Bashkitë nuk ofrojnë shërbime për të moshuarit dhe të rinjtë

Pushteti vendor, duke qenë më afër komunitetit, është ofruesi më i madh i shërbimeve sociale për grupe të caktuara të popullsisë sidomos ato në nevojë.

Ndërsa popullsia shqiptare po moshohet me shpejtësi, Shqipëria po përballet me një sfidë të afërt për të siguruar shërbime të kujdesit afatgjatë të përballueshëm dhe cilësor për të gjithë të moshuarit në nevojë.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri referojnë se rreth 100 mijë persona të moshuar mbi 65 vjeç kanë nevojë për kujdes, por sistemet ekzistuese të pushtetit vendor përmbushin nevojat vetëm për 1.6% të të moshuarve që kanë nevojë për kujdes marrin shërbime të kujdesit social.

Numri i të moshuarve që kanë nevojë për kujdes pritet të rritet më tej në vitet në vijim, sipas Kombeve të Bashkuara. Deri në vitin 2032 do të kenë nevojë për kujdes nga të tjerët mbi 130 mijë të moshuar dhe 160 mijë deri në vitin 2040.

Të moshuarit që jetojnë vetëm në zonat rurale dhe të largëta janë veçanërisht të pambrojtur.

Vlerësohet se 46.0% e popullsisë së moshës 65 vjeç e lart jetojnë në zonat rurale. Ata nuk jetojnë me anëtarët e familjes për t’u kujdesur për ta, as nuk kanë akses në ndonjë formë shërbimi formal të kujdesit afatgjatë, përkujdesje rezidenciale, përkujdesje në shtëpi apo shërbime komunitare.

Të moshuarit në zonat rurale gjithashtu përballen me disavantazhe në pensione, akses në kujdesin shëndetësor dhe programe të tjera të mbrojtjes sociale.

Një analizë e Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD) gjeti se në 7 bashki, përkatësisht në Libohovë, Këlcyrë, Dropull, Memaliaj, Mirditë, Fushë-Arrëz, Himarë nuk ofrohet asnjë shërbim për asnjë grup.

Në 20 bashki, përkatësisht në Kuçovë, Shijak, Skrapar, Bulqizë, Klos, Belsh, Peqin, Gramsh, Patos, Mallakastër, Divjakë, Përmet, Tepelenë, Devoll, Has, Tropojë, Vorë, Rrogozhinë, Delvinë, Konispol, ofrohen shërbime vetëm për një grup në nevojë.

Në 14 bashki, përkatësisht në Poliçan, Dimal, Cërrik, Librazhd, Përrenjas, Roskovec, Kolonjë, Kurbin, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës, Kavajë, Finiq, Selenicë, ofrohen shërbime për dy grupe në nevojë. Në 2 bashki, në Mat dhe Pustec, ofrohen shërbime për 3 grupe në nevojë.

Në 2 bashki të tjera, në Bashkitë e Kukësit dhe Kamzës ofrohen shërbime për 4 grupe. Në 4 bashki, përkatësisht në Sarandë, Maliq, Fier, Dibër ofrohen shërbime për 5 grupe.

Në 6 bashki, përkatësisht në Berat, Krujë, Lushnjë, Gjirokastër, Pogradec, Lezhë ofrohen shërbime për 6 grupe.

Në bashkitë e Vlorës dhe Durrësit ofrohen shërbime për 7 grupe. Në Elbasan dhe Korçë ofrohen për 9 grupe, në Shkodër për 10 grupe, ndërsa në Tiranë ofrohen shërbime për të gjitha grupet.

Analiza tregon se të rinjtë në konflikt me ligjin, viktimat e trafikut dhe të rinjtë me probleme sociale dhe ekonomike janë grupimet më pak të trajtuara me shërbime.

Vetëm 0,6% e shërbimeve komunitare, 0,7% e qendrave ditore, 0,8% e shërbimeve të specializuara, 1% e shërbimeve në familje dhe 1,6% e shërbimeve të këshillimit, janë të orientuara për të ndihmuar mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të të rinjve në konflikt me ligjin, grupimi më pak i trajtuar me shërbime të përkujdesit shoqëror.

