“Para ndeshjes me Italinë arrestuan 3 futbollistë për veprimtari komuniste”, takimi me Qazim Mulletin për lirimin e tyre! Rrëfimi i ish-futbollistit: Ja pse humbëm

Pas atij takimi, ne do të ndesheshim në finale, me ekipin e “Autoccentos”, ndaj të cilit ishim përgatitur shpirtërisht dhe fizikisht për të fituar, por nuk ja arritëm dot. Shkak për humbjen e asaj ndeshje, ishte mungesa e tre lojtarëve tanë kryesorë; Maliq Petrela, Ali Visha dhe Vasfi Biçakut, të cilët u arrestuan nga autoritetet italiane, vetëm dy ditë para ndeshjes që pritej me mjaft interes dhe pa e ekzagjeruar aspak, duhet thënë se ato ditë, ishte kryefjala e çdo bisede që bëhej kudo nëpër Tiranë. I gjithë ekipi ynë, me në krye trajnerin, Besim Hamdiu, (“Qorri”), shkuam dhe u interesuam tek Prefekti i Tiranës, zoti Qazim Mulleti, duke iu lutur atij, që të ndërhynte për lirimin e tyre. Por me gjithë interesimin e madh të Prefektit të Tiranës, autoritetet italiane, nuk i liruan tre lojtarët e ekipit tonë, duke thënë se ata kishin bërë propagandë kundër Italisë dhe se ishin me ide dhe veprimtari të ethshme komuniste.

NGA DASHNOR KALOÇI

Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, ka zhvilluar njw ndeshje në stadiumin e Lacios në Romë, plot 79 vite më parë, në gushtin e vitit 1945. Ky fakt, pra ndeshje e një ekipi Kombëtar të Shqipërisë në futboll, kundër një ekipi italian, madje nga më të fortët e kampionatit të Serisë A të asaj kohe, siç ishte Lacio, vjen nëpërmjet dëshmisë së rrallë të një prej protagonistëve kryesorë të asaj ndeshje, Arif Peza, ish-futbollist i ekipit “Shprefeja” të kryeqytetit dhe gjithashtu i Kombëtares Shqiptare, të periudhës së pushtimit të vendit, 1939 – 1944.

Diku nga gushti i vitit 2006, kur u takuam me të, ai ishte i vetmi ish-futbollist i ekipit Kombëtar të Shqipërisë së paraluftës, që jetonte akoma! Madje me një memorie brilante për t’u pasur zili dhe gjithashtu edhe nga gjendja shëndetësore, edhe pse ishte afër të ’90-ave. Arif Peza, me origjinë të hershme nga fshati i njohur i Tiranës, prej nga kishte trashëguar edhe mbiemrin fisi i tij, i cili në fundin e viteve ’30-të, pati studiuar në një nga shkollat ushtarake të Italisë, në fillimin e viteve ’90-të, u kthye në atdhe, në qytetin e tij të lindjes, Tiranë, nga emigracioni të gjatë, prej gati një gjysmëshekulli. Në vitin 1940, pas kthimit nga Italia, ku ishte i internuar në një kamp në Santa-Fara, për arsye se nuk kishte pranuar të bënte betimin si student ushtarak para flamurit italian, ai u aktivizua më ekipin e njohur të futbollit të Tiranës, të pagëzuar me emrin “Shprefeja”, i cili gjithashtu ishte edhe bërthama e ekipit kombëtar shqiptar, në ato vite të pushtimit fashist të vendit. Dy vjet më pas, ai u detyrua që të braktiste fushat e blerta dhe gjithashtu pasionin e tij për futbollin, pasi doli në mal me armë në dorë, madje duke qenë komandant i një prej çetave të armatosura të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, që vepronin asokohe në fshatrat në zonën perëndimore të Tiranës, si Pezë, Vorë, Prezë, etj. Rrethanat politike e detyruan atë që në nëntorin e vitit 1944, të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej në kampet e Italisë, (që sapo kishte hapur UNRRA), së bashku me shumë eksponentë kryesorë nacionalistë të “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”.

