Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me rezultatet e censusit. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se shpopullimi i vendit i fshehur pas arnave të një censusi të zvarritur të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës.
Basha shprehet se kjo metodë është veprim i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish dhe që nuk do t’ia do për eksodin masiv të shqiptarëve.
Ai më tej thotë se Shqipëria nuk meriton shpërbërjen e saj, shpërbërjen e familjes, largimin e rinisë, plakjen e popullsisë.
Postimi i plotë i Bashës:
Shpopullimi i vendit, i fshehur pas arnave të një censusi të zvarritur, të deformuar dhe jo transparent, si asnjëherë më parë e si në asnjë vend tjetër të botës, është produkt i drejtpërdrejtë i një qeverie të korruptuar që punon për interesat e një grushti të vogël njerëzish, duke lënë në varfëri familjet shqiptare, që mpaken vit pas viti.
Eksodi masiv i shqiptarëve nuk e shqetëson qeverinë, as thagmat korruptive që po i bëjnë gjëmën vendit, si skandali dramatik i Onkologjikut, apo i dhjetra zezonave të tjera që e kanë bërë vendin të pajetueshëm.
Shqipëria nuk meriton shpërbërjen e saj, shpërbërjen e familjes, largimin e rinisë, plakjen e popullsisë. Që kjo hemoragji të ndalë, kërkohet një ndryshim i menjëhershëm dhe rrënjësor.
Shqipëria meriton më shumë, prandaj ne kemi prezantuar përpara shqiptarëve një plan konkret dhe reformues, që lufton korrupsionin dhe siguron mirëqeverisjen, për t’u dhënë shqiptarëve alternativën që meritojnë.