Mirela Karabina: Programi i PD është hartuar nga mbi 100 ekspertë vendas e të huaj, Lulzim Basha i ka dhënë një dimension qytetar politikës, plani i tij për Shqipërinë do rrisë mirëqenin për të gjithë

Zëdhënësja për shtyp e Partisë Demokratike zyrtare, Mirela Karabina ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek programi i PD i prezantuar nga kryedemokrati Lulzim Basha pak ditë më parë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Karabina, zbuloi se programi i PD është hartuar nga mbi 100 ekspertë vendas e të huaj. Më tej, ajo theksoi se kryetari i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha i ka dhënë një dimension qytetar politikës. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zonja Karabina shpreh bindjen se plani kryedemokratit Basha për Shqipërinë do të rrisë mirëqenin për të gjithë qytetarët shqiptarë. Sipas saj, PD vlerëson se integrimi europian është një prioritet shtetëror dhe kombëtar.

-Zonja Karabina, cilat janë prioritete kryesore të PD në këtë moment?

E gjithë vëmendja e Partisë Demokratike është si do të bëj më të mirën për qytetarët. Programi ynë “Shqipëria meriton më shumë” nuk është slogan bosh dhe i shkëputur nga qytetarët. Dalja e programit të PD-së një vit para zgjedhjeve parlamentare dëshmon seriozitetin dhe vullnetin tonë për të qenë të vërtetë, të qartë dhe të besueshëm për qytetarët. Ky është prioriteti ynë: ndryshimi i realitetit të trishtë që ka kapluar vendin në ekonomi, korrupsion dhe shpopullim përmes një programi real dhe ambicioz duke i dhënë shqiptarëve alternativën më të mirë për Shqipërinë 2025.

-Si mendoni se PD mund të kontribuojë më së miri në përparimin e vendit në këtë kohë?

Përmes së vërtetës, duke e parë atë në sy dhe duke qenë të vërtetë me qytetarët. Programi ynë është hartuar nga ekspertë të huaj dhe shqiptarë e profesionistë të fushës duke parë problemin dhe duke gjetur zgjidhjen. Është një program me këmbë në tokë dhe plotësisht i realizueshëm. Me një program të tillë vendi do të hyjë në shinat e normalitetit dhe jeta e qytetarëve do të bëhet më e mirë.

-Çfarë strategjish ka PD për të adresuar çështjet kyçe sociale dhe ekonomike?

Partia Demokratike është forca e parë që ka një plan për familjet shqiptare për daljen e saj nga kriza. Familja shqiptare është në rrezik mes varfërisë, shpërbërjes së saj prej emigrimit dhe pasigurisë. PD ka një program për të forcuar pozitën ekonomike të gruas si kujdestarja më e mirë e familjes duke e mbështetur atë në biznese, në taksa apo dhe bonuse të tjera mbështetëse për kualifikimin e saj. Personat me aftësi të kufizuar apo fëmijët me statusin jetim dhe shtresat në nevojë do të jenë në vëmendje të PD-së. Mbështetja përmes subvencionit të plotë të interesit për strehim për 30 mijë çifte të reja është kujdesi për familjen, mbështetjen dhe rritjen e saj. Politika jonë për mbështetjen me bonus 20 mijë euro për fëmijën e tretë krijon siguri për shumë familje të cilat stepen për shkak të pamundësive për të rritur familjen e tyre kur dhe vendi është në kushtet e shpopullimit në rritje. Programi ynë është një program parimor që mbështetet mbi principe të një force të djathtë sepse merret me pronën, raportin e individit me shtetin dhe familjen. Programi ynë është i realizueshëm dhe i testueshëm. Jeta e qytetarëve përgjatë këtyre 11 viteve është vështirësuar shumë. Ndaj taksa e sheshtë, pjesë e programit tonë, do të sigurojë rregulla të ndershme të lojës, barazi dhe do të sigurojë të ardhura për shtetin të cilat do të përdoren për interesin qytetar. Korrupsioni galopant ka kapluar çdo ind të shtetit duke varfëruar qytetarët. Dhe kjo varfëri, në bindjen tone, luftohet përmes lirisë së tregut, mbështetjes së sipërmarrjes dhe taksave të ulta. Fuqizimi i shtresës së mesme, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e taksave, taksa e sheshtë do t’i japë mundësi qytetarëve të kenë më shumë lekë në xhepat e tyre. Ulja e taksave do të thotë ulja e formalitetit dhe nxitje e biznesit.

-Çfarë mendoni për rolin e PD në mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës?

Partia Demokratike është duke e dëshmuar qasjen e saj ndaj shtetit ligjor dhe të së drejtës. Përmes vendimmarrjeve duke respektuar organizmat brenda saj si Kryesia, Këshilli Kombëtar, Kolegjit të Kryetarëve dhe të tjera, PD po jep modelin e një force që respekton ligjin, institucionin dhe individin sot brenda saj, dhe nesër ne qeverisje. Qëndrimet tona ndaj organeve të drejtësisë përgjatë gjithë kësaj kohe dëshmojnë qasjen tonë për funksionimin e drejtësisë. Ne jemi forca e vetme që mbështesin pa asnjë rezervë Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion sepse pushteti i drejtësisë duhet të jetë i pavarur nga politika, pasi funksionimi i pavarur i tij do të jetë garancia e ndërtimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës dhe do të mundësojë zhvillimin demokratik të vendit.

-Si do të vepronte PD për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve nëse do të ishte në pushtet?

