Alice në Rakiland

NGA EDISON YPI

Edith Durham ishte dashamire me Shqipërisë. Por e paraqiti si vend të çuditshëm, misterioz, ekzotik. Me njerëz si shkaba që i kanë foletë në shkëmb dhe jetojnë qindra vjet. Nuk sëmuremi se jemi prej graniti. Mëngjes, drekë darkë, hamë uranium, radium, Pluton. Lindim femra trimnesha, që bëhen burrnesha, mbeten virgjëresha. Japim besën. Mbajmë fjalën. Respektojmë Kanunin. Edith Durham na paraqet si gjallesa interesante, kurioze, por të thjeshta, primitive, njëqelizore, dydimensionale, për t’u varur te gozhda e Vermoshit të hartës së Botës. Pak a shumë kështu e kanë paraqitur Shqipërinë dhe shqiptarin edhe të tjerë europianë që kanë udhëtuar në viset tona.

Alice Taylor nuk ngjan me pararendësit e Saj. E ka zhbërë këtë tabu. E ka braktisur atë klishe idilike, romantike, minimalisht realiste. Për Alicen Shqipëria është një vend mesdhetar, tepër atraktiv, tmerrësisht i bukur. Me njerëz energjikë, deri diku të çartun. Vend me diell, klimë fantastike, reliev të thyer. Ku nuk banojnë kreshnikë epesh që rrokullisin shkëmbinj, apo diva që zhvendosin male, thajnë dete, por njerëz të zakonshëm, bërë me baltë Perëndie. Njerëz që sëmuremi. Për mëngjes hamë trahana, në drekë fasule, në darkë përshesh me kos. Nuk jemi fort të përmbajtur. As fort trima nuk jemi. Llafosemi me zë të lartë.

Pimë raki. Hamë shumë mish. Duam më tepër qenin se komshiun etj.. Pra, për Alicen, shqiptarët janë realë, deri diku kompleksë, në mënyrën e tyre edhe të sofistikuar. Dhe, si të tillë, janë më të fortë e më të bukur se kreshnikët që tundin malet. Alice ka konstatuar prej kohësh se në vendin tonë ku pëlqehet dhe pihet raki aq dehëse sa po e ktheve një herë, prej saj nuk ndahesh dot, pra në Rakiland, përditshmëria është plot me të papritura, me dromca mahnitëse që të lënë pa mënt. Me përditshmërinë shqiptare, Alice nuk ka të ngopur, është vazhdimisht e uritur, non stop e etur.

Dromcat, Alice i përjeton në vetë të parë, i dëgjojë në vend, në terren. Kahmos. Kudo ku ndodhin. Afër apo larg. Në qytet apo katund. Nëpër male, fusha, lugina, lumenj, përrenj. Këto dromca, këto eksperienca, këto aventura, Alice i qëmton me pasion të pashterur. Kudo ku ndodhin. Alice e trullosur nga bukuria, dëgjon dhe dëshmon gjithçka dhe për t’i pavdekësuar, i kthen në tekst të përsosur, që e shkruan me përpikmëri kompjuterike, si me rreze laser. Alice i mbledh dromcat shqiptare si mblidhet floriri nëpër rrjedhat e lumenjve. Me durim të madh. Si skllave e përunjur. Gjithë kohën duke rrotulluar sitën të iki uji dhe balta, të mbetet floriri.

Gjatë mbledhjes së grimcave të florinjta, shqisave të Alices nuk u shpëton asgjë. Asnjë detaj. Asnjë nuancë. Asnjë nënkuptim. Alice vëren e mahnitur, për shembull, si i drejtohen bebes, por edhe të rriturve, me komplimente kanibaleske si: Ta kafshoj dorën. Ta ha këmbën. Ta këpus faqen. Ose kur pret të caktojnë një afat që s’do e respektojnë kurrë dhe i thonë: Kësmet. Apo kur, Alice që di shqip, fjalën “Zgjedhjet”, e shqipton me vështirësi. I mbetet nëpër dhëmbë si baltë. Mos u mërzit Alice.

“Zgjedhjet” që ti mezi i shqipton, ne mezi i bëjmë. E të tjera e të tjera dromca shqiptareske që Alice i mbledh për shqiptarët që ta njohin veten dhe të huajt të njohin shqiptarët. Me 250 dromca të tilla, njëra më e bukur dhe më interesante se tjetra, Alice ka bërë një libër. Librin e promovoi. Por unë nuk vajta. Në promovimin e një libri kaq interesant nga një autore perfeksioniste që shkruan me kaq pasion, kaq vullnet, kaq përkushtim, duhej të kisha vajtur me vrap.

Sapo ta merrja vesh se ky promovim do ndodhte, duhej ta flakja lugën me të cilën po haja. Ta mbyllja librin që po lexoja. Të zgjohesha nga gjumi. Të anuloja çdo takim. Të refuzoja çdo angazhim. Por, më rafë pika, asnjë nga këto nuk bëra. Gabim i madh që s’vajta. Mëkat që s’e lan asnjë sapun. S’e fal asnjë hoxhë, asnjë prift, asnjë baba teqeje. Libri i Alice Taylor me 250 aventura nga Shqipëria, nga Rakilandi, dallon kryekrejt nga librat e soc-autorëve të shumtë që sot zhurmojnë gjithandej.

Ata që nënshtrimin e kanë në gjak. Me Lidhjen e Shkrimtarëve i afroi balta e katundit. Në Sigurim i futi Dritëroi. Libri i Alices s’ka asgjë të përbashkët me këta menderlibra dhe lanetërit që i kanë shkarravitur. Krim të madh bëra që nuk vajta në promovimin e librit të Alices. Por pata një arsye për të mos vajtur. Po të shkoja, mysafirët që shkruajnë më ibret se Noc Rroku dhe vishen me “Versace”, mua që shkruaj më bukur se Këtho Spiri dhe vishem me “Waikiki”, do më përbuznin, tallnin, mallkonin, thashethemnonin.

Artikulli paraprakEnriketa Papa: Historia do gjykojë “kapo-bandat” e turmave politike
Artikulli tjetër“Që në orën 02:30 njerëzish prisnin për racionin e qumështit, kurse pak më tej, në ‘Bllok’, Ramiz Alia…”- Shkrimi i ‘New York Times’ për Shqipërinë në mars ‘91