Kostot e larta të prodhimit po ndikojnë negativisht në industrinë vendase të lëndëve të para dhe po e shtyjë atë përpunuese drejt importeve.
Më e dukshme kjo tendencë është në industrinë e përpunimit të qumështit.
Si për drejtuesit e fabrikave të përpunimit, edhe ekspertët e blegtorisë, heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme, informaliteti i lartë i shitjes së qumështit nga fermeri dhe subvencionet e ulëta krahasuar me rajonin janë problematikat kryesore që po shkaktojnë vështirësi jo vetëm për blegtorët dhe fabrikat e përpunimit, por për ekonominë në tërësi.
Në muajin prill, për shkak të konfliktit me çmimet nga fabrikat, nuk u ble qumësht te fermat e mëdha dhe të mesme.
Të vetmit që shisnin qumësht me çmim 60 lekë pa TVSH për litër ishin fermat e vogla. Ulja e çmimit të shitjes detyroi blegtorët të dalin dy herë në protestë, në mbrojtje të prodhimit tyre, duke kërkuar më tepër subvencione nga shteti shqiptar.
Përpunuesit më të mëdhenj në vend pohojnë se çmimi i qumështit të prodhuar në vend është 38 cent më i shtrenjtë se qumështi i importuar si lëndë e parë, nga Sllovenia, Serbia apo Hungaria, dukë përfshirë taksat dhe kostot e transportit.
“Ne mbledhim vetëm qumësht lope dhe për momentin e grumbullojmë nga fermeri vendas, me çmim nga 60 deri në 66 lekë pa TVSH në varësi të cilësisë.
Qumështin e kemi marrë nga 3 fermat më të mëdha, furnizues të tjerë kemi edhe rreth 50 ferma të mesme dhe janë me qindra ferma të vogla.
Për momentin, qumështi në shtetet si Sllovenia, Hungaria etj., gjendet më lirë, pasi ata kanë produktivitet më të lartë në stalla dhe kosto më të ulët sesa fermeri vendas”, pohon Luis Ndreka, nga kompania ADG (ish-Lufra).
Ervin Resuli analizon se arsyeja kryesore e kostos së lartë të prodhimit në Shqipëri mbeten subvencionet e ulëta që shteti jep për fermerët krahasuar me rajonin.
“Në Serbi, shteti e subvencionon fermerin 350 euro për lopë + 17 lekë për litër qumësht të prodhuar (në 2023 subvencioni për litër qumësht të prodhuar nga 15 lekë u rrit në 17 lekë në 2024).
Në total për 6 mijë litra qumësht të prodhuar në vit nga 1 krerë lopë + subvencionin për krerë, në total fermeri subvencionohet 1,350 euro për lopë. Me këtë nivel subvencioni, fermeri në Serbi fitimin e ka të mbrojtur nga shteti.
Prandaj dhe qumështin e shet më lirë sesa fermeri shqiptar, pothuajse në koston e prodhimit.
Në Kosovë, subvencionet arrijnë 600 euro për 1 krerë lopë. Në Maqedoninë e Veriut, fermeri subvencionohet 250 euro për krerë lopë + 10 lekë për litër qumësht lope të prodhuar. Në total, përfiton në vit 900 euro subvencionim për qumështin.
Në Shqipëri, blegtori shqiptar përfiton 10,000 lekë për krerë lopë + naftën falas. Në total, subvencioni i përfituar për lopë arrin 120 euro në vit.
Pra subvencionet e dhëna në Shqipëri për blegtorët janë në nivele shumë të ulëta, të cilat e bëjnë të pamundur prodhimin me kosto të lirë”.
Edhe Gerald Zyfi, administratori i punishtes “Zyfi Farm”, thotë se problematika kryesore te çmimi i lirë i qumështit të grumbulluar mbeten subvencionet shumë të ulëta që jepen nga shteti për fermerët në krahasim me rajonin.
“Në Shqipëri, mungon dhënia e subvencionit të qumështit për litër të prodhuar, ndërsa subvencionet e dhëna për krerë janë “lëmoshë”. Ndërsa çmimi vijon të mbetet më i lartë për fermerin, pasi kostot e prodhimit janë më të lartë krahasuar me rajonin”, pohon ai.
