Nëse marrim rastin e Europianit, ku pas 2 ditësh do të nisë në Gjermani, patjetër që një grup i mirë futbollistësh e ka të nevojshëm një trajner të mirë që t’i dërgojë drejt një suksesi të tillë. Puna e një trajneri në ekip kombëtar është e ndryshme nga ajo e një klubi ku punohet më intensivisht. Megjithatë, nëse shohim timonierët që do të shoqërojnë këto ekipe në fazën finale të Europianit, Silvinjo është i vetmi trajner nga Amerika Latine që drejton në këtë turne, pasi të gjithë të tjerët janë nga Europa.
Braziliani 50-vjeçar ka lindur në Sao Paolo. Gjithashtu, edhe ndihmësit e tij, Pablo Zabaleta dhe Doriva, janë po nga Amerika Latine, argjentinas dhe brazilian. Një pjesë e mirë e kombëtareve kanë zgjedhur trajner vendës si: Gjermania, Skocia, Zvicra, Spanja, Italia, Anglia, Sllovenia, Danimarka, Serbia, Franca, Holanda, Polonia, Rumania, Çekia dhe Ukraina, ndërsa për të huajt, ata italianë udhëheqin, pasi janë 5 të tillë si: Spaleti, Montela, Rosi, Kalzona dhe Tedesko.