Wizz Air, kompania ajrore hungareze me kosto të ulët do të nisë fluturimet pothuajse gati paralelisht nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, si dhe nga ai i Prishtinës “Adem Jashari”. Nga i pari fluturimet pritet të nisin në datë 5 prill, ndërsa nga i dyti në datën 7 prill. Biletat tashmë janë në shitje me një çmim prej 29.99 euro. Nga Shqipëria do të fluturohet çdo të mërkurë dhe të dielë, ndërsa nga Prishtina nga çdo të hënë dhe të premte.
Me Shqipërinë kompania ajrore e nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit më 30 nëntor.
Mësohet se deri më 30 nëntor 2016, Wizz Air ka transportuar më shumë se 22.4 milionë pasagjerë duke stimuluar kështu tregun lokal të punës në fushën e aviacionit, mikpritjes dhe sektorët e turizmit dhe në mbështetje të mbi 16.800 vendeve të punës në industritë e ndërlidhura.
George Michalopoulos menaxheri tregtar i Wizz Air, tha se kompania ishte në kërkim të një aeroporti siç është ai i Prishtinës. Ai tha se beson që kjo do të ndikojë në rritjen e turizmit.
Rrjeti i Wizz Air shtrihet në 59 destinacione në 28 vende dhe do të shërbejë si një lidhje e arsyeshme për në Evropë për udhëtarët e Kosovës. Linja ajrore e re do të lidhë të dy vendet direkt për herë të parë, duke nxitur turizmin në të dy drejtimet dhe duke krijuar lidhje të rëndësishme për tregtinë dhe biznesin mes Hungarisë dhe Kosovës.
Operimet e kompanisë ajrore Wizz në Evropë dhe më gjerë ofrojnë shërbime me kosto të ulët në 133 destinacione në 40 vende.