Nga Erl Kodra
Të djathtët mund të fitojnë mbi Ramën, nëse nuk detyrohen të votojë vetëm Berishën
Dikush mund të thotë se politika nuk ka moral. Kjo mund të jetë e vërtetë, por politika pa moral është mashtrimi më i madh. Morali në politikë është faktori kyç që bën diferencën. Imagjinoni një botë të pamoralshme, pa të drejta dhe drejtësi, në thelb pa filozofinë e moralit. Do të ishte një botë e pajetueshme. Morali është ai që e ka bërë botën më të mirë, më të drejtë, më njerëzore. Nëse mungon morali, biem më poshtë se kafshët. Nuk ka asgjë më të mjerueshme se një shoqëri e pamoralshme.
Po çfarë është morali në politikë? A është morali përcaktues për fatin e një vendi dhe të ardhmen e tij? Ndonjëherë po.
Dhe ky është rasti ku morali do të bëjë diferencën dhe do të jetë përcaktues për të ardhmen e vendit tonë.
Përcaktimi i Sali Berishës si person non-grata nga Departamenti i Shtetit ishte lakmuesi që përcaktoi moralin e Partisë Demokratike. Me atë vendim, Shtetet e Bashkuara donin t’i jepnin një shans vendit të shkëputej nga tranzicioni i gjatë dhe i lodhshëm, duke ndarë luftën për pushtet të disa individëve nga lufta për qeverisje të mirë.
Si në çdo pjesë të shoqërisë, edhe mbështetësit e një partie kanë interesat e tyre të ndërthurura në segmente më të vogla, që shpesh dominojnë mbi interesat e përgjithshme jo vetëm të partisë, por edhe të shoqërisë. Në vitin 2021, një ish-lider si Sali Berisha, duke ndjekur interesa thellësisht personale për të përdorur Partinë Demokratike si mburojë politike, filloi mobilizimin e njerëzve që kishte mbi 30 vjet që i njihte. Ai po lëvizte në një mjedis që e njihte mirë, me të njëjtët njerëz që kishte ndarë pushtet dhe opozitë, madje në të njëjtin mjedis ku lëvizte edhe pushteti. Gazetarë, opinionistë, biznesmenë dhe politikanë nga e gjithë Shqipëria u vunë në dispozicion të një njeriu, në mbrojtje të tij, pavarësisht se të gjithë e dinin se me këtë veprim po shkatërronin Partinë Demokratike, dhe se shanset e Sali Berishës për t’u rizgjedhur si kryeministër ishin dhe janë ZERO. Për ta, morali ishte t’i shërbenin një njeriu me të cilin kishin bërë biznes. Thellë-thellë, ata ishin të bindur se duke mbrojtur Sali Berishën, në fakt, po mbronin mënyrën dhe stilin e tyre të jetesës. Një shoqëri e ndërtuar mbi korrupsion dhe kthim nderesh nuk mund të funksionojë ndryshe, veçse përmes të njëjtave forma. Kur mund të prekej Sali Berisha, si mund të mos prekeshin edhe ata? Ndaj, mbrojtja dhe mbështetja e Sali Berishës u kthye në një mision.
Si asnjëherë më parë, gënjeshtrat publike rridhnin lirshëm majtas dhe djathtas nëpër ekrane, duke portretizuar një Sali Berishë luftëtar, që lufton për dinjitet dhe parime, që do të mundë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se rikthimi i tij po ndodh për shkak se Edi Rama bashkë me George Soros, Antony Blinken dhe Yuri Kim duan t’ia bëjnë gropën. Por ndërkohë, ishte pikërisht Edi Rama ai që i vuri Sali Berishës në dispozicion krejt infrastrukturën e bashkive socialiste, të gjitha mediat dhe të gjithë analistët, përfshirë edhe gjykatat. Vazhdimi dhe fundi i filmit dihet se cili do të jetë.
Kur fola për moralin në politikë, kisha parasysh tharmin e moralit që për fat të mirë, shpesh bën diferencën. Asnjë shoqëri nuk ka moral të kulluar, për më tepër kjo e jona, por morali është lakmuesi që provokon dhe nxjerr në dukje të vërtetat që shumëkush nuk dëshiron që ato të dalin në sipërfaqe. Rezistenca ndaj Sali Berishës filloi rreth 30 vite më parë, dhe që atëherë, shumë njerëz nuk e votojnë më Partinë Demokratike vetëm për shkak të tij. Është e pamundur të thuhet një numër i saktë se sa janë ata që nuk votojnë më Sali Berishën, por me siguri që numri i tyre është më i madh se i atyre që e votojnë. Përcaktimi nga SHBA dhe më vonë nga Britania e Madhe si person non-grata ishte përcaktues për zhvillimet brenda Partisë Demokratike, që thelloi më tej ndarjen e mbështetësve të saj. Vetëm për shkak të këtij vendimi që vjen nga dy aleatët strategjikë të Shqipërisë, Partia Demokratike ka humbur mbi 250,000 mbështetës. Dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Lulzim Bashën që e pezulloi Berishën në shtator të vitit 2021. Këta njerëz kurrë nuk do të votojnë Sali Berishën, edhe sikur Lulzim Basha t’i bashkohej përsëri atij.
