Ndaj Atalantës përqendrim maksimal

Me Superkupën e Italisë vetëm pak ditë larg, trajneri i Milanit, Vinçenco Montela nuk dëshiron që skuadra e tij të mendojë për duelin me bardhezinjtë, pasi këtë të shtunë, kuqezinjtë sfidojnë Atalantën. Dueli me bergamaskët është shumë i rëndësishëm për klasifikimin dhe Montela mbetet 100% i fokusuar.
“Kjo është një ndeshje që mund të na ndihmojë ta mbyllim vitin në vendin e tretë, prandaj për ne është shumë e rëndësishme dhe ky fakt do të na ndihmojë të mos mendojmë përpara kohe për ndeshjen e Dohas”, u shpreh Montela.
Edhe pse Milani u mund nga Roma, Montela kërkon të veçojë gjërat pozitive që skuadra e tij tregoi në fushën e lojës.
“Ndeshja e radhës vjen në një moment shumë të rëndësishëm, pasi duhet të japim një sinjal të vërtetë. Si ne dhe Atalanta jemi mundur në sfidat e fundit, por nuk merituam të dilnim pa pikë. Më vjen mirë që e kaluam pa shumë pasoja humbjen ndaj Romës pasi skuadra është e vetëdijshme që mund të jetë konkurruese. Jemi më të vetëdijshëm për forcat tona dhe nëse do të kishim luajtur edhe në derbi në atë mënyrë, do të kishim fituar”, tha trajneri i Milanit.
Me grupin janë rikthyer Bacca dhe Bonaventura. Dy lajme pozitive për stafin drejtues të skuadrës, por në krahun tjetër, Niang mbetet në dyshim.
“Vuan problemet virale dhe ka humbur shumë energji. Penalltitë? Nëse Bacca është në fushë do t’i gjuajë ai, por nëse nuk do të luajë, Niang nuk është zgjedhja e parë. Merkato? Mendoj vetëm për lojtarët që kam në dispozicion. Shikoj shumë pak skuadra sipër nesh dhe shumë që na ndjekin”, përfundoi Montela.

Artikulli paraprakPse jemi prapa?
Artikulli tjetërBarça kërkon Taulant Xhakën