Sami Frashëri lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine, gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu, mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vdiq në Stamboll në moshën 54-vjeçare, më 18 qershor 1904.
ARSIMI
Mësimet e para i mori në vendlindje së bashku me Naimin në teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”.
Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme. Pasi kreu shkollën filloi punë në Zyrën e Shtypit (Matbuat Kalemi) të pushtetit lokal në Janinë. Më 1871 po me Naimin u shpërngulën në Stamboll me po të njëjtin pozicion pune tashmë në Zyrën e Shtypit në kryeqytet, ku zuri miqësi me gazetarët dhe intelektualët përparimtarë Namýk Kemal, Ebüzziya Tevfik, etj. por duke mbajtur kontaktet edhe me atdhetarët shqiptarë; si dhe, duke qenë i dhënë pas kulturës e gjuhës frënge, nisi të përkthente nga kjo gjuhë në osmanisht. Më 1872 nis kontributi i tij me romanin e parë në gjuhën turke Ta’aþþûk-ý Tal’at ve Fitnât, më 1873 u bë bashkëpunëtor i gazetave Sýrac (Drita) dhe Hadika (Kopshti).
Kur në Tarabulluz kërkohej një radhitës për gazetën lokale Vilayet, Zyra e Shtypit caktoi atje me punë Samiun, ku punoi për 9 muaj. Më pas u kthye në Stamboll dhe vazhdoi të punonte nëpër organe të shtypit. Botoi katër numrat e parë të së përkohshmes Muharrir, të Ebüzziya Tevfik, i cili ishte në syrgjyn. Më 1876 botoi për gati një vit gazetën Sabah. Më 1877 u caktua me punë në Rodos si sekretar i valiut, ku qëndroi për 5 muaj. Gjatë luftës Ruso-Turke u caktua me punë kryenëpunës në Komisionin për Regjistrimin Ushtarak në Janinë. Pasi u kthye në Stamboll, më 1878 u bë kryeredaktor i gazetës Tercümân-ý ‘ark (Terxhumani i Lindjes).
Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit u caktua sekretar i Komisionit të Kontrollit Ushtarak të themeluar më 1881, post të cilin e mbajti gjersa ndërroi jetë dhe nuk do të lëvizte më për pjesën e ngelur të jetës së tij. U shqua si një ndër intelektualët më në spikamë të kryeqytetit osman, duke drejtuar dhe redaktuar disa gazeta, duke shkruar mbi dymbëdhjetë libra në osmanisht si “Insan” (Njeriu), “Medeniyet-i Islamiye” (Qytetërimi islam) and “Kadýnlar” (Gratë). Hartoi një fjalor frëngjisht-turqisht më 1882 dhe një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884, një fjalor të gjuhës arabe më 1898, një fjalor në dy vëllime në osmanisht (1899- 1901) së bashku me enciklopedinë gjashtëvëllimshme Kamus al Alam. Duke shtuar këtu një pamflet për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, një gramatikë dhe traktatin politik mbi çështjen shqiptare, të titulluar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
VEPRIMTARIA
Përgjatë Krizës së Madhe Lindore qe pjesë “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat. Po atë periudhë, në të përkohshmen Tercüman-ý Hakikat në një artikull me datë 24 dhjetor 1878 raportoi mbi situatën gjeopolitike dhe ndodhitë, duke thënë se Shqipëria ishte vatani i tij dhe ndihej i lidhur me mëmëdheun e gjerë osman dhe duke theksuar se shqiptarët ishin besnikë ndaj perandorisë.
Vinte në pah rrezikun ushtarak të fqinjëve të shqiptarëve dhe kultivimin e gjuhëve të tyre ndër shkolla në viset shqiptare. Zgjidhja për të ishte përbashkimi i vilajeteve të banuara nga shqiptarët në një vilajet të vetëm, që të mund të ushtronte një forcë rezistuese më të madhe, ku pas dëshirës për të kultivuar gjuhën amtare do t’i bënin ballë siç duhet sllavizmit dhe helenizmit. Nga tetori i 1879 Samiu drejtonte “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip”, ku libra dhe tekste shkollore hartoheshin nga ai me Naimin. Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884- 85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.
Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është , botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe i cili mbeti i pabotuar. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.
Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare. Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes.
Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i türki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqishtfrëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend tëdukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.
Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare “Besa”, e botuar më 1875 e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej. Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroi disa libra dhe broshura, të cilat i përmblodhi në “Bibliotekën e xhepit”, hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: (“Mëngjezi” 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, (“Java”) etj. Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime.
VEPRA
Vepra e Sami Frashërit numëron punime, hulumtime dhe krijime në rrafsh përkthimesh, dramaturgji, një roman, publicistikë, enciklopedi, leksikografi dhe gramatologji mes gjuhës turke dhe asaj shqipe. Punët e tij të para intelektuale ishin përkthime, shumica e të cilave qenë vepra frënge, nga origjinali në turqisht. Përkthimi i parë qe me Tarih-i Mücmel-i Fransa (Joanne-Mathurine Ponctis de Boën, Histori e shkurtër e Francës) më 1872, më pas Ýhtiyar Onbaþý (sq. Tetari i vjetër) nuk i dihet autori apo nga cila gjuhë u përkthye; pjesa teatrale Galatée përkthyer nga frëngjishtja më 1873 me autor Jean Pierre Claris de Florian.
Vite më pas, më 1878 përktheu romanin Þeytanýn Yadigarlarý (sq. Kujtimet e Shejtanit) nga autori Fredérick Soulié dhe më 1879 Sefiller / Të mjerët e Hygoit si dhe Robinson të Daniel Defoe nga një variant në frëngjisht. Vepra që kontribuoi bindshëm në namin e tij qe përpilimi i enciklopedisë me gjashtë vëllime Kamus-ul Alam që e nisi më 1888 dhe e përfundoi më 1898. Fjalorët e tij u vlerësuan dhe çmuan shumë nga intelektualët e kohës, duke qenë frëngjishtja gjuha kryesore e komunikimit me botën perëndimore.