Për Bajernin është një statistikë shqetësuese. Observatori i Futbollit, i cili në një studim të fundit përcaktoi moshën mesatare të 5 kampionateve kryesore të Europës nga më i riu te më i vjetri, i renditi gjermanët në vend të 86-të nga 98: mosha mesatare e skuadrës së Ançelotit është 28.15 vjeç. Ndërsa 33-vjeçari Frenk Riberi, ka rinovuar deri më 2018-ën dhe Arjen Robenin (32 vjeç) në prag të kontratës së re, edhe e ardhmja e Ksabi Alonsos (lojtari më i vjetër në klub 35 vjeç) është e hapur. Sipas informacioneve të “Sport Bild”-it, drejtuesit e Bajernit duan që ta vënë në dijeni menaxherin e spanjollit se atij do t’i ofrohet një kontratë 1-vjeçare, por me kusht. Kjo është një shenjë që klubi po mendon për të ardhmen dhe zëvendësimin e veteranit, i cili nga kontrata aktuale përfiton 6.5 milionë euro në sezon dhe pritet t’i bëhet e njëjta ofertë. “Unë nuk kam ende plane”, shpjegon Alonso.
Vendimi pritet të merret në pranverë dhe një alternativë tërheqëse do të ishte edhe transferimi në SHBA. Një rikthim i tij në Spanjë për momentin duket i pamundur, duke qenë se Prokuroria e Madridit ka ngritur akuza për evazion fiskal. Shteti kërkon 2.3 milionë euro gjobë së bashku me 400 mijë euro interesa. Por avokatët e tij do të kenë shansin të thonë fjalën e tyre në Apelin e 22 dhjetorit.
Por a është efikas vazhdimi i bashkëpunimit mes tij dhe klubit gjerman? Statistikat thonë se ai fiton 55.4% të dyluftimeve dhe gabon vetëm 11% të pasimeve. Këto janë statistika të pjesshme, por fatale. Ish-trajneri i Bajernit, Otmar Hicfeld, thotë se ai duhet të rinovojë me një kusht: që të luajë. “Ançeloti duhet të flasë qartë çfarë plani ka. Sepse, nëse Alonso rinovon, atëherë ai duhet të luajë. Ai nuk është një lojtar që mund të ulet në stol. Ai duhet të luajë rregullisht për të qenë në ritëm”, thotë Hicfeld.
Por sido që të vendoset për Alonson, një lojtar për ta zëvendësuar do të kërkohet. Një kandidat ndodhet në skuadër, Xhoshua Kimish. Por klubi do të kërkojë një tjetër mesfushor, nëse Alonso largohet në 2017-ën, sepse duhen bërë llogaritë edhe për atë që do të zëvendësojë kapitenin Lahm në mbrojtje. Adrien Rabiot i PSG-së është një kandidat që është monitoruar nga gjermanët.
Por dëshira e Ançelotit vijon të mbetet një tjetër lojtar i PSG-së, ish-mesfushori i tij Marko Verrati. Rekordmenët janë duke monitoruar edhe zhvillimin e talentit të Dortmundit, Julian Vaigël. Për pasuesin e Lahmit, një kandidat është talenti i Leverkusenit, Benxhamin Henriks dhe Sead Kolashinac i Shalkes.
Bajerni është në kërkim të një mbrojtësi për të zëvendësuar kapitenin Lahm, që nuk e ka vendosur nëse do të tërhiqet në fund të këtij sezoni, apo kur t’i skadojë kontrata në vitin 2018. Por në Angli janë të sigurt se gjermanët po e kërkojnë zëvendësin e yllit të tyre në Premier Ligë. Ai është Erik Daier i Totenhemit, për të cilin interesohet edhe Çelsi.
22-vjeçari është i shqetësuar se mungesa e një vendi fiks në formacionin e Spërsave mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e potencialit të tij, duke i vënë në rrezik edhe vendin në kombëtare. Daier ishte një nga lojtarët më të mirë të “Tre Luanëve” në Europian dhe ai vlerësohet për polivalencën, pasi luan si në krah të mbrojtjes, ashtu edhe në qendër të saj.