Shoqata e Industrisë së Përpunuesve Shqiptarë ka paralajmëruar më herët se nëse situata vazhdon në të njëjtën formë, atëherë produktet e importit do të jenë edhe më të pranishme në tregun tonë, duke nxjerrë jashtë tregut produktet vendase, të cilat nuk do të jenë më të pëlqyeshme nga konsumatori dhe kompanitë prodhuese shqiptare detyrimisht do të shkojnë drejt një falimenti të sigurt.
“Nëse qeveria nuk do të shtojë subvencionet e duhura për blegtorët, në mënyrë që të kenë kosto më të ulëta për prodhimin e qumështit, çka do të sillte çmim, të njëjtë ose shumë të përafërt, të qumështit të blegtorëve shqiptarë me çmimin e qumështit të freskët nga blegtorët e rajonit/BE dhe nëse nuk do të ketë çmime të njëjta për naftën, energjinë elektrike, gazin, sektorit të përpunimit të qumështit do t’i shtohen vështirësitë.
Si pasojë, produktet e importit do të dominojnë dhe do të jenë të pranishme çdo ditë dhe më tepër në raftet e marketeve, supermarketeve dhe në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë”, pohoi më herët shoqata.
Heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së
Për drejtuesit e fermave të mëdha, njohës të sektorit, gremina ka nisur që me heqjen e skemës së TVSH-së së kreditueshme.
“Shumica dërmuese e fermave të vogla shesin qumështin pa faturë, pra operojnë totalisht në informalitet. Nëse një përpunues blen qumësht nga ferma e vogël e palicencuar, sipas ligjit duhet të lëshojë autofaturë për mallin e blerë dhe do të fillojë me -20%, që në këtë mënyrë ka vrarë veten.
Në këtë situatë, kur fermerët e vegjël nuk janë të formalizuar, kjo fabrikë që blen qumësht nga një fermë e vogël informale ka dy mënyra për të vepruar, ose do të blejë në të zezë dhe do të shesë edhe vetë në të zezë, ose do të blejë qumësht jashtë me çmim më të lirë.
Ku është shteti në zgjidhjen e kësaj situate? Skema për kreditimin e TVSH-së ndihmonte në formalizimin e fermerit të vogël, ndërsa autofaturimi është vetëvrasje”, pohoi një nga drejtuesit e fermave më të mëdha me lopë, dele dhe dhi në vend.
Përfaqësuesit e sektorit kanë ngritur shpeshherë shqetësimin për rritjen e kostove të prodhimit nga heqja e skemës së TVSh-së së kreditueshme. Në 2017, rimbursimi i TVSH ishte 20%.
Skema e rimbursimit të TVSH-së iu mundësonte përpunuesve kompensimin e TVSH-së së zbritshme kur blinin mall të shoqëruar me faturë tatimore nga fermerët.
Kompensimi me 20% i TVSh-së për periudhën tatimore, iu linte marzh të lartë fitimi përpunuesve, edhe kur e blinin qumështin nga fermeri me çmim të lartë. Më pas, nga 2019 deri në 2022, TVSH e kreditueshme u ul nga 20% në 6%.
Ndryshimet fiskale të 2019-s sollën uljen e nivelit të TVSh-së 6% në blerje (faturim me 6% të TVSH për qumështin që blihet nga fermerët) dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit. Ndërsa prej vitit 2022, TVSH e kreditueshme u bë 0%.
Shoqata e Industrisë së Përpunuesve propozoi se heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme të zëvendësohej me një skemë të ngjashme me vendet e rajonit, që TVSH-ja të faturohet e njëjtë si në blerje, ashtu edhe në shitje, në nivelet 6 ose 9%.
Kërkesa e tyre nuk u miratua nga Ministria e Financave, në hartimin e buxhetit të vitit 2022. Heqja e skemës së TVSh-së së rimbursueshme u zëvendësua me dhënie të subvencioneve direkte deri në 10,000 lekë për krerë bagëtish apo lopësh.
Përpunuesit paralajmëruan se dhënia e subvencioneve direkte për krerë nuk do ta lehtësonte në kosto fermerin shqiptar, kur në të gjithë rajonin aplikohen dhënie subvencionesh për litër qumësht të prodhuar.
Krahas vendimmarrjes për heqjen e skemës së TVSh-së së rimbursueshme tek agropërpunuesit, u miratua edhe vendosja e TVSH-së së inputeve bujqësore 10%, ku prej 2018-s ishte zero.
Gjithashtu nga 1 korriku 2022 u vendos edhe akcizë 6 lekë për litër për gazin, duke shtuar koston e prodhimit nga fabrikat e qumështit.