Lulzim Basha: Nuk jam ankuar asnjëherë dhe ky është një mashtrim kushdo që e ka thënë, përkundrazi siç i shkon edukatës time personale, e kam mbrojtur edhe atëherë kur nuk duhej ta mbroja. E dyta, jo nuk jam produkt i Sali Berishës, jam produkt i familjes time, i shkollimit tim perëndimor, i përvojës time me institucionet ndërkombëtare dhe padiskutim që në një moment në jetën publike të jepet një mundësi të kontribuosh, është diçka për t’u vlerësuar. Nuk mendoj se ka pasur një rast ku nuk kam dhënë më shumë se sa çështë më besuar, prandaj i mora të gjitha. Sigurisht që nuk përvetësoj asgjë, edhe unë besoj tek puna në ekip, por mendoj pa qasjen time, pa përkushtimin tim, pa integritetin tim, në mos do ishin të pamundura, do ishin shumë të vështira dhe për këtë dëshmitari më i mirë derisa të ndryshoi mendjen, apo derisa ndryshoi fjalët, është vet Sali Berisha i cili i drejtohet në Parlament Edi Ramës dhe i thotë që “të bësh këto që ka bërë Lul Basha, edhe tre jetë nuk i bën dot”. Dhe ky është një fakt me zë dhe me figurë.
Por, Sali Berisha ndryshoi. Ndryshoi sepse priste që unë të sakrifikoja Partinë Demokratike për atë që i kishte ndodhur atij, kur vet ai kishte thënë publikisht dhe po kështu më kishte thënë dhe mua që nuk do ta bënte Partinë Demokratike pjesë të asaj që kishte nisur pas shpalljes “non grata” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu u bë divorci me Sali Berishën më 9 shtator. Divorc më të civilizuar s’ka parë bota. I dhash meritën, madje e teprova me meritat për ato që ka bërë në të kaluarën dhe i thash në këtë kryqëzim ku kemi ardhur, e kam për detyrë që të prevalojë interesi i demokratëve, sepse përmes interesit të demokrtëve do të prevalojë interesi i Shqipërisë. Pra, në këtë moment ku ai nuk e bëri, e bëra unë, në këtë moment pavarësisht gjithçkaje që kishte thënë, ai nuk la gjë pa thënë të pavërteta, gënjeshtra, trillime, spërdredhje, siç e ka vet zakon. Dhe pastaj ato që thotë në një moment, i tërheq në momentin tjetër. Dhe ky ishte momenti i prishjes. Sigurisht i parapriu vendimi im, e qartë ajo. Vendimi u mor për një synim shumë më të madh. Ai në qoftë se do i kishte qëndruar angazhimit të vet atëherë, apo qoftë dhe më vonë dhe do të hidhte një hap pas, sot do ta shikoje si do ta kishe situatën politike dhe ku do ta kishim situatën me Edi Ramën. Për fat të keq, për hallin e tij personal, ai vendosi prej ditës së tij të parë të përdorej dhe të përdorte nevojën e Edi Ramës, sepse ishte e qartë dhe kolegët tuaj besoj e kanë thënë, Edi Rama pa në këtë pasqyrë imazhin e vet. Tha kjo që i ndodhi Sali Berishës sot, do më ndodhi mua nesër, prandaj o burra të bashkohemi me Sali Berishën se na bashkojnë hallet. Dhe ky moment padiskutim kur ke Edi Ramën dorë për dore me Sali Berishën për shkak të halleve, nuk mund të ishte momenti ku unë të vazhdoja të isha me Sali Berishën.