Fitore ndaj Romës

Në prag të supersfidës mes Juventusit dhe Romës, trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri u shfaq përpara mediave, për të bërë komentin e tij në lidhje me këtë duel. Sipas teknikut toskan, skuadrën e tij e pret një 90 minutësh shumë i vështirë, ku futbollistët duhet të japin maksimumin. Gjithashtu ai foli dhe për 11-shen e titullarëve që do të zbresin në fushë.
Gonzalo Higuain do të aktivizohet që nga minuta e parë, ndërsa se cili do të jetë partneri i tij, kjo mbetet për t’u parë. “Na pret një ndeshje e vështirë, ku sigurisht nevojitet një punë e madhe nga të gjithë nëse duam të fitojmë. Në sulm do të jetë Higuain, por ende nuk e kam vendosur për shokun e tij të repartit. Mund të luajë Mandzukiç ose Dybala, por të tre bashkë është e pamundur. Do të shikoj se si do të ecë seanca e fundit stërvitore dhe më pas do të vendos”, u shpreh Alegri.
Më tej, Alegri deklaroi se do të luajë edhe Miralem Pjaniç, një ish-futbollist i Romës. Për verdhekuqtë, kreu i stolit bardhezi theksoi se gjatë viteve të fundit, Roma ka treguar se është një kundërshtar i vështirë për t’u mundur.
“Vitet e fundit Roma ka qenë rivali ynë për titullin kampion. Është një skuadër e fortë, e organizuar mirë dhe lojtarë shumë cilësorë. Ndryshe nga fillimi i kampionatit ata po tregohen më të kujdesshëm në mbrojtje. Është një sfidë që nuk vendos kampionatin. Personalisht nuk dua barazimin. Pjaniç do të luajë. Pavarësisht se ai ka qenë një ish-lojtar i Romës, ky fakt nuk e shqetëson atë”, tha Alegri.
Juventusi pas kualifikimit për në fazën e 1/8 në Champions, kërkon ta mbyllë vitin me një bilanc pozitiv, ku përveç 3 pikëshit kundër Romës do të kërkohet dhe triumfi në Superkupën e Italisë kundër Milanit, ndeshje që do të luhet më 23 dhjetor, në Doha të Katarit.
Ky sezon po shkon në mënyrën më të mirë për bardhezinjtë, të cilët përveç se kryesojnë kampionatin e mbyllën në vend të parë edhe fazën e grupeve në UEFA Champions League. Në një intervistë presidenti i kampionëve të Italisë thuri elozhe për skuadrën që drejtohet nga Masimiliano Alegri, ndërkohë që foli me superlativa për këtë Juventus, madje duke thumbuar në njëfarë mënyre edhe skuadrat rivale dhe të gjithë ata që lobojnë negativisht ndaj skuadrës së Masimiliano Alegrit.
“Kanë bashkuar forcat dhe të gjithë janë kundra nesh, principi është se nuk ka rëndësi kush fiton, e rëndësishme është të mos fitojë Juvja. Ky është ambienti që na rrethon, ne duhet të luftojmë për t’u mbyllur gojën edhe dashakeqëve. Duam të vazhdojmë të fitojmë, jemi Juventusi dhe ekzistojmë për të fituar”, deklaroi fillimisht Andrea Anjelli. Më tej numri 1 i klubit bardhezi shtoi: “Kemi dy rrugë përpara, titullin e 6-shtë radhazi në Itali dhe Champions Leaguen. Duhet të marrim si shembull Usain Bolt dhe të shndërrohemi në një legjendë”. Fitimi i një tjetër kampionati mund të rezultojë thjesht një formalitet për Juventusin në këtë sezon, por skuadra e Alegrit me lojtarë si Higuain, Dybala, Mandzukiç, Bonucci e Pjaniç ëndrron të fitojë edhe në Europë, pra të ngrejë lart trofeun e UEFA Champions League, një mision i vështirë, por jo i pamundur për këtë Juventus.

Artikulli paraprak39 paund në minutë, Oskar është më i paguari në botë
Artikulli tjetërVenger “tallet” me Manchester Cityn