Basha përgënjeshtron Berishën: Një opozitë e mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi i shërben Ramës. Shqiptarët do kenë alternativën që meritojnë
Pasi Gjykata e Apelit në Londër la në fuqi shpalljen “non grata” të Sali Berishës në Britani, ish kryeministri akuzoi Lulzim Bashën për sanksionimin e tij nga Britania e Madhe. Ndërkohë Basha nga ana tjetër i është përgjigjur menjëherë këtyre akuzave duke deklaruar se pretendimet imagjinare nuk ndihmojnë opozitën, e cila nuk meriton të jetë peng i anktheve personale të Berishës.
Në postimin e tij në Facebook, Basha shkruan se Berisha dhe Rama janë në lojë me njëri tjetrin, duke dëmtuar interesat e qytetarëve shqiptarë.
Reagimi i Lulzim Bashës:
Në vend që të sqarojë demokratët për pengimin që po i bën opozitës për interesa thellësisht personale, Berisha ngre pretendime imagjinare ndaj meje pas humbjes së gjyqit për heqjen e “Non gratës” nga Britania e Madhe.
Për çdo shqiptar sot është e qartë, dhe u faktua edhe me vendimin e paligjshëm për Partinë Demokratike, se Sali Berisha është në të njëjtin pazar me Edi Raman, siç ishte me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.
Sali Berishës i duhet vula për të përdorur demokratët si mburojë për hallet e tij dhe familjes së tij; Edi Ramës pushteti për t’u mbrojtur nga i njëjti fat si paraardhësi i tij.
Përrallave të Sali Berishës u ka dalë boja prej tre vitesh. Përmes tyre mban peng Partinë Demokratike për hallin e tij personal, duke vazhduar pazarin e vjetër me Ramën, për të mbajtur status quo-në.
Rruga pa krye ku ka futur veten dhe demokratët është sot e vetmja arsye pse qeveria më e korruptuar në Europë qëndron në këmbë.
Pengimi i ndryshimit, pengimi i Reformës Zgjedhore, sulmet ndaj SPAK, amnistimi i të korruptuarve, pazari për vulën, janë prova të qarta të bashkëpunimit Rama-Berisha, për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve.
Shqiptarët nuk meritojnë një opozitë të mbyllur në ankthin e interesave personale të një individi, i cili sot i bën fresk qeverisë vetëm për hallin e tij.
Qeveria më e korruptuar në Europë meriton të ketë përballë alternativën që u ofron shqiptarëve ndryshim.
Loja hilacake mes Ramës dhe Berishës për të mbrojtur gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ekonomia, politika dhe demokracia shqiptare, duhet dhe do të marrë fund.
Shqiptarët meritojnë më shumë!