EMISIONI VETTING/ Armand Kullau
Zyrtarët e lartë favorizojnë trafikantët e mishit
Më 10 maj 2024, pas disa muajsh hetimesh, policia greke shkatërroi tre grupe kriminale, mes të cilëve edhe falsifikuesit e certifikatave të bagëtive të sëmura. 6 persona u ndaluan nga prokuroria greke pasi kishin lidhje me një thertore private në Bashkinë Sintiki, në Seres, dhe me mjekët veterinerë publikë. Në pranga përfunduan 4 veterinerë dhe dy anëtarë të bordit të thertores në veri-lindje të Greqisë, të cilët akuzoheshin se kishin krijuar certifikata lindjesh dhe therjesh false për gjedhë dhe bagëti të imëta.
Veterinerët e arrestuar ishin pjesë e një skeme korruptive që kishin krijuar bashkë me blegtorët grekë, që këta të fundit të siguronin subvencionet nga shteti i tyre.
Por saga nuk mbaron këtu. Ligjërisht, si anëtare e Bashkimit Europian, Greqia i asgjëson kafshët me sëmundje infektive. Por nga mediat greke nuk u vu re asnjë lajm i tillë për rastet e zbuluara, duke hedhur dyshimin se këto kafshë të infektuara, nëpërmjet certifikatave falso të bagëtive, të lëshuara nga veterinerët e arrestuar, mund të jenë eksportuar normalisht nga doganat greke jashtë Greqisë, përfshi këtu edhe Shqipërinë.
Dyshimet se kafshët janë futur në Shqipëri?
Një ditë pas arrestimeve në Greqi, Prokuroria e Korçës do të niste hetimet për 78 krerë bagëtish të llojit gjedhë, që rezultonin të pamatrikulluara, pra të pashënuara më parë si pjesë e blegtorëve. Sipas veterinerit të shërbimit publik, Baki Myrtollari, këto kafshë janë importuar nga Greqia.
“Është një gjë e veçantë dhe e rrallë sepse këtu kontrabanda bëhet nën hijen e njerëzve me influencë të madhe. Këtë po e them për arsye se rasti më tipik, më datën 11 maj 2024, unë kisha informacion që do bëhej një kontrandë e madhe me lopë nga Greqia dhe me insistimin tim total dhe të fuqishëm edhe në instancat e policisë së shtetit dy ditë rresht, që këmbëngula që këto kafshë të kapeshin, pasi policia greke kishte njoftuar edhe policinë shqiptare. Policia shqiptare shprehej se nuk kishte informacion, këtu unë kam insistuar. “ – thekson per Vetting, Baki Myrtollari.
Fillimisht këto kafshë importi janë identifikuar nga shërbimi i veterinarisë publike në Korçë, i cili ka marrë masa duke gjobitur subjektin që i importonte dhe më pas çështja i është referuar Prokurorisë së Korçës.
Në dallim nga Greqia, Shqipëria nuk e asgjëson mishin e infektuar, por e përdor për konsum nën kushte specifike sanitare, sipas ligjeve në fuqi, duke ngritur dyshime të forta se Shqipëria është një vend i favorshëm për të shitur mishin e infektuar me brucelozë.
SIGURIA USHQIMORE NË RREZIK
“Vetting” sjell në këtë episode problematikën dhe lidhjet e firmave importuese të gjedhëve dhe bagëtive të imëta me drejtues të lartë të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë.
Plani për evidentimin e kontrabandës së gjedhëve dhe zbulimin e autorëve është krijuar fillimisht nga zyra e Drejtorisë Veterinare dhe Mbrojtjes së Bimëve Rajonale, Elbasan, me urdhër të ish-Drejtorit Fatmir Ozuni. Ka qenë një nga veterinerët e caktuar nga ish-Drejtori Fatmir Ozuni, Baki Myrtollari, i cili ka zbuluar dhe ka marrë masa ndaj tregtarëve të importit të kafshëve të gjalla, të cilët sillnin gjedhë, dele dhe dhi të pamatrikulluara nga Greqia dhe Bullgaria.
Sipas mjekut veterinar në Korçë, Baki Myrtollari: “Unë jam një mjek veteriner i shërbimit veterinar të Republikës së Shqipërisë i emëruar në njësinë administrative Miras, të qarkut Korçë. Në kontratën e punës në këtë zonë që kam marrë është që të bëjë, identifikimin, matrikullimin dhe certifikimin e kafshëve që lëvizin në këtë terren. Krahas kësaj detyre me urdhër të drejtorit të Qarkut të Elbasanit, Fatmir Ozuni është që të bëj edhe kontrollin e vijave kufitare, kryesisht të brezit të gjelbër të Qarkut të Korçës.
Ne jemi barrikada e parë, për të parandaluar dhe sëmundjet te kalimit në njerëz. Pra, për të garantuar sigurinë kombëtare të njerëzve. Pra, ne kemi detyrën parësore dhe kjo më bëri që të punoj me zjarr, me vullnet të fortë të hekurt në luftën kundër kontrabandës së kafshëve që vijnë nga Greqia.”
Megjithatë situata është e rëndë pasi në të paktën dy raste, shërbimi veterinar publik ka zbuluar se gjedhët kanë qenë të infektuara me sëmundjen e brucelozës, ç’ka hedh dyshimin se kemi të bëjmë me trafikimin e bagëtive që në shtetin fqinj deklarohen si të groposura. Ky trafikim gjedhësh të infektuara tashmë rrezikon edhe një pjesë jo të vogël të bagëtive në të gjithë vendin.
Sipas Prof. Xhelil Koleci në Fakulteti i Mjekësisë Veterinare:“Historikisht sëmundja ka qenë e përhapur në pjesën e jugut të Shqipërisë, në kufi me Greqinë dhe Maqedoninë, por tani është e përhapur në të gjithë Shqipërinë. Momentalisht kam disa raste në Qarkun e Peshkopisë, të Elbasanit dhe Gramshit.”
Bagëtitë e sëmura me brucelozë kontrabandohen në Shqipëri! Vetting zbulon skandalin që po rrezikon shëndetin e qytetarëve! Tre qytetet me problematike
Vetting/ Mishi me brucelozë kontrabandohet në Shqipëri, ekspertët ngrenë alarmin: Konsumi çon në sterilitet, invaliditet deri në humbje jete! Çfarë duhet të keni kujdes
Vetting siguron pamjet! Kontrollori dhe importuesi i kafshëve të dyshuara me brucelozë drekojnë në një tryezë! Lidhjet e drejtorit të AKVMB me biznesmenin
Denoncuan importin e bagëtive me sëmundje, Vetting: Si u shkarkua nga detyra drejtori dhe veterineri! Nga “Tona shpk” te “AFA shpk”, ‘lista e zezë’ e subjekteve që përdorën influencën tek politika