Me vullnet politik dhe me një qeveri që nuk vjedh qytetarët dhe lufton korrupsionin, sigurisht që jeta e qytetarëve përmirësohet dhe bëhet më e mirë. Partia Demokratike ka një sfidë të vështirë por jo të pamundur, të fitojë besimin e qytetarëve duke e bërë jetën e tyre të mirë. Prej 11 vjetësh qytetarët janë të shpërfillur dhe jeta e tyre është vështirësuar për shkak të keqqeverisjes: paga e pensione të ulta, çmime të shportës që rriten, rini që largohet prej mungesës së shpresës dhe garancisë për nesër, vendi që rrënohet çdo ditë. Programi ynë është i vërtetë, real dhe plotësisht i bëshëm në shërbim të qytetarëve, taksa të ulta, vende të reja punë përmes mbështetjes, rritje pagash, mbështetje për shtresat në nevojë, subvencione për fermerët, mbështetje për të rinjtë përmes shkollimit, kualifikimit dhe punësimit e të tjera, e të tjera politika zhvillimore.

-Cili është qëndrimi juaj në lidhje me çështjet kryesore të politikës së jashtme të vendit?

Partia Demokratikë vlerëson se integrimi europian është një prioritet shtetëror dhe kombëtar. Gjithashtu integrimi europian është i lidhur dhe me çështje të sigurisë në mbrojte të vlerave demokratike. Partia Demokratike do të punojë fort për anëtarësim të plotë të vendit në BE brenda vitit 2030. Dhe këtë do ta arrij përmes çmontimit të pengesave për të qenë pjesë e familjes së madhe të BE: mbështetje të organeve të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, ndarjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe ndërtimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndaj Partia Demokratike mbështet nismat rajonale që synojnë integrimin euroatlantik të Rajonit. Çështje prioritare e jona është interesi shqiptar në rajon, mbrojta e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Propozimi i Kryetarit të PD-së Z. Lulzim Basha mbi planifikim në buxhet të një fondi për Kosovën, dëshmon qasjen tonë se siguria e Kosovës është siguria jonë. Mbështetja e faktorit shqiptar në Rajon është vizioni ynë për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë. Partia Demokratike i konsideron marrëdhëniet me partnerit tonë strategjik SHBA si të patjetërsueshme dhe konsolidimi i marrëdhënieve me to do të vijojë të jetë prioriteti ynë i politikës sonë të jashtme dhe rajonale.

-Cilat janë planet e PD për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të krijuar vende të reja pune?

Në programin tonë qeverisës kemi parashikuar taksën e sheshtë me qëllim që barra tatimore të shpërndahet e barabartë. Vendosja e taksës së sheshtë i shkon për shtat nevojave që ka ekonomia sot. Forcimi i shtresës së mesme dhe zgjerimi i saj do të ndryshonte ekuilibrat ekonomikë. Me reforma strukturore dhe luftën ndaj korrupsionit synojmë rritje ekonomike: mbështetje biznesit me taksa të ulta dhe uljen e burokracisë, nxitja e sipërmarrjes do të krijojë hapjen e vendeve të reja pune dhe do të mbajë të rinjtë në Shqipëri. Liria e tregut, sipërmarrja e ndershme, taksa të ulta përmes mirëqeverisjes Partia Demokratike parashikon ulje të varfërisë me 50% në mandatin e parë. Përmes nxitjes së qendrave sociale për të rinjtë me pronat e konfiskuara nga ligji antimafia, taksat e ulta, mbështetje të bizneseve për rritjen e punësimit të të rinjve, grave dhe të tjerë si dhe mbështetja për ekonominë digjitale do krijojë mundësi të hapjeve të vendeve të reja të punës.

-Si do të bashkëpunojë PD me institucionet e tjera të vendit për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit?

Partia Demokratike do të respektojë institucionet , lirinë dhe pavarësinë e tyre sepse në besojmë se kjo është rruga e vetme që të ndërtojmë një shtet ku institucioni respektohet, ligji zbatohet dhe e drejta e qytetarit është prioritare. Ne këtë e kemi dëshmuar edhe përgjatë kësaj kohe ku respekti ndaj vendimeve institucionale, për PD është ligj që duhet të zbatohet. Përmes projekt-ligjeve dhe amendamenteve të dorëzuara në Kuvendin e Shqipërisë ne kontribuojmë në përmirësimin dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të qytetarëve. Qëndrimi ynë i panegociueshëm ndaj korrupsionit dhe luftës pa kompromis ndaj tij e bëjmë çdo ditë, përmes denoncimeve dhe kallëzimeve në organet përkatëse dhe transparencës me publikun. Ne jemi duke e bërë tani në opozitë këtë dhe do ta forcojmë më tej kur të jemi në pushtet.

-Si mendoni se PD mund të përdorë me efikasitet median dhe rrjetet sociale për të komunikuar me qytetarët dhe për të promovuar politikat e saj?

Partia Demokratike do të përdorë më së miri në shërbim të qytetareve të gjithë burimet mediatike vetëm përmes së vërtetës, llogaridhënies dhe dhënies së alternativave për zgjidhje të problemeve. Propaganda dhe fasada për të kamufluar të vërtetën nuk janë dhe nuk do jenë pjesë e politikës sonë. Në fakt qytetarët kanë ndjeshmërinë dhe zgjuarsinë që të kuptojnë kur je, dhe kur nuk je i vërtetë. Ndaj këto shpikje të njerëzimit: televizorin, rrjetet sociale, inteligjencën artificiale që na krijon mundësinë e kontaktit më të shpejtë me qytetarët, PD do ta përdorë për të mirë e tyre pasi, shqiptarët meritojnë më shumë, Shqipëria meriton më shumë!

Intervistoi: Rigels Seliman

Artikulli paraprakPërfundimi i luftës në Kosovë, 25 vite nga bombardimet e NATO-s! Nga dorëzimi i Millosheviçit, tek shpallja e Pavarësisë
Artikulli tjetërAdnan Dibrani bëhet deputeti i parë shqiptar nga Kosova në Parlamentin Evropian