Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri ka komentuar aktualitetin politik dhe programin e PD. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, numri 2 i demokratëve premtoi se paratë e korrupsionit të qeverisë Rama do t’u kthehen në shërbime qytetarëve, kur Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha do të vijë në pushtet. Ndërkohë zonja Pampuri thekson se qeveria Rama ka pasur prioritetet e gabuara në qeverisjen e vendit, duke i dhënë përparësi koncesioneve korruptive dhe oligarkëve, në vend të rritjes të punësimit apo të krijonte mundësi për të rinjtë. Sipas saj, qytetarët kërkojnë tashmë një alternativë dhe një ekip, prandaj edhe PD ka dalë me një ofertë programore të mirëstudiuar nga ekspertët, me piroritetet e duhura dhe e implementueshme. Sakaq, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gaztës “SOT”, Rigels Seliman, ligjvënësja demokrate nënvizon se programi i Partisë Demokratike zyrtare fuqizon familjen dhe shtresën e mesme, do të ndalojë shpopullimin dhe dyfishojë ndihmën ekonomike për shtresat në nevojë.
-Zonja Pampuri, cilat janë prioritete kryesore të PD në këtë moment?
E gjithë periudha e ristrukturimit të Partisë Demokratike, në çdo degë përveç zgjedhjeve, shërbeu edhe për të mundësuar takime dhe bashkëbisedime me qytetarë nga veriu në jug, të cilët shpalosën problematika me të cilat përballen, duke filluar nga taksa e larta, vështirësi për mbijetesën dhe mbarëvajtjen e biznesit të vogël, pensione të ulëta, paga të ulëta krahasuar me inflacionin dhe rritjes së çmimeve shportës dhe çdo produkti tjetër për shtëpinë dhe familjen, pagesa të larta për shëndetësinë, pamundësi për të rinjtë dhe profesionistët për të gjetur mundësi punësimi dhe motiv për të jetuar në këtë vend, e shumë shqetësime të tjera, të cilat janë pasqyruar në programin e PD, duke u konsultuar me ekspertët më të mirë të ekonomisë, me qëllim që çdo propozim për zgjidhje të jetë i implementueshëm.
-Si mendoni se PD mund të kontribuojë më së miri në përparimin e vendit në këtë kohë?
Partia Demokratike është në shërbim të qytetarëve dhe të gjitha energjitë, vizionin dhe programin e ka të fokusuar tek ata. Duke prezantuar një program që është afër nevojave të qytetarëve. Sot shumë çifte të reja e kanë të pamundur të krijojnë familje, për shkak të pamundësisë për të patur një banesë ku mund të jetojnë, Partia Demokratike, në programin e saj qeverisës propozon subvencionimin e interesit të kredisë për banim për 30.000 çifte të reja. Vitet e fundit Shqipëria është përballur me një ulje drastike të lindshmërisë, si për shkak të emigracionit ashtu edhe për shkak të pamundësisë së çifteve të reja për të ndërmarrë një përgjegjësi, e cila përveç dëshirës kërkon dhe aspektin ekonomik për të përballuar mirërritjen e fëmijës, PD sikurse çdo vend i zhvilluar ka vepruar, propozon 2000 euro për bebin e parë dhe të dytë dhe 20.000 euro për bebin e tretë. Rritja e papunësisë, rritja e nivelit të varfërisë ka bërë që shumë familje, të cila e kanë të pamundur mbijetesën, të bëhen pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, duke kaluar burokraci e shpesh duke e përdorur për qëllime elektorale në kohë fushate, e në fund duke i ofruar një shumë që nuk përmbush nevojat e tyre. Partia Demokratike propozon dyfishimin e ndihmës ekonomike. Personat me aftësi të kufizuar nuk ndjehen të përfaqësuar dhe të përfshirë në administratën publike, kanë vështirësi punësimi, dhe vështirësi për të përballuar jetesën. Partia demokratike propozon incentiva në taksim për çdo kompani private që punëson persona të kësaj kategorie, gjithashtu përfshirja e tyre në administratë dhe vendimmarrje do të jetë prioritet, po ashtu rrisim me 70% të pagës minimale, pagesën për këtë target grup. Një program premtues dhe një ekip me integritet dhe me një karrierë të mirë profesionale, janë një alternativë premtuese për Shqipërinë dhe Shqiptarët.
-Çfarë strategjish ka PD për të adresuar çështjet kyçe sociale dhe ekonomike?
Strategjia kyçe është vendosja e prioriteteve, mirëmenaxhimi i çdo qindarke të buxhetit të shtetit dhe i taksapaguesve, duke e kthyer në shërbim të plotë të nevojave të qytetarëve. Sot qeveria Rama ndodhet në nivelet më të larta të korrupsionit, përgjatë 11 viteve çdo konçension, tender apo PPP, ka qenë korruptiv, duke drejtuar paratë e taksapaguesve jo në shërbim të qytetarëve, por në xhepat e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës. Inceneratorët, koncesionet në shëndetësi, fondet për bujqësinë, zonat turistike duke ua besuar miqve si investitorë strategjikë, pra çdo qindarkë e taksapaguesve është përdorur nga Rama për t’i shërbyer atij dhe miqve të tij, duke u fshehur pas shou-t me koncesionet, inceneratoret etj. Paratë e korrupsionit të qeverisë Rama, do tu kthehen në shërbime qytetarëve.
