Basha përkujton ditën kur shqiptarët hynë në ambasada: Korrupsioni po shpopullon vendin. Demokratët euroatlantikë gati për koalicion vlerash për Shqipërinë si Europa

Basha përkujton ditën kur shqiptarët hynë në ambasada: Korrupsioni po shpopullon vendin. Demokratët euroatlantikë gati për koalicion vlerash për Shqipërinë si Europa

Kryetari i Demokratëve Euroatlantik, Lulzim Basha, ka përkujtuar ditën kur shqiptarët për herë të parë rrëzuan murin e izolimit dhe u futën nëpër ambasada, me shpresën e vetëdijen se meritonin një jetë më të mirë.

Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se 34 vite më vonë, ndërsa përkujtojmë këtë moment të rëndësishëm të kujtesës sonë historike, shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit. Kjo sipas ti, për shkak se korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes është diktatura e që po shpopullon Shqipërinë dhe po varfëron familjet shqiptare.

Ai më tej shprehet se këtë tregoi edhe censusi i vonuar dhe i tjetërsuar i qeverisë, i cili nuk fsheh dot mpakjen dhe plakjen e Shqipërisë.

Basha shkruan se demokratët euroatlantikë janë e vetmja alternativë për ndryshim, pasi janë të bindur se Shqipëria meriton më shumë dhe të bashkuar kundër aleancave të errëta që duan të na mbajnë në vendnumëro.

 

Postimi i plotë i Bashës:

Si sot 34 vite më parë shqiptarët rrëzuan murin e izolimit dhe u futën nëpër ambasada, me shpresën e vetëdijen se meritonin një jetë më të mirë, më të denjë për vete dhe fëmijët e tyre.

34 vite më vonë, ndërsa përkujtojmë këtë moment të rëndësishëm të kujtesës sonë historike, shqiptarët janë sërish me sytë drejt emigrimit.

Korrupsioni i përhapur në çdo degë të qeverisjes është diktatura e re që po shpopullon Shqipërinë, po varfëron familjet shqiptare dhe vret shpresën e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre.

Edhe censusi i vonuar dhe i tjetërsuar i qeverisë, nuk fsheh dot mpakjen dhe plakjen e Shqipërisë.

Ky eksod i dytë kërkon një reflektim të thellë shoqëror dhe politik.
Rrugët e vjetra po japin zgjidhje të vjetra, nga të cilat shqiptarët po ikin nga sytë këmbët.

Kriza e demokracisë, ngecja e ekonomisë dhe dimri demografik, kërkojnë modele dhe mendësi të re politike, për të luftuar korrupsionin dhe siguruar mirëqeverisjen.

Demokratët euroatlantikë janë gati për këtë ndryshim dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha shtresat shoqërore dhe forcat politike që ndajnë me ne vlerat për të cilat guximtarët e 2 Korrikut 1990 rrëzuan muret e diktaturës. Të bindur se Shqipëria meriton më shumë, të bashkuar kundër aleancave të errëta që duan të na mbajnë në vendnumëro, mund t’ia kthejmë shqiptarëve shpresën e humbur të Shqipërisë si Europa.

Artikulli paraprakU gjet me fraktura në kokë, policia jep detaje për gjendjen e 22-vjeçarit: Dyshohet se ra nga lartësia e lokalit
Artikulli tjetërCensi/ Mbi 34 mijë persona në vend të divorcuar, kulmon në moshën 40-50 vjeçare!