Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se i vetmi opsion i Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian është normalizimi i marrëdhënieve.
DASH ka thënë se SHBA-ja nuk ndryshon qëndrim sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si rrugë për arritjen e një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive mes të dyja shteteve.
“E ardhmja e të dyja shteteve është në institucionet evropiane; normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara. Ne presim që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha zotimet e tyre nga dialogu, plotësisht dhe pa vonesë apo parakushte”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për KOHËN.
Synimi afatgjatë politik i SHBA-së është “njohja eventuale e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë më tej.
Reagimi nga SHBA vjen pas bujës që ka bërë deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se nuk mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian.