“Dhomat e biznesit duhet të jenë të pavarura”- David Wisner: Besojmë në fuqinë e tregut të lirë! Duhet stabilitet dhe luftë kundër korrupsionit

I ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri, David Wisner, gjatë një podcast-i për “Monitor”, ku ishte  i pranishëm dhe kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve dha mesazhin se dhomat duhet të jenë të pavarura.

 

“Ne besojmë me vendosmëri se Dhoma është një zë kyç për sektorin privat.

Dhe, sa më shumë që Dhomat mund të jenë të lira për të bërë llojin e punës që bëjnë, përkrahja për bizneset, për rritjen e vërtetë të sektorit privat, organik dhe të pavarur është tërësisht kritike.

Ky është qartësisht roli që luan Dhoma Amerikane, por unë do të thosha se kjo gjë është edhe më e gjerë se kaq. E di që kjo përfshin edhe Dhomat e tjera që janë të pranishme këtu.

Ne amerikanët, vërtet besojmë në fuqinë e tregut të lirë dhe sa më shumë liri që mund të kemi, që këto organizata mund të kenë, mendoj se është vërtet e rëndësishme.

Ne presim me padurim që më shumë kompani amerikane të bashkohen në Dhomë gjatë viteve të ardhshme, që Dhoma të jetë një zë për rritjen e përgjegjshme të sektorit privat në këtë vend, dhe një organizatë, që padyshim, mund të ndihmojë në shumëfishimin e mesazhit të vlerave ose interesave amerikane në rajon, në Shqipëri në veçanti”, tha z. Wisner.

I ngarkuari në Detyrë i Ambasadës Amerikane në Shqipëri theksoi edhe krijimin e një mjedisi të barabartë për bizneset.

“Duhet stabilitet, parashikueshmëri, luftë kundër korrupsionit, angazhimin dhe përkushtimin ndaj tij. Dhënia e një mundësie të drejtë për bizneset amerikane. Kjo është ajo që ata duan.

Nuk ka nevojë për asgjë të veçantë për ne. Por nëse e dimë që mund të konkurrojmë, do të konkurrojmë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zgjidhja e disa çështjeve të pronësisë së tokës do të jetë me rëndësi kritike.

Dhe, natyrisht, të gjitha përpjekjet që qeveria po bën për të mbajtur të rinjtë shqiptarë këtu do të jenë absolutisht thelbësore, sepse në një ekonomi të dijes, siç është Europa, dhe është e ardhmja e saj, të kesh të rinj të motivuar, të jashtëzakonshëm, do të jetë absolutisht thelbësore”, tha ai.

Komentet e  Wisner vijnë teksa shumë dhoma biznesi dhe shoqata, që kryesisht përfaqësojnë investitorët e huaj në Shqipëri po kundërshtojnë me forcë projektligjin “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, që parashikon anëtarësimin me detyrim të të gjithë bizneseve në një Dhomë Ekonomike Kombëtare.

Së fundmi, në një shkresë drejtuar kryeministrit Edi Rama, 17 dhoma dhe shoqata biznesi, pjesa më e madhe e të cilave përfaqësojnë investitorët e huaj kanë shprehur shqetësimin se projektligji është publikuar për konsultim publik, pa marrë në konsideratë komentet e tyre të mëparshme.

Për herë të parë dhomat dhe shoqatat e biznesit ia kanë adresuar shqetësimin e tyre dhe institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja, si Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, ambasadës amerikane, italiane të Mbretërisë së Bashkuar, asaj të Gjermanisë, Austrisë, Turqisë e Greqisë./Monitor

Artikulli paraprak“Të respektohen të drejtat e shqiptarëve”- Kërkesa e Sami Frashërit për kancelarit Bismarku: Shqipëria është vatani im
Artikulli tjetër“6 vite për 300 metra rrugë”/ Denoncimi i zëdhënëses, Karabina: Unaza e Madhe e Tiranës ka mbetur viktimë e korrupsionit të ministres Belinda Balluku dhe ARRSH