Edhe pse në rrethana tepër të vështira jetese aty ne dhe të huaj, si nga ana ekonomike ashtu dhe politike, ai me disa shokë të tjerë, ish-futbollistë të ekipit kombëtar të Shqipërisë së periudhës së Monarkisë dhe asaj të Luftës, (1939-1944) nuk e harruan lehtë pasionin e tyre për futbollin, të cilin e kishin nisur që fëmijë, kur luanin këmbëzbathur rrugicave të Tiranës, ashtu si të gjitha bashkëmoshatarët e tjerë të asaj kohe dhe më pas. Kështu, në gushtin e 1945-ës, ata organizuan një ndeshje futbolli me ekipin e njohur italian të Lacios, në Romë, gjë të cilën Arif Peza, do të na e rrëfente me detaje, në një intervistë ekskluzive, që po e publikojmë të plotë në këtë shkrim. Po kështu, ai na vuri në dispozicion për botim, edhe disa nga fotot e rralla të atij takimi, që nuk e panë kurrë dritën e botimit para viteve ’90- të, pasi historiografia komuniste, nuk mund të lejonte kurrsesi, që ekipin Kombëtar të futbollit, ta përfaqësonin “kriminelët e luftës” dhe “armiqtë e popullit”, siç i kishte etiketuar ata regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, për gati gjysëm shekulli me radhë.

Arif, ku u zhvillua ajo ndeshje dhe çfarë kujtoni prej saj?

Takimi midis nesh dhe ekipit të Lacios, u zhvillua në stadiumin e Romës, sipas të gjitha parashikimeve që kishim bërë, pra në ditën dhe orën e caktuar, gjë e cila ishte lajmëruar edhe me afishe nëpër qytet, ashtu siç ndodhte me ndeshjet zyrtare që zhvillonte ai ekip. Për ta ndjekur ndeshjen, atë ditë në stadium kishin ardhur rreth katër-pesë mijë spektatorë. Në atë takim miqësor kundër nesh, që do të gjykohej nga një treshe arbitrash nga Roma, me ekipin lacial, u aktivizua edhe lojtari i famshëm, Puccineli, i cili luante si alla e majtë dhe ishte një nga pikat më të forta të Kombëtares së Italisë. Përveç tij, ndër pikat më të forta të ekipit lacial, ishin edhe Lombardini dhe De Andreis.

Si u paraqit ekipi juaj, përballë atij ekipi të njohur italian?

Edhe pse ekipi ynë ishte shumë modest dhe pa përgatitjen e stërvitjen e duhur, ne mundëm ta përballonim me dinjitet atë ndeshje, duke zhvilluar një lojë të mirë. Madje edhe golin e parë, e shënuam ne me anë të Akil Deranit, që në minutat e para të ndeshjes dhe më pas lacialët, kaluan në ofensivë, duke shënuar disa gola në portën tonë, të mbrojtur nga portieri shkodran, Kol Mani, i cili fatkeqësisht, ishte një nga pikat më të dobëta të ekipit tonë.

Cili ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes?

Ndeshja përfundoi me rezultatin e thellë 10 me 1, në favor të Lacios, por duhet thënë se, loja e ekipit tonë, u pëlqye mjaft, si nga tifozeria vendase, që kishte mbushur shkallët e stadiumit, ashtu dhe nga qindra shqiptarë që kishin ardhur atë ditë, për të ndjekur ndeshjen tonë. Pas përfundimit të ndeshjes, drejtuesit e Lacios dhe gjithë ekipi, na bënë një pritje koktej në ambientet e brendshme të stadiumit, ku mes të tjerash, na falenderuan për vizitën tonë. Aty ne kaluam disa momente të këndshme nën shoqërinë e ekipit lacial dhe gjithashtu bashkatdhetarëve tanë, që nuk na u ndanë për asnjë çast. Pas pritjes që ata dhanë për ne, i gjithë ekipi ynë qëndroi edhe tre katër ditë të tjera nën shoqërinë e Padër Zef Valentinit, i cili na shëtiti në disa pika dhe vende turistike të Romës. Më pas ne u kthyem andej nga kishim ardhur, duke u ndarë me lot në sy, pasi nuk dihej se nëse do të takoheshim më, me njëri tjetrin.

Gjatë atyre tre katër viteve që qëndruat në ato kampe, a patët më rast, të zhvillonit ndonjë ndeshje tjetër futbolli me ekipet italiane të Serisë A?

Ai ishte takimi i parë dhe u fundit, që ne patëm mundësinë të zhvillonim me ekipet italiane. Por gjatë asaj kohe, ne vazhduam të luanim futboll dhe zhvillonim ndeshje me disa lokalitete italiane dhe gjithmonë fitonim ne.

Po me futbollistët shqiptarë që ishin aktivizuar në ato vite në Itali, si; Loro Boriçi, Naim Kryeziu, Riza Lushta, etj., a keni pasur rast që të takoheshin më pas gjatë periudhës së emigracionit tuaj të gjatë në Perëndim?

