Mjekët kundër Beqajt për koncesionin e laboratorëve

Mjekët dhe laborantët e Spitalit “Nënë Tereza në Tiranë kanë zhvilluar një takim dje me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja për të kundërshtuar koncesionin e laboratorëve, por nuk është arritur asnjë marrëveshje. Mjekët janë shprehur se, nëse laboratorët do të kalohen në konçesion do të ketë ulje të standardit të analizave, rritje të kostos së tyre dhe shkurtim të vendeve të punës së tenikëve dhe laborantëve. Për teknikët dhe laborantët do të vendosë koncesionari dhe sipas tyre rreth 700 persona mund të dalin në rrugë. Monopolizimi sipas tyre shton pasigurinë në analiza dhe vendos në pikëpyetje diagnozën. Pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, punonjësit e mjekësisë laboratorike rrugën e vetme shohin protestën. Ata janë shprehur se do të vijojnë protestat.
Laborantët dhe teknikët shprehen se ministri Beqja ka përjashtuar nga Komisioni Drejtues i këtij koncesioni shoqatat e profesionistëve. Pas takimit në Ministrinë e Shëndetësisë kanë dalë në këtë konkluzion. Punonjësit e mjekësisë laboratorike kanë dhe një pyetje për përfaqësuesit e IFC-së në vendin tonë, hartues të studimit të fizibilitetit të këtij koncesioni.
Kundër këtij koncesioni është shprehur edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetari i Grupit parlamentar, Petrit Vasili, ka kërkuar që financimi në buxhetin e vitit 2017 për koncesionin e laboratorëve spitalorë të pezullohet, pasi konsultimet për të nuk kanë përfunduar ende dhe buxheti nuk mund të financojë një projekt të paplotë.
Koncesioni i fundit që ka planifikuar “Rilindja” për t’i dhënë një operatori privat të 18 laboratorët e spitaleve rajonale dhe atyre universitare ka shkaktuar një reagim të madh tek komuniteti mjekësor. Kjo ka nxitur edhe revoltën e madhe të punonjësve të laboratorëve. Për t’i qetësuar ministri i Shëndetësisë ka zhvilluar një takim me ta. Por, ai ka mbetur pa përgjigje përpara pyetjeve agresive të teknikëve të laboratorëve që shprehën shqetësimin se koncesionari i ri do t’i hedhë në rrugë pavarësisht nga eksperienca dhe formimi i tyre.

Artikulli paraprak“Fusha e Aviacionit” në Tiranë dhe Lapraka, 4 ditë pa drita
Artikulli tjetërMësuesit sot protestë para Ministrisë për shpërblimet