-Çfarë mendoni për rolin e PD në mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës?
Partia Demokratike ka qenë në krah të drejtësisë, për të ndërtuar shtetin e së drejtës e për t’i dhënë fund pandëshuekshmërisë. Për këtë kemi propozuar dy amendamente për të mbështetur SPAK, kemi propozuar vetting për politikanët dhe heqje imuniteti për deputetët, por që mazhoranca nuk i merr në konsideratë, pasi është vetë Rama që e katandisi Shqipërinë në këto nivele, ku bandat dhe krimi janë një me politikanët dhe janë ata që kanë ndikim të rëndësishëm në fushata elektorale, e sipas ish zv kryeministrit e ish ministrit të financave me i mbrojturi nga Rama e sot në hetim e në arrati. Një mazhorancë që prodhoi kryebashkiakë me preçedentë, ish ministra nën hetim, ish deputetë e ish kryebashkiakë pas hekurave, e ish ministra që kanabizuan vendin. Ndaj dhe në një situatë aspak normale ku ndodhej drejtësia, dhe nivelit të lartë të pandëshkueshmërisë në këto 34, u ngrit struktura e posaçme antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar e cila ka dhe do zë jetë të gjithë mbështetjen e Partisë Demokratike.
-Si do të vepronte PD për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve nëse do të ishte në pushtet?
Nxitje punësimi, nëpërmjet uljes së taksave asaj progresive, të sheshtë dhe të të ardhurave personale me 9%, taksë 0 për biznesin e vogël me të ardhura vjetore deri 14.. milion lekë të reja. Rritje prej 5% në vit te pensioneve, dhe indeksimi sa dyfishi i vlerës së inflacionit, dhe për pensionet e ulëta bonus periodik prej 25.000 lekë të reja. Orari i shkollës deri në 16.00, ku fëmijët do të kenë ushqimin, aktivitete sportive dhe kulturore dhe studim. Çka do t’i japë mundësi nënave që shpenzojnë kohë para dyerve të shkollave dhe duke mos punuar, për të dërguar e marrë fëmijët nga shkolla, për t’i dërguar në kurse e aktivitete sportive e kulturore, të punësohen dhe të sjellin një rrogë më shumë në familje. Me këtë sistem ka nevojë për më shumë mësues, psikologë, punonjës socialë, çka rrit numrin e të punësuarve. Për biznesin i vogël, profesionet e lira, krijohet frymëmarrje, dhe kështu nxitet punësimi dhe në sektorë të tjerë. Çdo propozim është i implementueshëm, mjafton mirëmenaxhimi dhe dëshira për të ndryshuar këtë vend dhe për ta bërë alternativë ftuese për çdo shqiptar, që sot merr rrugën për të emigruar, nga një vend që nuk i ofron asgjë, madje ia bën jetesën gjithnjë e më të vështirë.
-Cili është qëndrimi juaj në lidhje me çështjet kryesore të politikës së jashtme të vendit?
Një nga çështjet më të rëndësishme sa i përket politikës së jashtme ka qenë vëmendja ndaj luftës në Ukrainë dhe ndikimit rus. Kryetari i Partisë Demokratike Z.Lulzim Basha, përveç rolit mbështetës si kryetar i opozitës ndaj çdo iniciative të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian, ka patur një rol kyç, duke u caktuar nga Bashkimi Europian si reporter për konfiskimin e aseteve ruse, i cili propozoi dhe rezolutën për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës, e cila u votua me votë unanime në Parlamentin Europian. Po ashtu ruajtja e standardeve të vendosura nga aleati ynë strategjik, dhe qëndrimi i palëkundur krah tyre. Një çështje e rëndësishme sot për Shqipërinë është integrimi në BE, i cili duke përmbushur të kërkesat, që kryesohen me fundin e krimit të organizuar, fundin e korrupsionit duke qëndruar të palëkundur në mbështetje të drejtësisë së re. Marrëdhënia e Shqipërisë me përfaqësuesit ndërkombëtarë është jetike për të ardhmen e vendit.
-Si mendoni se PD mund të përdorë me efikasitet median dhe rrjetet sociale për të komunikuar me qytetarët dhe për të promovuar politikat e saj?
Përgjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë që kaloi Partia Demokratike, sigurisht nevoja për një pasqyrim të drejtë dhe të paanshëm të ngjarjeve që mbajtën peng opozitën, ka qenë e nevojshme madje e domosdoshme, dhe këtë mund ta mundësojë një media e lirë, dhe e paanshme. Një nga pushtetet e rëndësishme është media e cila ka detyrim thelbësor të paraqesë të drejtën, të vërtetën ashtu siç është të padeformuar, nxitur nga interesave personalë. Përveç tryezave të diskutimit me grupe të interesit, shpalosjes së ofertave të programit përgjatë takimeve me qytetarët, një tjetër mundësi përçimi është media e shkruar dhe elektronike, e cila në paanësinë e saj duhet të shpalosë çdo propozim, me qëllim që shqiptarët të njihen me çdo alternativë dhe të jenë më të qartë në zgjedhjen që bëjnë. Deformimi, shpifja mediatike, pengon zhvillimin, dhe po ashtu pengon përçimin e alternativës më të mirë, çka pengon shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e duhur.
Intervistoi: Rigels Seliman