Përveç Loro Boriçit, që ishte në Shqipëri, jam takuar pothuaj me të gjithë të tjerët dhe në veçanti me Riza Lushtën, me të cilin unë kam pasur një shoqëri të madhe e, me të jam takuar deri në fillimin e viteve ’90-të. Pasi la futbollin në Itali, Rizai erdhi në SHBA-ës dhe u vendos me banim në Brigdeport, ku punonte në një fabrikë. Ai shoqërohej me një grup shqiptarësh dhe herë pas here vinte në New York, për të takuar mikun e tij të ngushtë, Halim Begejën dhe të dy vinin te lokali, ku punoja unë. Rizai ishte një njeri shumë i mirë dhe tepër mirënjohës. Përveçse me emigrantët politikë shqiptarë që ishin në Perëndim, ai mbajti lidhje e korrespodencë edhe me Selman Stërmasin, që ndodhej në Shqipëri, të cilit, në shenjë mirënjohje, për atë që kishte bërë Selmani dikur për të, aty nga fillimi i viteve ’70-të, me anë të postës, i dërgoi një televizor në Tiranë.

PEZA: “ME ‘SHPREFENË’, MUNDËM EKIPET ITALIANE NË TIRANË”

Arif Peza, ish-lojtari i përfaqësueses shqiptare të futbollit në periudhën e pushtimit të vendit (1939-1944), përveç ndeshjes të zhvilluar në gushtin e vitit 1945, ku ai bashkë me disa shqiptarë të tjerë të arratisur, si dhe disa studentë shqiptarë që studionin në Itali, Austri, etj., formuan një ekip dhe luajtën një ndeshje kundër Lacios në Romë, në dëshmitë e tij, na tregonte edhe për aktivitetet futbollistike të zhvilluara në Tiranë, në periudhën e pushtimit të vendit, 1939-1944, ku ai ishte lojtar i ekipit “Shprefeja”.

Lidhur me këtë, ai kujtonte: “Për herë të parë me ekipin e ‘Shprefesë’ i cili ishte një ekip që u formua nga shkrirja e dy ekipeve, ‘Shpresa’ dhe ‘Rrufeja’, duke u bashkuar në një të vetëm, unë jam aktivizuar dhe kam luajtur për herë të parë aty nga viti 1940. Ai ekip, pra “Shprefeja”, përfaqësonte kryeqytetin, Tiranën, por në fakt ishte Kombëtarja e Shqipërisë, jo vetëm pse aty luanin futbollistët më të mirë që kishte vendi ynë, por edhe për faktin se në atë kohë, ishte ndërprerë Kampionati Kombëtar i Futbollit, për shkak të luftës.

Trajner i ekipit “Shprefeja” asokohe, ishte i mirënjohuri Besim Hamdiu (“Qorri”), ndërsa si futbollistë, aktivizoheshin; Halit Laçej (portier), Arif Peza, Prokop Myzeqari (më vonë i vrarë në luftë, “Dëshmor i Atdheut”), Fiqri Tartari, Rexhep Spahiu, Xhavit Demneri, Skënder Begeja, Maliq Petrela, Zyber Lisi, Ali Visha (më vonë i vrarë në luftë, “Dëshmor i Atdheut”, dhe Vasfi Biçaku. Pjesa më e madhe e këtyre futbollistëve, ishin nga kryeqyteti, Tirana, por kishte edhe nga qytetet e tjera të vendit, si; Durrësi, Shkodra, Kavaja, Elbasani, etj. Aty nga viti 1940-’41, ekipi ynë “Shprefeja”, mori pjesë në një kampionat të vogël, të ndarë në tre grupe, ku luanin edhe disa ekipe ushtarake italiane, si “Aeroneutika”, “Xhenjo”, “Autoccento”, “Mjeksia”, etj. Me ekipin italian të Mjekësisë, aktivizohej edhe mjeku i njohur, Dr. Pizzolio, i ekipit Kombëtar të Italisë, i cili në atë kohë, punonte pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ndeshjet e pritjes, pra që konsideroheshin në fushën tonë, ne i zhvillonim te fusha e “Shallvares”, në qendër të kryeqytetit, kurse ato që quheshin jashtë, ne i zhvillonim te “Kazermat e Ali Rizait” (“Qyteti i Nxënësve”), ku ishin përqëndruar repartet e trupave italiane.

Ai kampionat i vogël futbolli, asokohe e gjallëronte shumë jetën e vakët të Tiranës dhe pati një jehonë të madhe, jo vetëm në rininë e kryeqytetit, por në të gjithë shtresat e popullsisë. Të gjitha ndeshjet e zhvilluara, u ndoqën me një interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga tifozeria e zjarrtë kryeqytetase, e cila mbushte shkallët e atyre tribunave të pakta që ekzistonin aty në atë kohë, duke zënë vendet disa orë para ndeshjes, por edhe nga ushtarët e oficerët madhorë italianë, të të gjitha llojet e armëve, që ishin dislokuar asokohe në Shqipëri.

Ekipi ynë “Shprefeja”, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme gjatë gjithë atyre ndeshjeve, duke i fituar të gjitha takimet dhe arriti në finale e kupës së atij turneu, apo siç u quajt atëhere, një kampionat i vogël, aq sa ç’e lejonin kushtet e luftës. Ndeshja më e bukur dhe më interesante që zhvilluam ne, ishte ajo me ekipin e “Aeronautika”, që u zhvillua te “Kazermat e Ali Rizait”, të cilën e fituam ne me rezultatin 3 me 2. E kujtoj si tani, kur dy tre orë para fillimit të ndeshjes, e gjithë tifozeria e zjarrtë e kryeqytetit, rendte për te “Kazermat e Ali Rizait”, duke shkuar atje në këmbë, me biçikleta apo dhe me karroca. Golat nga ana ekipit tonë, u shënuan prej Skënder Begesë (me penallti), Vasfi Biçakut dhe Zyber Lisit. Takimi i arbitrave nga një oficer italian, kapiten Sinika, (gjyqtar i njohur i futbollit në kampionatin Italian të Serisë A), që duhet thënë se e gjykoi takimin, me mjaft korrektesë dhe paanshmëri.

Pas mbarimit të ndeshjes, spektatorët e shumtë që ishin aty, vërshuan nëpër rrugët e Tiranës, duke e kthyer atë ditë në një festë të vërtetë dhe një grup tifozësh të zjarrtë e shoqëruan ekipin tonë, në një nga lokalet në periferi të kryeqytetit, për të festuar aty me aheng. Pas atij takimi, ne do të ndesheshim në finale, me ekipin e “Autoccentos”, ndaj të cilit ishim përgatitur shpirtërisht dhe fizikisht për të fituar, por nuk ja arritëm dot. Shkak për humbjen e asaj ndeshje, ishte mungesa e tre lojtarëve tanë kryesorë; Maliq Petrela, Ali Visha dhe Vasfi Biçakut, të cilët u arrestuan nga autoritetet italiane, vetëm dy ditë para ndeshjes që pritej me mjaft interes dhe pa e ekzagjeruar aspak, duhet thënë se ato ditë, ishte kryefjala e çdo bisede që bëhej kudo nëpër Tiranë. I gjithë ekipi ynë, me në krye trajnerin, Besim Hamdiu, (“Qorri”), shkuam dhe u interesuam tek Prefekti i Tiranës, zoti Qazim Mulleti, duke iu lutur atij, që të ndërhynte për lirimin e tyre. Por me gjithë interesimin e madh të Prefektit të Tiranës, autoritetet italiane, nuk i liruan tre lojtarët e ekipit tonë, duke thënë se ata kishin bërë propagandë kundër Italisë dhe se ishin me ide dhe veprimtari të ethshme komuniste.

Të gjitha ndeshjet që zhvilluam ne asokohe në atë kampionat të vogël, zhvilloheshin tepër të tensionuara, por kulmi i incidenteve, arriti në ndeshjen me ekipin e “Xhenjos”, ku u detyrua ushtria italiane të futej disa herë në fushë, për të qetësuar situatën dhe për të vendosur rendin. Të gjitha ndeshjet u transmetua në kohë reale nga Radio-Tirana, nën komentin e të mirënjohurit Anton Mazreku. Pas atij kampionati të vogël, ku ne zumë vendin e dytë, ekipi ynë “Shprefeja”, zhvilloi edhe dy tre takime të tjera, si në Kavajë, dhe Durrës, e më pas me ekipin përfaqësues të Kosovës, të cilin e fituam 1 me 0, në Tiranë. Këto takime, u ndërprenë aty nga viti 1942, pasi pjesa më e madhe e jona u shpërndamë e, dolëm në male me armë në dorë, duke krijuar çetat e para nacionaliste dhe komuniste, sipas bindjeve politikë që kishim pasur prej kohësh secili nga ne, të cilat nuk na kishin penguar aspak, të kishim një harmoni të shkëlqyer brenda ekipit”. Memorie.al

Artikulli paraprakA mund ta ndalim degradimin moral të shoqërisë?
Artikulli tjetër“Nënat, në depresion”- Lufta e vetmuar e familjeve të prekura nga autizmi në Shqipëri! BIRN: Mbështetje e vogël financiare dhe shërbime të pakëta