Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, në studion e “Open”, u shpreh se nëse Sali Berisha tërhiqet nga PD, atëherë gjithçka do të ndryshojë. Ai tha se ish kryeministri ka dëmtuar palcërisht Partinë Demokratike dhe për pak LSI-ja u deklarua forcë e dytë politike me shtytjen e Sali Berishës.
Më tej Basha tha se duhet të tërhiqet dhe t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe demokratëve që ka bërë një betejë të padrejtë të mbushur me gënjeshtra, me shpifje, me baltë. Sipas tij, misioni i vetëm i Berishës është të qëndrojë të mbajë vulën si mburojë, dhe misioni i atyre që i shkojnë nga mbrapa, është të presin derisa të mbarojë ky, të shohin se çfarë cope do kapin.
“Sigurisht, nëse zoti Berisha tërhiqet, ekuacioni ndryshon. Nëse zoti Berisha do të ishte tërhequr atëherë kur ishte për t’u tërhequr, opozita, Partia Demokratike nuk do të ishte në këtë ditë. Unë nuk kam asnjë fije besimi në dëshirën apo spekullimet se kjo do të ndodh. Zoti Berisha ka dëmtuar palcërisht Partinë Demokratike, mos harroni se për pak LSI-ja u deklarua forcë e dytë politike me shtytjen e Sali Berishës.
Kaq shumë e “donte” Partinë Demokratike në thonjza Sali Berisha, sa ishte gati që LSI-ja të deklarohej forcë e dytë politike për të marrë komisionerët dhe të gjithë atributet elektorale të Partisë Demokratike. Pra, të gjithën e ka bërë për interesin e vet. Dhe të thuash që pasi ka bërë të gjitha këto për interesin e vet, tani që ka nevojë më shumë se kurrë. Se përpara kishte përballë vetëm amerikanët dhe më pas britanikët, tani ka dhe problemet me drejtësinë, ky të lëshojë vendin unë nuk e besoj se do të ndodh. A uroj që të ndodh, sigurisht që uroj që të ndodh, askujt nuk ia mohoj të drejtën të reflektojë.
Duhet të tërhiqet, duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe demokratëve që ka bërë një betejë të padrejtë të mbushur me gënjeshtra, me shpifje, me baltë. Ka bërë një betejë përçarëse mes demokratëve dhe duhet të lejojë demokratët të kthehen në misionin e tyre. Sali Berisha e ka zhveshur sot atë që quhet Partia Demokratike e Shqipërisë, e ka zhveshur nga çdo sens misioni. Misioni i tij i vetëm është të qëndrojë të mbajë vulën si mburojë. Dhe misioni i atyre që i shkojnë nga mbrapa, është të presin derisa të mbarojë ky, të shohin se çfarë cope do kapin. Kjo nuk është Partia Demokratike në të cilën kemi aspiruar, kemi debutuar, kemi kontribuar jo unë, por mijëra e mijëra demokratë” – tha Basha.