Blushi: Dako sekser i Ramës tek lirimi i Lul Berishës

Deputeti Ben Blushi, kryetar i Partisë Libra, tha se qeveria që pretendon se ka fituar zgjedhjet në Kolonjë dhe Dibër ka humbur në Bruksel, duke theksuar se Shqipëria nuk ka një datë për hapjen e negociatave dhe vitin tjetër kjo datë mund të përfundojë në shtigje të panjohura.
Duke u ndaluar tek rasti i Lulzim Berishës, Blushi tha se lirimi i tij u bë me ndërmjetësimin e Vangjush Dakos, fytyra e rilindjes siç theksoi ai, duke e konsideruar sekser midis gjykatës dhe të akuzuarit për pesë vrasje.
“Pse kërcënohet drejtësia në Shqipëri? Kërcënohet nga Gjykata Kushtetuese? Qeveria thotë po! Nuk është vetëm kaq! Duhet të marrim rastin që ndodhi në Durrës. U lirua njëri që ka vrarë 5 vetë, kreu i Bandës së Durrësit. Pse u lirua ky njeri? U lirua sepse një kryetar bashkie me mandat politik që është fytyra e vërtetë e rilindjes i dha një vlerësim pozitiv dhe bëri sekserin mes gjykatës dhe vrasësit.
Kjo do të thotë pra, se është politika mbas shumicës së vendimeve. Si ka mundësi? Si shumicë, Rilindja e ka të përsëritur këtë gjë me kryetar bashkie që ndërhyjnë për të shpëtuar nga burgu. Nuk flas për gjynahqarë që hyjnë në burg për 5 mijë lekë. Rasti i Kavajës është i përsëritur. Për të mos folur për shumë deputetë këtu që i kap procesi i dekriminalizimit. Çfarë ndodhi në Durrës?
Gjykata kërkoi mendim tek bashkia dhe i tha këtë vrasësin mund ta nxirrni sepse i siguroj punë. Ndërkohë që më përpara tha se këtë vrasësin mund ta nxirrni se qenka i sëmurë. Kë do të marrë në punë? Njërin që është vrasës apo atë që është i sëmurë? Do ta çojë në punë vullnetare për të pastruar bulevardin e Durrësit. Kushdo që e mbron këtë rast ka diskredituar procesin e Vettingut, reformën në drejtësi dhe kjo është arsyeja që nuk morëm statusin.
Çmimi i Gjushit të Durrësit, Arben Nokës, Klement Balilit, Elvis Rroshit. Ky është çmimi. Nuk hyjmë në BE për shkak të miqësive që kryeministri ka me këta tipa. Kjo është arsyeja sepse gjykatat nënshtrohen, Vettingu nuk funksionon, Vettingu nuk ka për të funksionuar sepse gjykatat kanë frikë nga qeveria.
Në qoftë se Vettingu është bërë që gjykatat të kenë edhe më shumë frikë ndaj kësaj qeverie apo qeverive të tjera, sigurisht do të ndodhë prapë Durrësi. Elvis Rroshi është në detyrë. A ka mundësi që një parti normale në Evropë të mbajë në punë një njeri që gjykatat e kanë pezulluar nga puna dhe ai shkon e firmos në Kavajë? Gjushi vjen pas tij. Ka deputetë këtu që kanë vrarë dhe erdhën e votuan buxhetin para dy javësh. Ku mund të ndodhë kjo? Besoni se shqiptarët do ta besojnë se procesi i Vettingut është serioz”, tha Blushi.

Artikulli paraprakDule: Rama, dështim i dështimeve
Artikulli tjetërTopalli: SHBA kushtëzon marrëdhëniet me arrestimin e Balilit