Individët në nevojë ekonomike dhe sociale të evidentuar nga PNUD përbëjnë grupin me peshën më të madhe, 31%, i pasuar nga “Të moshuarit”(24%), “Të rritur AK” (18%), “Fëmijë në kushte kritike” (10%), “Pa strehë”(6%), “Gra” (5%), “Fëmijë AK” (4%) dhe “Të rinj në nevojë” (1%)

Qarku me numrin më të vogël të individëve në nevojë në raport me popullsinë është Gjirokastra, ndërsa ai me përqindjen më të lartë është Tirana.

Përfituesit e shërbimeve të përkujdesit shoqëror përfaqësojnë vetëm 3,4% të përfituesve të ndihmës monetare, gjë e cila kërkon trajtimin me përparësi të nevojës së fuqizimit të shërbimeve ekzistuese si edhe të ndërtimit të shërbimeve të reja.

Vlerësimi cilësor argumenton nevojën e ndërtimit të 384 shërbimeve të tjera, nga të cilat rreth 25% duhet të shërbejnë për të moshuarit, ndërsa 18% për të rritur me aftësi të kufizuar.

 

Si po tkurret popullsia e bashkive

Të dhëna të detajuara të INSTAT për ndryshimet e popullsisë tregojnë se nga 61 bashki që ka vendi, në 50 prej tyre popullsia është në rënie të shpejtë edhe pa efektet e emigracionit ndërkombëtar.

Në fillim të vitit 2023, vetëm popullsia e 11 bashkive është rritur, duke marrë parasysh rritjen natyrore të popullsisë dhe migracionin e brendshëm neto, ndërsa të gjitha bashkitë e tjera patën rritje negative të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar.

Bashkia e Tiranës ka pasur rritjen më të lartë të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar, pasi u shtua me 8.612 banorë, e ndjekur nga Bashkia e Kamzës, e cila u rrit me 1.957 banorë.

Nga ana tjetër, Bashkia e Korçës kishte rënie të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar, pasi ajo u ul me 726 banorë, e ndjekur nga Bashkia e Patosit, e cila u ul me 595 banorë.

Pa përllogaritur efektet emigracionit jashtë vendit u rrit vetëm në bashkinë e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Krujës, Tiranës, Kamzës, Vorës, Shijakut, Kavajës, Vlorës dhe Sarandës.

Emigracioni i jashtëm është një ndër shkaktarët madhorë të rënies së popullsisë në vend, por aktualisht edhe pa këtë fenomen, popullsia po shkon drejt pakësimit për shkak të rënies së lindjeve.

Popullsia zyrtare e vendit përllogaritet rreth 2,7 milionë banorë, por rezultatet e sakta pritet të dalin nga Censi i këtij viti.

Gjithashtu migrimi brenda Shqipërisë ka ndikim të rëndësishëm në popullsinë e njësive administrative.

Në vitin 2022, në nivel qarku, vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kishin migrim të brendshëm neto pozitiv (më shumë të ardhur se sa të larguar), përkatësisht me 7.366 Tirana, 1.182 Durrësi dhe 239 Vlora (të ardhur më shumë se sa të larguar).

Të gjitha qarqet e tjera kanë pasur migracion të brendshëm neto negativ gjatë vitit 2022, në veçanti qarqet e Dibrës dhe Elbasanit, me -1.822 dhe -1.283 respektivisht.

Rezultati i ri mbi popullsinë reale që jeton në vendin tonë do të diktojë një riorganizim të ri territorial, pasi bashki të tëra rrezikojnë të shuhen në një të ardhme jo të largët nga pakësimi i banorëve dhe lindshmëria e ulët.

 

Harta Bashkite 1135

“Monitor.al”

Artikulli paraprakQumështi i importit “mbyt” prodhuesit
Artikulli tjetërFestohet sot Kurban Bajrami, besimtarët myslimanë falin Namazin në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë!