekuestruar një sasi droge. Burime zyrtare nga Policia e Igumenicës bëjnë me dije se shqiptari Vladimir Meçe, banues në fshatin Çiflik të Sarandës është kapur në Sivota, ndërsa rezulton i dënuar dhe më parë në shtetin grek për trafik droge.
Të njëjtat burime theksojnë se, Meçe është kapur me një gomone, me të cilën kishte mbërritur në orët e para nga Shqipëria dhe kishte shkarkuar drogë që mendohet të jetë rreth 200 kg marijuanë. Fill pas kësaj është njoftuar policia e Athinës dhe siç raportohet ka arritur të kapë dy makinat që kishin ngarkuar drogën nga gomonia. Ndërkohë, operacioni vijon ende.
Po ashtu, raportohet se në shkurt të 2010 në stanin e 40-vjeçarit në Çiflik u gjetën 240 kg marijuanë, por për ngjarjen u dënua vetëm babai i tij, Mehmet Meçe, në atë kohë 70 vjeç me 4 muaj burg për “moskallëzim krimi”. Ndërkaq, në nëntor të 2013-ës Meçe u kap në Sajadhe të Igumenicës bashkë me dy të tjerë me një gomone me 374 kg marijuanë.
Drogë nga Shqipëria në Greqi në furgonin me gurë
Policia greke sekuestroi dje 135 kilogram marijuanë të fshehur në një furgon të ngarkuar me gurë, ndërsa në pranga ka rënë shoferi shqiptar rreth 36 vjeç. Sipas policisë greke, furgoni u ndalua në aksin rrugor Kakavijë-Janinë, rreth 3 kilometra nga dogana e Kakavijës. Pas kontrollit të ushtruar nga policia greke në furgon u gjetën 121 pako me 135 kg 600 gram marijuanë.
Lënda narkotike ishte fshehur në kabinën e shoferit. Në operacion kanë marrë pjesë dhe forcat europiane te FRONTEX, pasi ditët e fundit zona Janinë-Igumenicë është bërë problematike për policinë greke për shkak të transportimit të lëndëve narkotike që kalojnë nga Shqipëria.
Sekuestrohen 51 kg drogë në Verona
Një shqiptar u kap me 51 kg marijuana nga policia italiane në Verona. “Ansa.it’ raporton se bëhet fjalë për shqiptarin Elvin Cakoni, 32 vjeç dhe të dashurën e tij moldave, Julia Lesku, 31 vjeç, ndërsa të dy jetonin në Monza të Italisë. Ata u arrestuan në një rrugë, mes Peschiera-s dhe Veronës, pasi në bagazhin e mjetit të tyre kishin fshehur dy çanta me drogë. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se droga ishte menduar të shitej në Scala, ndërsa vlera e lëndës narkotike mendohet se shkonte 80 mijë euro.
Policia italiane në Nereto ka arrestuar një shqiptar, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Në pranga ka rënë 37-vjeçari, Lulzim Cakmashi, i cili ishte i papunë, por me leje qëndrimi të vlefshme. Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e 37-vjeçarit, policia ka gjetur 40 gram kokainë, e cila ishte e fshehur në bodrum. Sipas mediave italiane droga ishte e ndarë në doza.