Gjatë intervistës në Euronews Albania, kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, tha se shpalosja e alternativës ende nuk ka mbaruar. Kjo sipas tij për faktin se shqiptarët meritojnë më shumë, për një alternativë që u jep shpresë.
Kundër kësaj, Basha tha se është politika e vjetër që duan ta vdesin këtë debat, që qytetarët mos të kenë të qartë se kush qëndron në krahun e tyre dhe kush iu ka hipur mbi qafë gjithë këto vite, pavarësisht nëse është në qeveri, apo është në opozitë dhe vazhdon të gëzojë frytet e ish qeverisjes.
Ai gjithashtu u shpreh se edhe ajo që ka ndodhur më 11 qershor është pjesë e këtij komploti për t’i mohuar shqiptarëve një debat publik mbi të ardhmen e tyre, mbi alternativën e tyre, mbi faktin që ata meritojnë më shumë.
“Ne s’kemi mbaruar shpalosjen e altrentaivës. Sapo kemi filluar shpalosjen e alternativës. Është bindja ime e thellë që shqiptarët kanë nevojë për një alternativë, kanë nevojë për shpresë. Se politika është bërë për ta një biznes i ndyrë ku një grusht njerëzish pushtetohen dhe pasurohen, por nuk i shërbejnë vendit.
Në momentin që ne hapim një debat, që nuk është e lehtë, se këtë debat duan ta vdesin, për të ardhmen e vendit për të ardhmen e rinisë, për të ardhmen e familjes shqiptare, për profesionet e lira, për sipërmarrjen shqiptare për pronat, për të përndjekurit, për sigurinë kombëtare, për luftën kundër korrupsionit, në atë moment njerëzit do ta kenë të qartë se kush qëndron në krahun e tyre dhe kush iu ka hipur mbi qafë gjithë këto vite, pavarësisht nëse është në qeveri, apo është në opozitë dhe vazhdon të gëzojë frytet e ish qeverisjes.
Pra, në këtë aspekt beteja që kemi sot është të mos lejojmë, të refuzojmë përpjekjen e tyre që do të bëhet edhe më e thekshme dhe ke për ta parë edhe këtu në televizionin tuaj dhe kudo, që t’i mohojnë shqiptarëve këtë debat.
Edhe ajo që ka ndodhur më 11 qershor është pjesë e këtij komploti për t’i mohuar shqiptarëve një debat publik mbi të ardhmen e tyre, mbi alternativën e tyre, mbi faktin që ata meritojnë më shumë” – tha Basha.