Kjo është ajo pjesa e elektoratit që bën diferencën përmes bindjeve të brendshme, ose përmes moralit. Këta njerëz mendojnë dhe shohin përtej interesave personale, ata janë më të pavarur dhe të lirë nga nderet dhe qokat e dikurshme. Askush nuk ka fuqinë t’i bindë ata që të kthehen të penduar te babai, sepse nuk kanë lënë asgjë peng. Këta janë njerëz të lirë dhe realistë. Në fakt, këta janë ndërgjegjja më e mirë e shoqërisë, ndryshe tharmi i moralit.
Këta njerëz – të djathtë në bindje, ish-pronarë, të përndjekur dhe profesionistë të lirë; të gjithë shtresë e mesme e shoqërisë – nuk do të votonin Partinë Demokratike të Sali Berishës. Por kjo pjesë e rëndësishme dhe më e pavarura e shoqërisë kërkon përfaqësim politik, sepse bindjet e tyre vlejnë edhe më shumë se sa vota. Asnjë vlerë në votë nuk do t’i shtonin Partisë Demokratike, edhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë, domethënë as shpallja non-grata dhe as zhvillimet e mëvonshme. Prova është në zgjedhjet e vitit 2021, ku Partia Demokratike e bashkuar nuk e mundi Kryeministrin Edi Rama.
Shqipëria nuk e ka luksin të shpërdorojë bindjet e pjesës më të vyer të shoqërisë, as t’i zhgënjejë ata. Mirë apo keq, ky është fakti. Partia Demokratike e Sali Berishës nuk mund të rritet më tej, ndërsa 250,000 njerëz që nuk e votojnë më Sali Berishën mund të rriten më shumë se dyfishi. Potencialisht ata mund të mbledhin të gjitha votat e të djathtëve shqiptarë që për një arsye ose një tjetër u larguan nga PD-ja e Sali Berishës. Dhe padyshim që kjo është një fashë e jashtëzakonshme votuesish, që me siguri do të bëjë diferencën.
Në një kontekst politik ku Sali Berisha dhe Edi Rama përfaqësojnë dy personazhe të vjetruara dhe të polarizuara të skenës politike shqiptare, është e qartë se Partia Demokratike me Berishën në krye nuk do të mundet kurrë të sfidojë me sukses dominimin e Ramës. Kjo, sepse një pjesë e madhe e elektoratit të djathtë është lodhur nga cikli i njëjtë i korrupsionit dhe politikave të vjetra që përfaqësojnë eksponentët e saj që nga viti 1991. Imagjinoni pak; Partia Demokratike e Sali Berishës me të njëjtat oferta politike si Tritan Shehu me shokë – për çfarë do ta votonin shqiptarët një parti të tillë, të mbytur dhe të plakur nga e kaluara e saj 33 vjeçare?
Ndërkohë, nëse spektri i djathtë do të kuptonte fuqinë e votuesve të zhgënjyer dhe të lodhur nga status quo-ja, dhe do të përqendrohej në krijimin e një spektri divers politik që përfshin të gjitha shtresat e shoqërisë, atëherë Edi Rama mund të dërgohej në opozitë. Këta votues që refuzojnë të zgjedhin midis Berishës dhe Ramës përfaqësojnë një shpresë të re për ndryshim dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Edi Rama, i cili është kryeministri më i korruptuar në 33 vitet e tranzicionit shqiptar, nuk është i denjë për të udhëhequr një vend që meriton drejtësi dhe integritet. Shqiptarët nuk e meritojnë një hajdut në krye të qeverisë. Duke bashkuar këta votues të rinj, të pavarur dhe të zhgënjyer në një front të përbashkët politik, spektri i djathtë mund të ndërtojë një alternativë të fortë dhe të besueshme që mund të sfidojë seriozisht pushtetin e Ramës dhe ta dërgojë atë në opozitë, duke sjellë kështu një erë të re ndryshimi në politikën shqiptare.